Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takoi në Divjakë fermerë të revoltuar nga braktisja e qeverisë, pasojë e të cilës ishte mbetja e pashitur e prodhimeve të tyre. Mungesa e subvencioneve, çmimi i lartë i karburantit, konkurenca e pandershme e prodhimeve të huaja, taksat e larta ishin disa nga arsyet pse prodhimet në Divjakë nuk shiten as nën çmimin e kostos.

“Basha -Sa ju ka dalë kosto e lakrës

Fermer – 15 lekë është kosto e prodhimit

Basha – Dhe e shisni me një të tretën?

Fermer – aq dhe nuk shitet

Basha- Sa e shisni pataten

Fermer – Me 20 lekë dhe nuk e shesim dot. katër kuintalë presh e kam shitur vetëm 15 mijë lek

Fermer-  Nuk ka bërë vaki ndonjëherë të shitet me 100 lekë kilja e karrotës.”

Fermerët treguan se një javë më parë kryeministri Rama jo vetëm nuk u ka dhënë zgjidhje problemit të shkaktuar nga qeveria e tij, por ëshë tallur me fermerët. Kreu i opozitës i nxiti fermerët që të mos zgjedhin rrugën më të shkurtër, pranimin e situatës kokëulur dhe hedhjen e prodhimeve. Basha tha se rruga e vetme është bashkimi me opozitën në protestë para kryeministrisë për të larguar qeverinë që e ka lidhur fatin me një grusht të korruptuarish dhe kriminelësh.

Fermer – Vjen kryeministri para një jave. I thonë fermerët që nuk po shitet lakra. Ai merr një lakër atje dhe I thotë “ti e paske kokën më të madhe se lakra”

Fermer – Erdhi dhe i tha tjetrit “mbaje preshin”. Po a i thuhet popullit kështu more?!

Fermer – Ku do të ushqehet populli po s’u shitën këto prodhime? Me cfarë? Vjen këtu e tallet me popullin. Turp të ketë ai burrë. Turp të ketë. (Fermerët në kor – turp, turp, turp)

Fermer -Mos kini frikë o popull. Flisni flisni, sepse po shkojmë cdo ditë e më poshtë. Nuk mendon më njeri për ne.

Fermer – Nëqoftëse ne do të punojmë veç e veç, kështu do ta pësojmë gjithmonë. Nëse bashkohemi, do të shkojmë nga Divjaka në Tiranë me zetora dhe me mallin tonë.

Basha – Këto prodhime mos i hidhni në kanal, po merrini e sillini para kryeministrisë. Unë do të jem në ballin tuaj, bashkë me deputetët tuaj. Shkojmë bashkë ia cojmë para kryeministrisë T’ia bllokojmë rrugën të keqes. Asgjë nuk ju mungon përvecse një qeverie që ta keni në krah e të mos ta keni kundër”-u shpreh Basha.

Basha tha se Shqipëria e ka plotësisht të mundur subvencionimin e fermerëve me të paktën 150 milionë euro në vit, një masë kjo që, sipas planit të Partisë Demokratike, bashkë me uljen me 240 lekë për litër të naftës dhe lehtësi të tjera për uljen e taksave, do të ndikojë menjëherë në rimëkëmbjen e fermerëve.

“Ditën e parë që do të na besoni me votë, do të kthejmë jo thjesht vëmendjen, por fondet nga fermerët. Do t’ju subvencionojmë, do të mbrojmë prodhimet tuaja, duke vendosur tarifa doganore për ata që ju konkurrojnë  në mënyrë të pandershme. Aq sa subvecionon qeveria e huaj, aq duhet të paguajnë në doganat shqiptare  Kur të vijnë tek tregu shqiptar, të konkurroni në mënyrë të barabartë”-tha Basha.