Kryetari Basha ndan vizionin e tij politik në bashkëbisedim me Sokol Ballën në Top Story 

Balla: Ju keni lobuar personalisht edhe vitin e kaluar pro hapjes së negociatave për Shqipërinë, para shtyrjes së radhës që na u bë në dhjetor nga Këshilli i Ministrave, atëherë pse kësaj radhe në Komitetin Ndërparlamentar mbajtët një qëndrim aq të ngurtë deri në pikën sa një deputet i juaji kërkoi edhe heqjen e paragrafit që fliste për dakordësinë e të gjithë palëve për caktimin e një date për hapjen e negociatave?

 

Basha: Siç e shtruat edhe vetë këtu ka një absurd dhe absurdi nuk qëndron tek Partia Demokratike. Nuk është e vërtetë që Partia Demokratike ka ndryshuar qëndrim, Partia Demokratike ka një qëndrim të konsoliduar prej ditës time të parë si kryetar i opozitës: Ne do të mbështesim pa rezerva çdo hap që çon në integrimin europian të vendit, ky është interesi jetik i shqiptarëve.  PD vendos një standard të cilin shpresojmë që opozita e ardhshme do ta ndjek për të lënë një herë e mirë mbrapa atë standard që u vendos nga opozita e Ramës që bllokoi statusin për tre vjet me pretekstin e Qarkut të Fierit. Siç e thatë edhe vetë kemi një rekord të qartë si parti në qeverisje dhe në opozitë. Në qeverisje ishim ne që nënshkruam marrëveshjen e stabilizim asociimit. Punuam fort për përmbushjen e kritereve, që çoi tek hapja e dritës jeshile për të aplikuar në anëtarësi. Ndërkohë që, plotësuam kriteret për heqjen e vizave, iu dhamë shqiptarëve dinjitetin dhe lirinë për të lëvizur pa viza në Europë.

Dhe me daljen në opozitë, siç e thamë, këtu vlen ta them fare shkurt, jo vetëm që nuk u bëmë pengesë për statusin kandidat, por lobuam aktivisht me pjesën dërrmuese të BE që drejtoheshin dhe drejtohen me partitë tona simotra; duke nisur me CDU-në, CSU-në, që Shqipëria ta merrte statusin kandidat,në radhë të parë sepse shqiptarët e meritojnë dhe në radhë të dytë sepse çdo hap përpara në procesin e integrimit ndihmon, është një aleat i fortë  për standardet.

 

Balla: Shton edhe kontrollet?

 

Basha: Shton standardet, shton edhe mundësitë, shton edhe burimet.

 

Balla: Atëherë pse ju po dilni edde kundra aleatëve tuaj europianë?

 

Basha: Nuk kemi dalë kundër. Eshtë një sajesë e propagadës qeveritare për të bërë trushpërlarjen e shqiptarëve. Më lejoni të sqaroj ju dhe përmes jush shqiptarët që na ndjekin. Çfarë ka ndodhur? Kush e vendos rekomandimin për statusin kandidat? Rekomandimin e jep Komisioni, vendimin e jep Këshilli. Rekomandimin e bën qeveria e BE dhe vendimin e merr Këshilli që përbëhet nga vendet anëtare. Parlamenti ka zero rol këtu. Nuk ka asnjë rol formal.

 

Balla: Nuk mundet parlamenti të dalë kundër.

 

Basha: Kjo është stisur për të hequr vëmendjen nga gjërat e rëndësishme që ndodhin në këtë vend, është propagandë e pastër qeveritare. Midis këtyre dy datave, datës së rekomandimit dhe datës 15 dhjetor, ka pasur një sesion ndër 13 sesione të Komisionit të përbashkët Parlamentar. Ky sesion parlamentar nuk ka asnjë rol formal për sa i rekomandimit. Roli i komisionit që përbëhet nga 14 deputetë, 7 të BE-së dhe 7 shqiptarë, është të vlerësojë gjendjen politike në mënyrë sa më objektive. Në 13 takime të tilla vetëm një herë ka patur rezolutë, kur unë, kryetari i opozitës, vendosa që për hir të interesave të vendit të jepej konsensusi për një deklaratë e cila nuk reflektonte tërësisht shqetësimet tona. Shqetësime të cilat kanë ardhur duke u rritur, siç ka ardhur duke u rritur problem i kriminalizimit të politikë, pra i pranisë së kriminelëve në politikë, siç ka ardhur duke rritur dhe duke u shumëfishuar problem i drogës.

 

Balla: Ju një vit më parë në rezolutë i kërkuat Këshillit të miratojë rekomandimet e Komisionit?

 

Basha: S’ka diskutim. Ajo që kemi kërkuar këtë vit është fare e qartë, që të reflektohet gjendja e rëndë e mozbatimit të ligjit të dekriminalizimit, luftës kundër drogës dhe kërcënimit që ajo paraqet për stabilitetin, për demokracinë, për fatet e njerëzve, dhe shëndetin e njerëzve. Tre interesa esenciale të Shqipërisë. Kjo ka ndodhur. She kjo nuk ka lidhje kjo me statusin. Eshtë fabrikim i pastër.

