I dashur zoti kryetar i FRPD, Belind Këlliçi

I dashur kryetar i PD, Lulzim Basha

I nderuar zoti Patrik Voller, sekretar per marrëdhëniet ndërkombëtare i EPP,

I nderuar zoti Gloss, drejtues i fondacionit Konrad Adenauer

Të dashur miq, vendas e të huaj,

Të dashur studentë dhe ish studentë të dhjetorit 1990

Intelektualë që iu bashkuat asaj kohe në këtë lëvizje

Të dashur studente dhe studentë, anëtarë të FRPD të pranishëm në këtë sallë!

Është nder, privilegj i madh të kremtojmë sot së bashku Ditën e Rinisë shqiptare, që është dhe dita e revolucionit demokratik paqësor, më madhështor, më të rëndësishëm në historinë e lirisë së shqiptarëve, ajo që quhet Lëvizje Studentore e Dhjetorit.

Miqtë e mi, historia është një e shkuar dhe natyrisht të merresh shumë me të edhe nuk duhet, por sa herë kujton këtë ditë, frymëzohesh, frymëzohesh dhe vetëm frymëzohesh. 8 dhjetori është ditë frymëzimi. Si sot 27 vjet më parë bashkëmoshataret tuaj, u ngritën mbi frikën, dhunën, terrorin dhe u përballën në këtë qytet të bekuar, në rrugët dhe sheshet e Tiranës, me diktaturën më staliniste, më barbare, më çnjerëzore që Europa kishte njohur në historinë e saj. U ngritën me një kurajo të jashtëzakonshme dhe së pari çliruan qytetin e tyre, e shndërruan këtë qytet në kështjellën e lirisë së shqiptarëve, hapën dyert e lirisë për shqiptarët.

Dua t’u adresohem ju, audiencës së rinisë së sotme, fantazia dhe imagjinata juaj nuk ka fund, por përsëri ajo nuk rrok dot guximin e jashtëzakonshëm të atyre ditëve të bashkëmoshatarëve tuaj. Kjo sepse, ata në atë kohë, dhe ju që jeni këtu, nuk jeni të vetëdijshëm për forcën e jashtëzakonshme shpirtërore që ju keni. Në vitin 1990 ne nuk mund të krahasoheshim as me Korenë e Veriut të sotme.Pak ditë më parë ndofta keni parë në lajme, në Youtube, apo dhe portale,   se si 3-4 ushtarë të Korësë së Veriut ekzekutuan shokun, bashkëmoshatarin e tyre sepse po arratisej, po ecte drejt hapësirës së lirisë. Po çfarë ndodhte në Shqipërinë e viteve 90?

Në Shqipërinë e viteve 90’ ishin ekzekutuar me regjistër të ministrisë së brendshme 96 të rinj, djem dhe vajza, të cilët pasi e hoqi diktatura nenin e e tradhëtisë së lartë për arratinë, u nisën të gjenin botën e lirë, të gjenin lirinë.

Jo vetëm kaq, por akoma më makabër. Trupat e disa prej tyre zvarriteshin ditën për diell, në Sarandë, Gjirokastër, Korçë, në Skodër vetëm për të mbjellë terror kudo. Në memorien time më të hershme më kujtohet kur, trupa të bërë shosh të atyre që quheshin diversantë, na vendoseshin afër shkollës për tna tmerruar, apo i shëtisnin nëpër qytete të tjera. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri vëtëm në vitet ’50 por dhe në Shqipërinë e viteve ’90, vetëm e vetëm për të ulur poshtë kokën e shqiptarëve, për t’i tmerruar dhe terrorizuar ata.

U ndala në këto shembuj për të treguar se cilat ishin përmasat e guximit të atyre të rinjve, të atyre vajzave dhe djemve të udhëhequr nga Azem Hajdari që u ngritën natën e 8 dhjetorit, dolën në shesh dhe u përleshën me diktaturën. I goditi pabesisht ai që i priti. Të nesërmen nuk u strukën, nuk u shpërndanë në shtëpitë e tyre, por të nesërmen, këta vajza dhe djem u mblodhën përsëri në atë shesh dhe u nisën për të pushtuar bulevardin e Tiranës me një akt epik heroizmi.

