Grida Duma për padrejtësinë ndaj qytetarëve, një arsye më shumë për t’u mbledhur më 18 shkurt në protestën e madhe

Edi Rama nuk u mjaftua vetëm me rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët, por edhe i mbifaturon ata. Me mijëra ankesa kanë ardhur nga e gjithë shqipëria për abuzimet me faturat e energjisë elektrike. Qytetarëve u është dashur të paguajnë 50% më shumë se kostoja reale e energjisë së konsumuar.

Qytetarët thonë se, pasi ankohen, u thuhet paguajeni një herë, dhe flasim muajin tjetër.

Kjo është vjedhje, nuk ka emër tjetër.

Edi Rama jo vetëm e rriti çmimin e energjisë elektrike, por vazhdon t’i vjedhë qytetarët dhe bizneset.  Ata që nuk janë të lidhur me qeverinë, se miqtë e qeverisë nuk paguajnë. Dhe atë që nuk paguajnë miqtë e qeverisë, e nxjerrin tek qytetarët, duke i mbifaturuar.

Jo vetëm rriti çmimin e energjisë, por Edi Rama la për muaj të tërë në errësirë familjet pa asnjë të ardhur, sepse nuk paguanin dot energjinë dhe shtyu drejt vetëvrasjes shumë kryefamiljarë.

Më 18 shkurt ne duhet të protestojmë për mashtrimin, abuzimin dhe vjedhjen që Edi Rama po u bën shqiptarëve.

Më 18 shkurt duhet të protestojmë në emër të Klajdi Muçës, Arif Dodës, Barbulla Pepës, Resmie Allës, Qamil Zelës, Llazar Nasit, Altin Myftarit, Gjovalin Gjinit, që u vetëflijuan dhe vdiqën nga të ftohtët, sepse nuk paguanin dot dritat.

Më 18 shkurt të protestojmë për qindra kryefamiljarë të papunë që nuk kanë para për të siguruar energjinë elektrike për fëmijët e tyre.

Më 18 shkurt të ndalim padrejtësinë dhe me votë të lirë t’i hapim rrugën një qeverie për qytetarët.