Ne i shërbëjmë interesit të shqiptarë dhe për këtë duhet të jemi plotësisht të qartë. Po e përsëris sot, po të jetë në dorën time, sot e firmos hapjen e negociatave. Por kjo është në dorën time, nuk është në dorën e opozitës. E vetmja gjë që ne kishim në dorë ishte konsensusi për drejtësinë. Lajmi i vetëm i mirë është që reforma në drejtësi, pjesa kushtetuese kaloi me konsensus të plotë, këtë ka thënë komisioni. Ndërsa ajo që ti referon është rezoluta, nuk ka asnjë vlerë.

 

Balla: Pse e bëtë atëherë?

 

Basha: Sepse ka një rol tjetër rezoluta, nuk ka lidhje me rekomandimin. Rezoluta duhet të pasqyrojë gjendjen dhe problemet e Shqipërisë. Dhe ti kërkosh opozitës që të mos përdorë rezolutën që është një instrument presioni ndaj qeverisë, për ti kujtuar qeverisë detyrën që ka para shqiptarëve për të luftuar drogën, për të nxjerrë kriminelët jashtë politikës, për zgjedhje të lira dhe të ndershme, është ti thuash opozitës të mos ekzistojë. Ndërsa të thuash të kundërtën, që kjo ishte në dorën tonë, atëherë do të thotë të thuash para shqiptarëve që notën në provim do ta vënë nxënësi dhe jo mësuesi, që do të shkosh në konkurs dhe do të vlerësosh veten tënde. Kjo është një gënjeshtër e pastër. Eshtë një trushpërlarje qeveritare.

 

Balla: Ju jeni që në 15 dhjetor jeni pro?

 

Basha: Absolutisht po të jetë në dorën time, unë e firmos që sot. Por nuk është në dorën time.

 

Balla: Nëse nuk e marrim faji është i qeverisë?

 

Basha: Unë dua ta nxjerr këtë diskutim nga vorbulla, faji është i këtij, faji është i atij. Sepse diskutimi faji i këtij, faji i atij na ka sjellë deri këtu. Jemi në një situatë emergjence për shqiptarët. Nuk rri pa gjumë Eduard Kukan, miku ynë i dashur, as Fleckentein, ky është problem i shqiptarëve. BE do të vazhdojë të ekzistojë, europianët do të vazhdojnë të kenë vende pune, siguri, bukë, të gjitha të mirat materialet që ofron një shoqëri, ndershmëri, talentin. Ndërsa ne do të vazhdojmë të ballafaqohemi me një situatë ku krimi ka fituar terren si asnjëherë më parë, ku droga është mbjellë anembanë vendit dhe ku me paratë e drogës dhe të krimit po bëhet gati kapja e zgjedhjeve të ardhshme. Pra, shkatërrimi i procesit politik. Pra i hiqet zëri qytetarëve për të vendosur për të nesermen. Këto janë problemet tona. Dhe këtyre do tu japim përgjigje ne si politikë, e në veçanti ne si opozita dhe alternativa për të nesermen.

 

Balla: Të treja, probleme ekzistuese dhe afatgjata. Zgjedhjet në shqipëri, akoma nuk janë të lira dhe të ndershme, e thënë edhe në 2013 edhe në 2015?

 

Basha: Raporti i OSBE/ODIHR në 2015 tha diçka që nuk tha në 2013; thotë u vra besimi i qytetarëve tek vota e lirë. Ky nuk është detaj, kjo është diferenca bardh e zi. Dhe unë uroj që të kemi mundësi të flasim për këtë.

 

Balla: Z. Basha ju e keni ndryshuar Kushtetutën së bashku dhe keni çuar thelbin në Gjykatën Kushtetuese?

 

Basha: Pikërisht sepse është shkelur. Thelbi është ky. Sot në Shqipëri ligjet që janë miratuar me konsensus, ose shkelen, ose nuk zbatohen. Shembulli është Ligji i Dekriminalizimit. Sa persona janë nxjerrë nga zyrat publike, si rezultat i këtij ligji. Ku e ke Elvis Roshin sot?

 

Balla: Pyesni Prokurorin e Përgjithshëm.

 

Basha: Dmth, fajin e ka drejtësia? Kryeministri, i cili përbetohet për përkushtimin e tij në reformën në drejtësi, ka në dorë pavarësisht prej gjendjes si është drejtësia, të bëjë drejtësinë e tij. Ai ka në dorë me ligj ta shkarkojë Elvis Roshin, i cili rezulton i dënuar për përdhunim në grup të një të miture në Itali dhe deportim nga Zvicra për trafik droge.

