Kryetari Lulzim Basha bashkëbisedoi me sipërmarrës, përfaqësues shoqatash dhe pronarë biznesesh të falimentuara, për shkak të situatës ekonomike në vend. Ata denoncuan faktin se ndodhen pranë falimentimit për shkak të rritjes së taksave dhe gjobitjeve selektive. Këtë e konfirmoi edhe Bujar Muço, nënkryetar i shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm në Shqipëri duke theksuar se qeveria i trajton bizneset jo si partner, por si kundërshtarë.

Gjatë bisedës shtimi në numër, mbivendosja dhe rritja e taksave u identifikua nga sipërmarrësit e vegjël si problem kryesor. Si shembull, Lefter Troja, ish pronar i një biznesi të vogël duralumini dha taksën e tabelës, taksën për shkollat e reja e cila u taksohet si në familje edhe në biznes qytetarëve sot. Bujar Pula, sipërmarrës me pronësi një ‘bar-kafe’ sot ndodhet pranë falimentimit. Ai theksoi se hapsira publike paguhet 10 herë më shtrenjtë se katër vite më parë.

Nikollaq Neranxi, sipërmarrës dhe kryetar i shoqatës për mbrojtjen e tregtarëve tha se ekonomia shqiptare dhe bizneset sot janë më në rrezik se kurrë. Ai argumentoi se bizneset shpesh gjenden të akuzuar për rritjen e çmimit të produkteve qe ofrojnë për kosnumatorin, por shkak i kësaj janë rritja e çmimit të shportës për çdo shqiptar. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, rritja e çmimit të naftës, rritja e çmimit të TVSh në më të lartin në rajon, taksa mbi ndërtesën dhe shumë të tjera të dyfishuara përgjatë katër viteve të Rilindjes në pushtet.

Kreu i shoqatës së biznesit të vogël dhe të mesëm për Tiranën, Antonio Likaj, theksoi se fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë me 40%, gjë që ka ulur ndjeshëm xhiron e bizneseve, të cilat sot taksohen edhe më shtrenjtë se dje dhe gjobiten padrejtësisht. Situata bëhet e papërballueshme, sidomos për bizneset e vogla, kur taksidarët vendosin gjoba represive dhe selektive. Rasti i Lefter Trojës me biznes duralumini, ilustroi hallin e sipërmarrësve të cilët gjobiten padrejtësisht nga shteti. Kreu i shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm për shqipërinë, Albert Nasko denoncoi ato që i quajti ‘fushata represive të task-forcave të shtetit. Mbi 20 mijë biznese janë mbyllur vetëm në vitin e fundit në Shqipëri, gjë e cila do të thotë se minimalisht 20 mijë të papunë i ka sjellë kjo qeveri Shqipërisë vetëm në një vit.

Kreu demokrat Lulzim Basha tha se biznesi i vogël dhe i mesëm janë shtylla e ekonomisë shqiptare dhe kolonë punësimi për shqiptarët.

“Biznesi i vogël, sipërmarrja e vogël dhe e mesme është shtylla, kolona kurrizore e ekonomisë shqiptare. Mbi 80% e prodhimit shqiptar, e atij që e quajmë Prodhimi i Brendshëm Bruto vjen si rezultat i biznesit të vogël, i sipërmarrjes së vogël dhe natyrisht i fermave dhe i fermerëve shqiptarë. Eshtë pra, jo vetëm kolona e ekonomisë shqiptare, por dhe kolonë e punësimit të shqiptarëve, kolonë e burimit të të ardhurave, të rrogave. Kolonë e mirëqenies, sigurisht në kushtet normale të një ekonomie normale dhe të një shteti funksional. Sa më mirë sipërmarrja aq më mirë ekonomia”.

Zoti Basha tha se nëse pagat dhe pensionet e shqiptarëve nuk rriten, në kushtet e inflacionit, fuqia blerëse e shqiptarëve bie dhe ky është i gjithi rezultat i një komploti të bërë në kurriz të shqiptarëve.

“Asnjë vend të ri pune, rritje pagash zero dhe në fakt me pseudorritjen e premtuar, nuk shlyhet as 1/3 e efektit gërryes të inflacionit, pra të rritjes së çmimeve që ulin fuqinë blerëse të shqiptarëve, qofshin të punësuar në sektorin publik, qofshin të vetëpunësuar apo punësuar në sektorin privat. Ekonomia shqiptare është shkatërruar nga një qeveri e lidhur me krimin dhe nga pushtetarë të korruptuar kokë e këmbë. Por gjendja ekonomike e vendit para së gjithash është rezultat i një komploti të madh kundër qytetarëve shqiptarë. Para se të jetë një komplot politik, republika e vjetër është një komplot ekonomik”, tha Basha.

Z.Lulzim Basha theksoi se kupola e Republikës së vjetër nuk do të ndalet përpara asgjëje që ti ruajë privilegjet e saj, ndaj shqiptarët e bashkuar prej 46 ditësh janë frika e kësaj qeverie.

“Për herë të parë në këto katër vite, shfaqja me kukulla ka marrë fund dhe populli është bashkuar për të marrë në dorë fatet e tij. Për herë të pare, interesat e republikës së vjetër kërcënohen sepse kërcënohet pushteti i tyre sepse bashkimi popullor ka deklaruar dhe ka marrë vendim se as nuk nuk do të hyjë as nuk do të lejojë zgjedhje fasadë, zgjedhje të teatrit të kukullave, zgjedhje për politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar. Ne jemi këtu me një zotim për ti dhënë shqiptarëve zgjedhje për qytetarët, zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje për Republikën e Re”.

Zoti Basha tha se kjo do të jetë një javë vendimtare për të ardhmen e vendit, gjatë të cilës republika e vjetër do të provojë të mbijetojë. Kryedemokrati ritheksoi vendosmërinë e tij për të mos pranuar pazare politike në emër të pushtetit.

“Republika e vjetër do të shpresojë që përmes një dialogu fasadë të arrijmë zgjidhje fasadë, ku Partia Demokratike dhe opozita të bëhen pjesë e teatrit të kukullave në shkëmbim të pazareve në emër jo të interesave të shqiptarëve. Nëse do të ketë dialog politik, që e kemi kërkuar që prej ditës së parë, ky dialog politik nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pisët të disa politikanëve të opozitës me disa politikanë të maxhorancës, që të vazhdojë komploti ekonomik, politik. Por, do të jetë dialogu politik që përmes standardit europian për zgjedhje të lira dhe të ndershme, do ti japë fund njëherë e përgjithmonë republikës së vjetër, rrugëve të vjetra  dhe gjithçkaje të kalbëzuar në këtë vend që mban peng interesat, shpresat, mban peng zhvillimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Lulzim Basha i premtoi qytetarëve se nga çdo dialog i mundshëm politik për zgjidhjen e krizës do të përfaqësojë kërkesat e popullit me seriozitet dhe nuk do të kthehet kurrë pa siguruar fitoren e kauzës së qytetarëve.


Njoftim per shtyp 5 Prill 2017