-Lulzim Basha me qytetarët e Fierit. Me  18 shkurt në orën 12 nis nga Tirana rruga pa kthim për t’u kthyer pushtetin qytetarëve duke nisur me garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme

-“Kjo lëvizje qytetare nuk do të ndalojë derisa të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose përmes paketës që kemi propozuar ne, përfshirë votimin elektronik, ose përmes marrjes në dorë të fateve të vendit nga vetë qytetaret”

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ndau sot me banorë të Fierit nevojën për tu bashkuar e ngritur kundër qeverisjes që ka braktisur qytetarët dhe kujdeset vetëm për veten, klientët dhe miqtë e saj, e për këtë arsye nuk lejon zgjedhje të lira.

“Qeveria erdhi me premtimin se do t’i shërbejë shumicës, por po i shërben vetes së vet. Shëndetësia në kolaps nuk vjen sepse shqiptarët paguajnë më pak. Shqiptarët paguajnë më shumë sot për shërbimin shëndetësor, por ato para nuk shkojnë për ilaçe, për pajisje, për trajtim mjekësor por shkojnë në xhepat e grushti oligarkësh, hajdutësh, kriminelësh të lidhur drejtpërdrejtë me Kryeministrin. Ndaj nuk do të zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Prandaj mban Elvis Rroshin kryetar bashkie. Prandaj mban Saimir Tahirin ministër të Brendshëm, njeriun që e kanë treguar me gisht të gjithë partnerët tanë, si një kokat e krimit të organizuar, si njeriu përgjegjës për shndërrimin e Shqipërisë në një hambar droge. Sepse këta i duhen për të vjedhur zgjedhjet e ardhshme. Prandaj nuk pranon votimin elektronik dhe numërimin elektronik, sepse e di që me zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa krim, me votë të lirë qytetare, kjo qeveri është e rënë, është e larguar dhe rruga hapet për një qeveri të qytetarëve, për një qeveri të Shqipërisë”, theksoi Basha.

Basha tha se si kudo, edhe në Fier, sot kemi më shumë të papunë se para tre vitesh, pensionistët paguajnë çmime më të larta dhe blejnë më pak.

Shëndetësia është në gjendje të mjerë. Rinia ka më pak shanse për punësim.

“Më 18 shkurt shqiptarët do të bashkohen për t’i thënë jo varfërisë, padrejtësisë, për t’i thënë jo gënjeshtrës dhe për të diktuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shpalli Basha në mes të qytetarëve në sheshin kryesor të Fierit.

Kryetari i Partisë Demokratike gjatë takimeve në Fier dëgjoi nga afër naftëtarët të cilët janë në krizë të thellë, dhe të braktisur totalisht. Ankesat janë për shtimin e papunesisë, varferisë, pamundësisë për të paguar edhe energjine elektrike.

Duke u ndalur tek rasti i banorëve të Zharrëzit, të cilët janë në grevë urie, sepse u janë shembur shtëpitë nga shpimet e naftës dhe qeveria i mashtroi, Basha tha se ata janë në të drejtën e tyre dhe kanë plotësisht mbështetjen e Partisë Demokratike. “E vetmja gjë që u kërkoj është të mos shkojnë drejt vetëflijimit por të bashkohen me ne. Ky është momenti për të larguar qeverinë dhe jo për të vetëflijuar njerëzit”.

Qytetarët, tha Basha  po bashkohen për të larguar një herë e përgjithmonë një kastë të korruptuar dhe të lidhur me krimin dhe për të sjellë në pushtet, jo thjesht një parti politike, por  qytetaret.

“Kjo lëvizje qytetare nuk do të ndalojë derisa të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose përmes paketës që kemi propozuar ne, përfshirë votimin elektronik, ose përmes marrjes në dorë të fateve të vendit nga vetë qytetaret”, pohoi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike u bëri të qartë qytetarëve, se kjo lëvizje ka synime të mëdha, për të sjellë ndryshimin në vend.

“Qeverisja do t’i kthehet qytetarëve, demokracia do t’i kthehet qyetarëve, Shqipëria do t’i kthehet shqiptarëve. Më 18 shkurt, në orën 12.00 në qendrën e Shqipërisë, për t’u shpërndarë më pas anembanë vendit në një lëvizje pa kthim për fitoren e qytetarisë, për fitoren e vlerave, për mposhtjen e antivlerave, për Shqipërinë europiane, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, deklaroi Lulzim Basha.