Kjo nuk është çështje teknike, kjo është çështje politike, është çështje e vullnetit politik. Nuk mund të fshihet askush për mungesën e vullnetit politik. Një kryeministër që duhej të ishte me të vërtetë i përkushtuar për drejtësi, në këtë rast ka në dorë të bëjë drejtësi, ka në dorë të shkarkojë Elvis Roshin. Nuk e shkarkon, e mban aty. Të dënuarin për përdhunim të një të miture në Itali, të deportuarin për trafik droge në Zvicër. Ka në dorë të largojë një numër anëtarësh nga grupi i tij parlamentar, sepse janë persona të verifikuar me rekorde kriminale. Nuk i largon. Përse nuk i largon? Sepse pa ta nuk ka pushtetin.

Pra, z.Rama ka bërë një zgjedhje të qartë. Këto nuk janë rastësi. Ligji për dekriminalizimin nuk po zbatohet sepse këta persona janë shtylla të një pushteti të kriminalizuar i cili sot është përgjegjës se e ka mbjellë Shqipërinë me drogë. Nëpërmjet këtyre e ka mbjellë. Nuk është rastësi që droga e cila ka lulëzuar kudo, në këto zona është edhe më problematike, që në këto zona kemi drogë në aeroport, nuk është rastësi. Ne jetojmë në një Shqipëri, ku krimi, droga dhe politika janë bërë njësh në një konspiracion kundër qytetarit shqiptar jo kundër meje, as kundër Partisë Demokratike, por kundër qytetarit shqiptar dhe ky është një problem para të cilit nuk mund të mbyllim sytë si opozitë. As në Tiranë, as në Bruksel. Të të them edhe diçka tjetër.

 

Balla: Përse nuk del hashashi sot një nga shqetësimet kryesore të Komisionit Europian?

 

Basha: Para se të nisesha këtu, kam marrë telefonata nga një politikan i lartë italian, i cili më tha, çfarë bëhet? Të lutem të ushtroni presion para qeverisë. Sepse, kishte lexuar artikullin e Corriere della Sera sot, a e keni lexuar artikullin?

 

Balla: Po, e lexova.

 

Basha: Çfarë thoshte? Shqipëria serë droge e Europës.

 

Balla:  Ju e thoni, kjo është çështja kardinale, dhe pse e thoni vetëm ju dhe nuk e thotë askush nga faktorët e tjerë politikë kombëtar dhe ndërkombëtar?

 

Basha: Nuk është ashtu. Ke 6 muaj që bombardohesh me deklarata. Prokurori italian thotë, ka një lum droge në Shqipëri, autoritete janë edhe ata. Mediat më në zë të botës thonë që droga në Shqipëri është një problem i jashtëzakonshëm dhe vjen si rezultat i lidhjes së qeveritarëve më të lartë me drogën. Huffington Post, The Hill, gazetari që i bëri thirrje presidentit të ardhshëm të SHBA-së, të nisë një hetim ndërkombëtar, për lidhjet e qeveritarëve shqiptarë me drogën. Kemi deklarata të institucioneve të rëndësishme, kemi deklarata të Parlamentit Europian, kemi deklaratën e Eduard Kukan, kjo nuk është garë deklaratash.

Shqetësimi është i jashtëzakonshëm. A është sot shqetësimi i parë në botë Shqipëria, sigurisht nuk është, por shqetësimi për drogën është i jashtëzakonshëm. E kanë thënë dhe po e thonë, të vetmit që po mundohen ti ikin kësaj apo ta romantizojnë çështjen e kanabisit, apo ta refuzojnë, apo ta zvogëlojnë, nuk janë 36 ton po 36 kg, janë Edi Rama dhe ministrat e tij. Pse Edi Rama e refuzon, apo e zvogëlon problemin e drogës? Sepse për ta zgjidhur një problem, duhet ta njohësh. Njohja të jep mundësinë të reflektosh, reflektimi të jep mundësinë të veprosh dhe ta korrigjosh.

 

Balla: Ju, si ish-ministër i brendshëm, si zgjidhet kjo çështje? Kjo është ajo që presim nga opozita, t’i japim një zgjidhje. Si zgjidhet kjo? Sepse ju thoni, vetëm të ikë Edi Rama dhe Sajmir Tahiri. Erdhët ju në pushtet nesër, si zgjidhet?

 

Basha: Tani do të më japësh kohën të shpjegoj se përse problemi i drogës duhet të zgjidhet patjetër dhe do ta zgjidhin të gjithë shqiptarët së bashku. Problemi i madh këtu nuk është në sa raporte ka dalë. Me lejo të shpjegoj sepse ti nuk e ke traditë t’i heqësh fjalën opozitës.

 

Balla: Opozita goditi me grusht sot në Parlament.

 

Basha: Nuk është e vërtetë, opozitës i ka mbetur vetëm fjala. Opozita ka vetëm fjalën. Kur liritë nëpërkëmben, kur liritë thelbësore zerohen nuk ka rrugë tjetër përveç se të ngrihesh e të godasësh me grusht dhe me gjithçka tjetër.

