“Ky shesh i lirisë, kjo lëvizje e madhe popullore dhe qytetare ka 51 ditë që ushton me të vërtetat e saj. Ushton me të vërtetat e jetës së përditshme e të mjerimit që është ulur këmbëkryq kudo. Por ushton po kështu me të vërtetat e shpresës, besimit dhe luftës për vlerat dhe parimet më atdhetare, më europiane, më euroatlantike.

Përtej fasadës që kemi përballë, çdo të dielë në vetminë e tij këndon bilbili i monologut. Bilbili i monologut sot akuzon se të luftosh për zgjedhje të lira dhe të ndershme qenka antipatriotike dhe antieuropiane. Bilbili i monologut thotë se të bësh zgjedhje me krimin dhe të bësh zgjedhje me drogën e të bësh zgjedhje fasadë, qenka patriotizëm. Bilbili i monologut ka nevojë për ilaçe, për shumë, shumë ilaçe. Por këto ilaçe të cilat Republika e Re do ia sigurojë falas, ndoshta do të jenë të pamjaftueshme për të shlyer shijen e hidhur të një njeriu që ka orët e tij të fundit në karrigen kryeministrore, që nuk ka shpresë tjetër përveçse ti fryjë përçarjes kombëtare, ti fryjë hedhjes së shqiptarëve njërit kundër tjetrit dhe ti fryjë paranojës së tmerrshme dhe në të njëjtën kohë të papranueshme nga shqiptarët e mençur e patriot, se të ndalësh demokracinë, të pushtosh demokracinë me krim, drogë dhe oligarkë, qenka patriotike dhe europiane.

Dhe të luftosh për zgjedhje të lira e të ndershme qenka antipatriotike dhe antieuropiane. E dimë fare mirë se çfarë është kjo. Kjo është ora e fundit e marrëzisë së atij që dëshiron të kthehet në një sundues të përhershëm të shqiptarëve duke u zaptuar dhe pushtuar të drejtën për votë të lirë. Kjo është belbëzitja e fundit e marrëzisë së pushtetit të korruptuar dhe të inkriminuar.

Dhe sot, nga ky shesh i lirisë, nga ky shesh i të vërtetës, le ti themi se antikombëtar, antipatriotik, antieuropian, antiamerikan është projekti i kapjes dhe shkatërrimit të zgjedhjeve në aleancë me krimin dhe oligarkët që janë aleatët e vetëm të pushtetit të Edi Ramës. Shqiptarët e thjeshtë, shqiptarët e mjerë nga mjerimi që ti mbolle, shqiptarët e vërtetë patriotë, të djathtë e të majtë, demokratë e socialistë, gegë e toskë, muslimanë e të krishterë, janë të bashkuar në këtë shesh dhe me këtë shesh. Sepse nuk ka atdhedashuri më të madhe, nuk ka patriotizëm më të madh, nuk ka europianizëm më të madh dhe dashuri më të madhe për vlerat e Europës dhe Amerikës, se sa të luftosh për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo betejë luftohet për Shqipërinë dhe për Europën, për Europën dhe për Amerikën, për vlerat që na bashkojnë në gjenezën e re, të një kombi modern, europian dhe euroatlantik.

Zoti e bekoftë Shqipërinë. Zoti e bekoftë Europën. Zoti e bekoftë Amerikën. Zoti e bekoftë Kombin Shqiptar”.


Lulzim Basha i përgjigjet monologut përcarës të Edi Ramës, 9 Prill 2017