Edi Paloka për moszbatimin e dekriminalizimit. Me 18 shkurt, ndalim krimin në politikë

Edi Rama ka vendosur të mos zbatojë dekriminalizimin, të mos zbatojë vendimin e prokurorisë, të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve, madje as vendimin e qeverisë së tij, për largimin e Elvis Rroshit nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës.

Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, KQZ zbatoi urdhërin e prokurorisë për ti hequr mandatin Elvis Rroshit, bazuar në ligjin e dekriminalizimit, dhe pas kësaj doli një vendim qeverie që e shkarkonte atë nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Kavajës.

Por dje, ministri i financave i Edi Ramës, jo vetëm shfaqet me përulësi e respekt para Elvis Rroshit, në një aktivitet politik në Kavajë, por e cilëson atë publikisht kryetar Bashkie.

Edi Rama del kështu kundër qytetarëve, kundër institucioneve, kundër kërkesës së Europës, dhe mbron krimin deri në fund.

Me veprimin e tij, Edi Rama e ka bërë zero përpjekjen e mundimshme të opozitës e partnerëve ndërkombëtarë dhe vullnetin e popullit për hartimin dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.

Kjo është një tjetër dëshmi se Edi Rama nuk ndahet dot nga krimi. Nuk ndahet dot nga trafikantët dhe droga. Prandaj nuk e do votimin dhe numërimin elektronik. Sepse kështu nuk e ndihmon dot, as ai krimin, as krimi atë. Zgjedhjet e lira janë fundi i krimit në politikë.

Ndaj me 18 Shkurt ne ngrihemi bashkë për t’i prerë rrugën krimit në politikë, për ti dhënë mundësinë shqiptarëve të zgjedhin të lirë qeverisjen e tyre.