 

Balla: A janë njerëzit me ju z.Basha?

 

Basha: Sigurisht! Unë mendoj dhe kam bindjen e thellë se kur bëhet fjalë për interesa thelbësore të shqiptarëve, siguria e fëmijëve të tyre, ndërtimi i një shoqërie ku nuk shpërblehet i paafti, mediokri, i korruptuari, krimineli, por shpërblehet punëtori, i ndershmi, talenti, krijuesi, këto janë çështje që na bashkojnë si shqiptarë e nuk na përçajnë, pavarësisht bindjeve politike.

 

Balla: A mund të flasim pak për drogën të lutem? Ke qenë Ministër i Brendshëm, ke vizituar Lazaratin. Qeveria juaj, jo ju personalisht, edhe ju keni përgjegjësinë tuaj se keni qenë Ministër i Brendshëm në një periudhë jo të vogël, por qeveria juaj e njihte Lazaratin, e pranonte Lazaratin, e la Lazaratin të ishte aty ky ishte.

 

Basha: Në vitin 2012 sasitë e kanabisit të kapur në Itali ishin sasi minimale. Kjo ishte prova e parë. Prova e dytë është që kur policia hyri në Lazarat gjeti afro 100 ton kanabis të vjelur para 4 vitesh, dhe dihet nga ekspertët që pas tri vitesh kanabisi i humbet vlerat e veta komerciale. Pse i gjeti aty? Sepse nuk arriti dot në treg. Pse nuk arriti në treg? Sepse ne kishim një strategji për të mos e lejuar të tregtohet.  Cfarë ndodhi? U tha që cmontua Lazarati. Cfarë kam kërkuar gjatë aksionit? Të ruhen jetët civile, të ruhen jetët e policëve. Të mos ketë goditje, dhunë, shkelje të drejtave të njerëzve të pafajshëm dhe të kapen trafikantët. Nuk u kapën trafikantët. Trafikantët ikën. Se kush i la të iknin dhe se ku janë sot, i ke në të gjithë Shqipërinë.

Pse Lazarati kishte një problem që nuk e ka më, por sot e gjithë Shqipëria është kthyer në një Lazarat? Sepse strategjia e Ramës, strategjia e Tahirit dhe e një grushti të korruptuarish që janë në krye të policisë është fare e qartë, ata kanë një rol instrumental në mbjelljen e Shqipërisë me kanabis dhe në krijimin e infrastrukturës të kanabisit, infrastrukturë e cila po përdoret dhe për trafikun e kokainës dhe heroinës dhe që nesër mund të përdoret dhe për armë.

 

Balla: Cfarë do të bëntë Lulzim Basha kryeministër dhe ministri i tij eventual i brendshëm për ta zgjidhur këtë situatë? Pra kur të vini nesër në pushtet si do ta zgjidhni këtë situatë?

 

Basha: Para se të vijmë se cfarë do të bëjmë kur të vijmë në pushtet, do të shpjegoj me pak fjalë pse kemi ardhur deri këtu. Kemi ardhur deri këtu, sepse kjo ndodhi për shkak të një vullneti për ta përdorur drogën për të shpërblyer ata kriminelë që nuk i nxjerr nga parlamenti, nuk i nxjerr nga Bashkitë, në radhë të pare, dhe në radhë të dytë për të siguruar infrastrukturën për zgjedhjet e ardhshme, që në zgjedhjet e ardhshme të mos kenë nevojën që ti venë tytën në kokë zgjedhësve por t’u thotë “ta gëzoni korrjen” sic e bëri në Dibër ose përndryshe tju godasë.

 

Balla: Pse nuk denoncuat për rastin e Dibrës

 

Basha: Nuk është e vërtetë. Ne kemi denoncuar me dhjetra raste, edhe kur Edi Rama fliste në Parlament, policia ka dalë me komunikatë pasdite ku tha se në të vetmen zonë kur rezultati nuk ishte ai që priste PS, shkuan dhe hoqën 6120 rrënjë kanabis, pra ti mos i merr të vërteta ato që thotë qeveria sepse dhe qeveria më e mirë duhet marrë me skepticizëm nga media. Të dalim tek thelbi. A është problem vetëm i PD, kanabisi?

 

Balla: Ju thoni që është problem i gjithë Shqipërisë.

 

Basha: Unë them që nuk është kanabisi problem në vetvete. Problemi është tjetër dhe këtu duhet të ndalemi. Prokuroria italiane thotë se ka kapur midis 30 dhe 50 ton. E njëjta prokurori nga e cila varet Guardia di Financia, policia e shtetit dhe karabineria dhe të gjithë institucionet ligjzbatuese, thonë se kjo është një e dhjeta, me një vlerë në treg rreth12 miliard euro, që është baraz me prodhimin e brendshëm bruto të Shqipërisë. Sikur 10 % e këtyre të jenë në duart e krimit të organizuar shqiptar bëhet fjalë për 1,2 miliard euro. As policia nuk i ka, as ushtria nuk i ka, as shërbimi informativ nuk i ka, pra nuk ka strukturë shtetërore që të ketë 1,2 miliard euro. Cfarë do të bëjnë me këto para trafikantët e drogës dhe krimi i organizuar?

