Bashkë me z Bumçi vizituam sot një ekspozitë të hapur nga vëllezërit françeskanë me rastin e 10 vjetorit të ndarjes nga kjo botë e At Zef Pllumit. I rekomandoj kujdo që nuk e ka parë këtë ekspozitë, të vijë e ta shohë, është frymëzuese, prekëse.

Mesazhi i At Zef Pllumit është se ia vlen çdo sakrificë për lirinë. Dhe ky mesazh kumbon sot shumë sepse liria na kërcënohet, në veçanti na kërcënohet liria e zgjedhjes. Jeta dhe vepra e At Zef Pllumit janë një kushtrim për lirinë. Vepra e tij më e njohur “Rrno vetëm për me tregue” duhet të jetë në tekstet shkollore për rininë shqiptare, si një dëshmi autentike e ferrit komunist, si ndërgjegja e një shoqërie që e humbi për 50 vjet rrugën e saj dhe si një kushtrim për të gjithë njerëzit e lirë, se ia vlen çdo sakrificë kur liria kërcënohet.

Së fundmi, dua të them se At Zef Pllumi, vepra, jeta e tij, virtytet e tij nuk e kanë vendin në muze por në jetën e përditshme të shqiptarëve. Në muze e ka vendin e keqja e cila bën vend ditë për ditë në jetën e shqiptarëve.

Qoftë ky bekimi i heshtur i At Zef Pllumit që shoqëria dhe qytetarët shqiptarë ta gjejnë forcë, ta kyçin të keqen në muze e ta zbresin të mirën në jetën e tyre të përditshme.