Pas denoncimit të deputetit Edi Paloka shfaqen autoritetet dhe ministri i brendshëm 

Rreshqitja e dherave në zonën e Sharrës në Kombinat ka rrezikuar banesat e dhjetra banorëve, të cilëve nuk u është përgjigjur asnjë autoritet megjithë thirrjet që kanë bërë. Sot pranë tyre ishte deputeti dhe kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka. Pasi u takua me banorët, Paloka u shpreh për mediat.

“Jam këtu me kërkesë të banorëve, sepse ka dy ditë që ka rrëshkitur dheu në këtë zonë. Siç e shihni edhe vetë, situata është vërtetë e rëndë. Siç duket banorët pas kërkesave të vazhdueshme që kanë bërë për t’u ardhur në ndihmë, janë ndjerë pa mbështetje dhe pa mbrojtje duke na njoftuar ne. Më vjen mirë që kanë ardhur emergjencat civile dhe uroj t’i japin zgjidhje sa më shpejt këtij problemi. Gjithçka duhet bërë për banorët. Nuk ka asnjë arsye, për ta përdorur politikisht, pasi jam këtu me kërkesë të banorëve meqënëse si deputet jam angazhuar në këtë zonë, dhe shpresoj edhe një herë që gjendja të përmirësohet sa më shpejt dhe të mos rrezikohet jeta e banorëve që janë këtu”, tha Paloka.

Pas këtij sensibilizimi, në zonë u shfaqën autoritetet dhe Ministri i Brendshëm. Paloka theksoi se pavarësisht se me vonesë dhe nën presionin e denoncimit mediatik, ishte mirë që më në fund autoritetet u kujtuan për këtë gjendje të rëndë të banorëve të kësaj zone.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 22 nëntor 2016