 

Balla: Ju sapo pranuat se një ushtri e tillë trafikantësh, banditësh, kriminelësh mafiozësh dhe tregtarë droge me thënë të drejtën, me tërë këto para, nuk u intereson nëse kryeministër është Edi Rama apo Lulzim Basha.

 

Basha: Këtu ka një ndryshim themelor, këtu je gabim sepse këta do të investojnë për të ruajtur status quo, ose për ta zgjeruar. 1,2 miliard euro, me një pjesë të tyre do të blihen zgjedhjet për të favorizuar ruajtjen e gjendjes. Kush e favorizon ruajtjen e gjendjes? Unë që ju thotë “sapo të vij në pushtet me votën e qytetarëve do të marrim të gjitha masat dhe do ti shtypim, apo dikush tjetër që thotë ska problem kanabisi, që del me ambasadorin e BE në konferencë dhe thotë ku ka kanabis? Kur thotë thotë këtë ky jo thjesht e mohon, por i shkel syrin atyre, u thotë unë jam garancia juaj.

Këtu ka ardhur Shqipëria sot: paratë e kanabisit kanë forcuar krimin e organizuar me të cilat do të blejnë më shumë policë, do të blejnë më shumë prokurorë, do të blejnë më shumë gjyqtarë do të investojë në ata politikanë, në ato parti politike që do ta ruajnë këtë gjendje për ta. Do të blejë ekonominë shqiptare, do të marrin tenderat do të marrin punët publike, nesër do të marrin gjithë pronat, bregdetin do ta zhvillojnë ata, pra do të diktojnë ata. Do të blejnë mediat. Vende të caktuara, përmes kësaj rruge janë sot në fund të pusit.

Ne kemi në radhë të parë një detyrë për të ndërgjegjësuar shqiptarët dhe unë i bëj thirrje cdo mediaje dhe kolegëve të tu të nderuar “stop relativizimit të problemit të drogës”. Makiaveli thotë që mjeksia dhe qeverisja kanë një pikë të përbashkët: kur e bën diagnozën herët mund ta shërosh sëmundjen edhe po të jesh i pasigurt, po ta bësh herët po të marrësh masat mund ta shërosh, por ta bësh vonë diagnozën, ska rëndësi sa i sigurtë je, mori fund trupi, vdiq. Tu themi shqiptarëve që skanë buëtë hanë pse është e keqe droga. Tu themi shqipatrëve cili vend ka bërë përpara me drogën?  Duam të shkojmë tek Afganistani? Eshtë Kolumbia ku ka luftë civile prej 30 vitesh.

 

Balla: Kemi raportin e Guardia di Finacës. Nuk është provë, por thotë se policia po e lufton

 

Basha: Raporti i Guardia di Financës është një tjetër pelivanllëk mediatik. Unë i kam patur në zyrën time zyrtarët më të lartë italianë dhe më kanë thënë: Po, keni patur të drejtë është shumëfishuar sipërfaqja. Po të them një informacion të privilegjuar të vërtetë dhe transparent. Ata më thanë: nuk jemi në gjendje të themi sa është shumëfishuar në të gjithë Shqipërinë, sepse ne arritëm të shohim vetëm 17% të sipërfaqes pasi ishte korrur një herë fara vietnameze. Por në këtë 17% të sipërfaqes po shohim më shumë drogë se vjet. Vjet ishte 43 hektarë, në këtë 17%, sivjet është 213 hektarë dhe pa dyshim ky është një shqetësim. E vëreta të del atje, përtej Otrantos. 30 tonë në dy muaj dhe italianët thonë se kjo është vec 10 për qind. Pra janë 300 tonë që kanë kaluar.

 

Balla: Siç u kalon italianëve që kanë mjete e para, mjete të sofistikuara, avionë dhe u kalon kjo sasi e madhe, policisë modeste shqiptare mund ti kalojë se nuk munde

 

Basha: Po pse nuk i kalonte më përpara. Ky 10 tonë në 2 javë nuk ka ndodhur kurrë. Pse nuk kalonte më përpara?! E para sepse kishte një moratorium.