Sot kanë kaluar 27 vjet dhe përsëri kjo datë e bekuar në historinë e lirisë së shqiptarëve ka një mesazh të madh. Mesazhi i madh i saj është guximi. Guximi. Fitojnë ata që guxojnë!

Asnjë nuk besonte përveç studentëve në fitoren e tyre, nuk besonin se do gjunjëzonin diktaturën. Por ata besonin, ata ishin trima, ata u rrahën në mënyrë barbare në rrugë dhe u mblodhën fill mbrapa për t’i dhënë goditjen tjetër diktaturës.

Ku jemi sot pas 27 vitesh?! Cilido ngado ju, se unë jam i bindur që ju e doni vendin, se në idealet tuaja keni një Shqipëri, më të bukurën që mund të ekzistojë, unë e di se ju dëshironi shumë që energjitë tuaja t’ia kushtoni këtij vendi siç ishte ëndrra e studentëve të dhjetorit 90, ta bëni atë si gjithë Evropa!

Po sot ku jemi? Veç viteve të zeza të diktaturës, kurrë nuk kemi qënë në këtë gjendje. Ju lexoni çdo ditë mediat e botës, vetëm kronikë negative për Shqipërinë; “Kanabistan”, “Droga e Shqipërisë në zemër të Europës”, “Narkoshtet” etj. Dhe po ndërtohet narko-shteti, se kur ministri i brendshëm bën trafiqe atëherë ai është narkoshteti. Kur kryeministri nuk e dënon ministrin e brendshëm, atëherë ai është vet i implikuar. Nuk është Karzai po është i vëllai i Karzait.

 

Ngremë pyetjen a është i implikuar Edi Rama? Po, është i implikuar përderisa është i implikuar Olsi Rama, Saimir Tahiri e të gjithë me radhë. Kush është zgjidhja? Zgjidhja është vetëm guximi juaj, trimëria juaj. Ju keni 1001 arsye të ngriheni fuqishëm, dhe unë ju garantoj ju se ju jeni dhjetra herë më shumë se kjo sallë por dhe vetëm kjo sallë do mjaftonte për ta hedhur në Lanë këtë qeveri.

Nuk ishin më shumë ata natën e parë, ditën e parë të përballjes së tyre me diktaturën, por e gjunjëzuan.

 

A meritoni ju t’i shndërrojë shqiptarët ai në përdoruesit më të madh të drogës? Që droga të bëjë drejtësinë? A meritoni ju që shqiptarët duan të ikn?

 

A meritoni ju që të shiheni kudo si përfaqësues të Kanabistanit? A meritoni ju që droga që prodhohet në Amerikën Latine ti shndërrojë shqiptarët në përdoruesit e saj më të mëdhenj në botë? A meritoni ju që ligjin të mos e bëj drejtësia por ta bëj kanabisi? A meritoni ju që sot, mirë në vitin 90 që të ardhurat për frymë ishin 204$, po sot të gjithë, mjekë, inxhinierë, të largohen nga Sqipëria, nga ky vend i pasigurtë?

 

A meritoni ju të paguani për studimet tuaja universitare katër herë më shumë se sa paguajnë në Austri, se në Gjermani, se në çdo vend të BE? Prindërit tuaj janë më të varfërit. Atyre iu dridhet dora dhe buza për të siguruar paratë për ju. Pse? Se një njëriu i teket “unë do bëj shtet” duke trefishuar – katërfishuar tarifat për ju.

Sepse ky njeri i kapur nga klientela, barazon çmimet e publikut me privatin vetëm për të mbajtur të gjallë universitete, të cilat kurrë nuk duhen mbajtur me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Universitete të klientelës.

Në historinë e Europës, studentët kanë përmbysur qeverira demokratike dhe e kanë merituar. Historia e Shqipërisë duhet të jetë historia e përmbysjes së narko-shtetit, historia e përmbysjes së Edi Ramës, klikës së tij.

Edhe një herë një përshëndetje të përzemërt të gjithë studentëve të 90-ës, por më të përzemërt studentëve të sotëm, të rinjve të sotëm kudo që janë.!