 

Balla: Në parlament janë publikuar raportet konfifenciale të qeverisë tuaj që ekzistonte ky problem në të gjithë Shqipërin

 

Basha: Eshtë mashtrim e gjitha. Nuk i kam marrë me vete sot por ti nis dhe nxirri nesër në kronikë të lajmeve. Ato janë komunikatat e policisë së shtetit për shkatërrimin, dhe jo për identifikimin e parcelave me kanabis. Dhe janë komunikata zyrtare. Eshtë një gënjeshtër tjetër dhe kjo është në vazhdën e asaj që po them. Pse e relativizojnë, pse e zvogëlojnë dhe a ka shqiptar që nuk e di sot se sa i madh është problemi i drogës, që e gjithë Shqipëria është e mbjellë me drogë. Që me qindra e me mijëra të rinj, aktivitet kryesor kanë drogën që po zhvendos të gjitha burimet njerëzore dhe natyrore drejt drogës. A e di se çfarë po ndodh?!

Sasi të mëdha toke po kultivohen vetëm në drogë. Uji, plehrat kimike, burime njerëzore. E dini që fëmijë që nuk shkojnë më në shkollë por shkojnë e kultivojnë drogë dhe merren me prerjen e boçeve. Gra që i kanë hequr nga rrobaqepësitë, dhe ju e keni raportuar, i kanë hequr nga rrobaqepsitë dhe po orintohen nga droga. Eshtë ligj ekonomik. Ai që është i pamundur dhe për bukën e gojës, kur e sheh që me këtë mund të sigurojë diçka, mbyll gjithçka tjetër. Nuk kultivon më domate, patate, kastraveca. Nuk mban me bagëti. Shkoni e shikoni fshatrat e Tepelenës, Kurveleshit. Nuk ka më stane. Ato janë kthyer në magazine droge.

Problem është që e gjitha kjo po kthehet në strukturë të re ekonomike shqiptare. Nëse ke 12 miliardë euro drogë vetëm me këto që kanë kapur italianët deri tani, në këto momente droga e mbjellur është më e madhe se Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit. Sasia e drogës e çuar në Itali sipas prokurorisë Italiane është e barabartë me gjithë prodhimin e brendshëm bruto të Shqipërisë. Të ndalemi të gjithë së bashku për të kuptuar se çfarë është kjo.

 

Balla: Ti mbajmë premtimin që i bëmë Shqipërisë. Çfarë do të bëni ju ditën e parë që do të jeni në qeveri, për ta eleminuar këtë problem?

 

Basha: Eshtë fare e thjeshtë dhe më vjen mirë që lejon ta përsëris këtu. Do të largoj kriminelët nga politika. Aty është origjina e gjithçkaje. Me të gjitha format e mënyrat, i armatosur me forcën e ligjit që vetë propozova, por që sot nuk duan ta zbatojnë.

 

Balla: Më thoni një emër që keni çuar në prokurori.

 

Basha: I kemi çuar të gjitha denoncimet. Absolutisht në Prokurori, në KQZ e kudo tjetër. Jeni i painformuar ose i keqinformuar. E kemi bërë publike ne. Për të gjitha, për parlamentin, për bashkitë, për të gjitha. Këta do të largohen ditën e parë me ceremoni nga i pari tek i fundit. Unë nuk do të kem ministër të brendshëm një njeri të përfolur me krimin, një njeri që nuk e di se çfarë ka bërë me makinën e tij personale ku gënjeu 3 herë para shqiptarëve. Do të kem një njeri me integritet, me vullnet të çeliktë për ti shërbyer të mirës së përgjithshme dhe jo të mirë së habilajve apo balilëve, rozë apo blu qofshin.

Rama i solli për të marrë pushtetin dhe sot ata diktojnë përmes Edi Ramës gjithçka, tenderat, punët publike, emërimet dhe natyrisht kanabizimin e Shqipërisë si një problem i madh për fëmijët e shqiptarëve. Së dyti, do të çliroj ekonominë se shqiptarët duhet të kenë një alternativë për të fituar bukën e gojës dhe unë sot e di që ata që marrin 20 mijë apo 30 mijë lekëshin dhe thonë që ne me këtë hamë, çfarë do të bëjmë?!

Kam alternativë për ta, kam alternativën e zhvillimit. Ata jetojnë me atë sepse qindra milionë eurot e subvencioneve që u premtuan nuk shkuan kurrë aty sepse vidhen e shpërdorohen. Shkojnë për investime luksi, fasada, për gjëra që nuk kanë vlerë për qytetarët. Kam alternativë zhvillimi për Shqipërinë duke e çliruar ekonominë, sepse ajo sot mbahet peng nga një grusht qeveritarësh dhe një grusht oligarkësh.Po çfarë janë këta oligarkët që njerëzit e kanë dëgjuar si fjalë. Janë njerëz që kontrollojnë ekonominë që ka përfunuar në tregti dhe shërbime që i shërbejnë tregtisë, se nuk prodhojmë më. Tani prodhojmë drogë por asgjë tjetër nuk prodhohet. Pse nuk prodhohet?!

 

Balla: FMN thotë ndryshe.

 

Basha: FMN i referohet TAP-it dhe Devollit. Dy investime të mëdha të nisura në kohën tonë por që kanë një impakt të kufizuar për punësimin dhe mirëqënien. Mos kujto ti që shumica e shqiptarëve po ha me këto investime. Janë volume të mëdha financiare por nuk kanë impakt tek punësimi. Sot shqiptarët po largohen nga Shqipëria dhe duan të ikin nga sytë këmbët. E kemi diskutuar bashkë, brenda dhe jashtë kamerave këtë. Kjo është e zeza më e madhe e Shqipërisë sot. Cila është e keqja më e madhe e Shqipërisë?! Shqipëria po zbrazet, po ikin më të mirët, mjekët, inxhinierët, llogaritarët, avokatët, biznesmenët. Edhe ata që spo ikin duan të ikin, sepse Shqipëria nuk po ofron mundësi për ëndrrat e tyre, sepse po shpërblen injorantin, të paaftin, hajdutin, servilin, hipokritin, kriminelin. Këta po ecin përpara. Ne këtë duhet të ndryshojmë në politikë. Ky është misioni im, kjo është rruga dhe rrugëtimi në të cilin ftoj të gjithë shqiptarët. Çlirimi i ekonomisë do të thotë çmontim i këtyre monopoleve. Të marrë frymë ekonomia. Dikush që do të ndërtojë një biznes ta ndërtojë dhe të ecë dhe jo të ketë frikë se monopoli do ti marrë shpirtin duke i çuar tatimorin e korruptuar.

 

Balla: Doing Bussines e nxorri mirë qeverinë…

 

Basha: Nuk është ashtu. Ka përkeqësim të vendeve por Shqipëria ka rënë shumë keq dhe ia kalon vetëm Kosovës në rajon. Dhe këto janë fakte. Ndryshe e shet qeveria dhe ndryshe e përjetojnë shqiptarët. Kjo është e vërteta. Pra të çlirojmë ekonominë për ti dhënë dhënë shqiptarëve këto burime të mëdha natyrore, ti shfrytëzojnë për vendin e tyre siç do ti shfrytëzonte një vend ku ata duan të ikin. Pse ikin në Gjermani, Angli, Amerikë, edhe në Alaskë, kur ne kemi një klimë kaq të bukur dhe resurse. Çfarë nuk ofrojmë ne?! Ne nuk ofrojmë që i zoti të shkojë përpara që puna e talenti dhe ndershmëria të shpërblehet.

 

Balla: Kanë humbur besimi tek politika në Tiranë z Basha, dhe kjo nuk u përjashton as juve.

 

Basha: Absolutisht që nuk më përjashton as mua, dhe as Partinë Demokratike nga përgjegjësia.

 

Balla: Më pranoni një gabimin tuaj personal?

Basha: Kam shumë. Por më lejo të mbaroj mendimin se nuk është puna këtu të kapesh me një apo me dy.

 

Balla: Por më thoni një gabim?

 

Basha: Gabimi kryesor, që ne rritëm hendekun me njerëzit në vend.Harruam që ishim aty për ti shërbyer njerëzve. Dhe ky është momenti kur partitë bien.

 

Balla: Po kujt i shërbyet atëhere?

 

Basha: Një pjesë filloi ti shërbejë vetes së vet.

 

Balla: Edhe oligarkëve.

 

Basha: Edhe oligarkëve pa dyshim. Një pjesë e tyre kanë përfituar në mënyrë të pandershme gjatë qeverisë tonë. Forca ime është që unë i pranoj këto dhe kam reflektuar për to dhe nuk kam kam ardhur të bëj policin por kam ardhur tu them shqiptarëve që kam reflektuar dhe vijoj të reflektoj. Dhe ju them sot që ajo që dua të nisim së bashku nuk është thjeshtë rruga për një rrotacion politik por të ndërtojmë një Shqipëri të mundësive për çdo shqiptar që të çajë përpara mes punës së tij, ndershmërisë dhe talentit.

 

Balla: Make Albania great again

 

Basha: Make Albania great again. Dhe kudo që shkojnë, në Amerikë, në Londër, etj shkëlqejnë sepse kanë kushtet për të ndjekur mirëqënien, lumturinë e tyre, përmes talentit, forcës së tyre, mendjes së tyre. Këtu nuk bën punë kjo. Si do ta bëjmë?! Do fillojmë të ndryshojmë në radhë të parë vetëveten, duke modernizuar Partinë Demokratike, duke e hapur, duke i dhënë mundësinë çdokujt që dëshiron të kontribuojë dhe të përfaqësojë, të jetë deputet, të jetë kryetar i PD-së, të më zëvëndësojë mua nëse është më i aftë se unë. Duke i dhënë rregullat, platformën e PD-së.

 

Balla: A keni deklaruar ju në një intervistë që me këto rregulla Sali Berisha do të jetë deputet gjithmonë në PD por këto rregullla nuk aplikohen për atë…

 

Basha: E ke gabim. E kam thënë që për mua në rastin e tij, nëse ai kërkon të jetë deputet, për mua do të ishte por nuk i marr vendimet unë, i marrin forumet e PD-së. Pra mos më keqcito. Eshtë një detaj por ajo që po të them unë është diçka tjetër.

 

Balla: Por duhet tu aplikohet të gjithëve njësoj.

 

Basha: Pikërisht dhe me këtë unë dua që ai që na dëgjon sot dhe që ndan vizionin tonë, vizioni tim për një Shqipëri ku ecën përpara i zoti, i talentuari, i afti, i ndershmi, në punën e tij, ai që e ndan këtë platformën tonë dhe që është gati të japë platfromën e vet, të ketë mundësinë dhe të mos ketë gardhe për të dhënë kontributin, për të konkuruar dhe qënë përfaqësues dhe deputet i PD, por edhe për të konkuruar edhe si kryetar i PD.

Partitë janë kthyher në problem: vendimarrjen e kanë në dorë kryetarët, nuk ka qarkullim të elitave, nuk çajnë dot para të rinjtë, financimi vjen gjithmonë në mënyrë të dyshimtë, partitë janë kthyer në lavatriçe evazioniste. Partitë dhe mënyra se si është ndërtuar politika është sot pengesë për Shqipërinë që të ecë përpara.

 

Balla: Po ju si do ti bëni këto?

 

Basha: Unë kam filluar ta bëj këtë dhe kam vendosur votën në themel të vendimarrjeve kryesore për PD-në dhe po ndërtojmë mekanizma që edhe në zgjedhjet e ardhshme, që anëtarësia me propozimet e saj të ketë forcë vendimarrëse për përfaqësimin tonë. Dhe po ndërkojmë një koalicion të gjërë ku figurat më të përfaqësuara të shoqërisë ta gjejnë veten e tyre aty. Jo tek personi im dhe as tek sigla, por tek vlerat që bashkëndajmë për të nesërmen.

Unë jam i vendosur të eci në këtë rrugë. Të jesh i sigurt që Partia Demokratike do të jetë partia e parë e cila do të aplikojë parimin një anëtar për të zgjedhur deputetët e ardhshëm për në Kuvendin e Shqipërisë. Thelbi i rrugëdaljes është kufizimi i pushtetit tim si kryetar i Partisë Demokratike duke fuqizuar anëtarësinë, dukë fuqizuar qytetarët.

 

Balla: Ku bazoheni, kryetari i partisë nuk duhet të ketë më shumë se dy mandate, siç e bëjnë shumë parti europiane.

 

Basha: Jo dy mandate, por katër mandate nga dy vjet, do të jetë propozimi im. Do ja propozoj Këshillit Kombëtar, Kuvendit Kombëtar. Çdo dy vjet kryetari të jetë në test. Dhe do ta bëj të lehtë për ata që duan të konkurojnë, të shpalosin platformën e tyre, të konkurojnë me kryetarin. E shoh që ka një përkrahje të madhe, që njerëzit duan, kanë besim tek forca e votës dhe unë do ta udhëheq këtë proces.

Do ta udhëheq unë këtë lëvizje duke dorëzuar pushtetin e kryetarit të partisë sot, duke kufizuar pushtetin e kryeministrit nesër, duke ua kthyer pushtetin njerëzve, sepse pushteti është i tyre, nuk është i yni.

 

Balla: Si do t’ju besojnë ju z.Basha, kur ju ishit në pushtet, keni pasur poste të rëndësishme. Njerëzit ju dëgjojnë me vëmendje, po ka një pikë ku njerëzit janë shumë skeptikë. A duhet t’ju besojnë ju sërish?

 

Basha: Për dy arsye kërkoj të më besojnë. E para sepse unë pranoj në emrin tim dhe në emër të partisë time gabimet që kemi bërë dhe peshën tonë të fajit për këtu ku kemi ardhur. Vizioni që po shpalos sot këtu e që po shpalos kudo në Shqipëri dhe do kem mundësi që ta shpalos edhe përpara studentëve edhe para intelektualëve, edhe para fermerëve, edhe para të papunëve, edhe para biznesit; të arrijmë në një Shqipëri që ofron mundësi për të gjithë. Unë po them që kemi një problem të madh politik, kjo është arsyeja e parë përse duhet të më besojnë shqiptarët. Në këtë problem edhe unë kam pjesën time.

E dyta, ky problem nis të ndreqet vetem me kufizimin e pushtetit. Në rradhë të parë brenda partisë, në politikë, pastaj duke kufizuar pushtetin e kryeministrit, duke çmontuar monopolet, duke hapur konkurencën e lirë, duke i hequr nga duart qeverisë mundësinë të kontrollojë se kush do të jetë i pasur dhe kush jo, se sot e përcakton qeveria Sokol, e di ti. Mund të jesh i aftë, mund të jesh i talentuar, mund të kesh ide të mëdha. Zuckerberg ishte konviktor kur shkaterroi perandorinë Ruppert Murdock që ishte i plotfuqishëm.


17 nëntor 2016