Drejtues i seancës,

Kolegë deputetë,

Kjo seancë duhet të zhvendosej në zonat e fatkeqësive natyrore, sepse janë braktisur nga qeveria. Rama shëtit në Beograd, ministrat në blloqe dhe brryla kapen nga paparazzë dhe njerëzit në nevojë nuk ndihmohen për bindje politike.

“Mbrëmë vonë mora këtë mesazh në Face Book nga një banor i Milotit:

“Znj Albana. Prej dy ditësh shtatë familje në qytetin e Milotit janë përmbytur nga shirat. Asnjë nuk përgjigjet për ta, as Bashkia as komuna, vetëm e vetëm sepse jemi të djathtë. Çdo gjë ka marrë fund në qytetin tonë, rrugët janë prishur e çdo gjë tjetër.”

Mesazhi i familjeve të braktisura në Milot dhe bilanci tragjik i përmbytjeve të ditëve të fundit, me humbjen një jete. 48 vjeçari i ndjerë përpiqej të shpëtonte biznesin nga përmbytja, por nuk ia doli. Duke i shprehur ngushëllimet e sinqerta familjarëve, i bëj thirrje qeverisë se propagandës të akordojë fondet dhe të veshë çizmet pasi në Kurbin, Milot, Rrëshen mbi 160 banesa ndodhen nën ujë dhe 2000 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur. Ndërsa në Dibër janë dëmtuar dhjetëra banesa dhe janë bllokuar disa akse rrugore.

Kryeministri zgjodhi të mos bëjë pis këpucët por të organizojë një nga ato takimet alla Çavez me fermerët në Manzë të Durrësit, ku nuk ja kurseu fyerjet një qytetari që kërkoi të fliste. Këtë herë nuk i kujtoi gruan, por rakinë… Fyes në absurditet, nuk guxon, denjon, nuk ka dëshirë, nuk i intereson të dëgjojë dikë që mbart halle pa fund në kurriz të tij, që nuk ka me ç’të ushqejë fëmijët, që nuk paguan dot dritat… Kjo, jashtë skenarit të parapërgatitur, i stonon ngjyrave të ndezura të propagandës së tij.

Të nesërmen Rama zgjodhi një takim me “Policinë që Duan”. Rastësishëm apo jo, si për ironi, zgjodhi sallën “Ngjallja e Krishtit” për të folur për atë që ai e quan “policia e gjeneratës së re” që të sjell ndër mend parrullat e Enver Hoxhës: “të krijojmë njeriun e ri!” Por edhe në këtë sallë, nuk foli për paqen, por i tregoi policisë që armiku i përbashkët nuk ishte as krimi, as bandat, as droga. Armiku ishte “opozita” e cila me median dhe prokurorinë qenkan bashkuar në atë që Ministri i Brendshëm e quan “fronti i së keqes” që baltos atë dhe policinë pa të drejtë, ndërkohë që lajmet për kultivim dhe sekuestim hashashi në Shqipëri, apo nga fqinjët i dëgjojmë disa herë në ditë…dhe kanë kapur (si asnjëherë më parë) të gjitha gazetat prestigjoze ndërkombëtare.

Pas deformimeve apo gabimeve trashanike në citimin e Kant, Kunderës, Shën Terezës, duke tallur policët, këtë herë citoi ish – Presidentin Regan.“Nuk ka qeveri të përsosur dhe çdo ditë e më shumë i besoj fjalës së Ronald Reagan që qeveria nuk është zgjidhja, por problemi. Një problem që shoqëria duhet të mësojë të bashkëjetojë se nuk ka zgjidhje tjetër”, tha Rama. E meqë nuk kanë zgjidhje tjetër, sipas Ramës, shqiptarët të mos presin asnjë zgjidhje për ta, por të ulin kokën e të presin ndihmë veç nga Zoti…

Të nderuar qytetarë,

Vendi po rrëshqet drejt një rendi destabilizues. Qeveria po vret çdo ditë, ka varfëruar gjysmën e popullësisë dhe po detyron profesionistët e të gjitha fushave të braktisin vendin nga pasiguria. Qeveria, administrata, ekonomia edhe vota janë kriminalizuar.

Edhe shpresa e fundit, media u shua nga kontrolli i papreçendentë i qeverisë dhe njerëzve të veshur me pushtet korruptiv.

Ngjarja kriminale në landfillin e Sharrës, çensurimi për herë të dytë nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës i investigimit televiziv është dëshmia tronditëse se Tirana drejtohet nga një diktator. Denoncimet e gazetarëve të guximshëm si Alida, stafit profesional të Publicus, Artanit, Endrit, Jetmirit dhe Elvit, të cilët e kapën në flagrancë Erion Veliajn teksa kishte firmosur kontratën e vdekjes dhe të shfrytëzimit të fëmijëve, grave dhe burrave në landfillin e Sharrës.

Ndërsa Kryeministri vazhdon të heshtë përpara kësaj çensure sepse landfillin e vdekjes dhe shfrytëzimit të njerëzve si skllevër e quan model për të ricikluar me urgjencë paratë që mafia pagoi për të firmosur fundin e Shqipërisë me miratimin e ligjit për importin e plehrave dhe mbetjeve të rrezikshme toksike.

Djaloshi kryebashkiak si duket me paratë e fiqve arriti të pushojë dy herë radhazi gazetarët nga puna dhe të censurojë median tradicionale,por fatmirësisht nuk mundi të kontrollojë lumin e shikuesve në rrjetet sociale që dëgjuan, panë dhe vërtetuan pse Erjon Veliaj nuk lejoi të zbardhej vrasja e fëmijës 17 vjeç, dhe nënës me 2 fëmijë.

Një shok fëmijërie që si duket e njeh më mirë se ne Erjonin,  i bënte një  thirrje ironike që të zinte shoqëri me  Zuckerbergun për të censuruar edhe Face Book-un.

Kolegë deputë,

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ish – ushtarak i lartë, eksperti i sigurisë dhe i shërbimeve inteligjente, analist i FOX NEËS, Bill Coëan, i bëri thirrje Kongresit Amerikan të nisë një hetim ndërkombëtar për përfshirjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë së Shqipërisë në trafikun e drogës, krimin e organizuar dhe në veprimtaritë terroriste. Ai theksoi se një hetim i tillë mund të ketë sukses vetëm nën udhëheqjen e fortë të SHBA-së. Ai ngre shqetësimin se konvertimi i Shqipërisë në një strehë të drogës në Ballkan ka fluturuar nën radarët  e politikës dhe se ka nevojë për vemendje të menjëhershme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse nuk mund të injorohet një krizë që po destabilizon një anëtar të Aleancës.

“Shqipëria është kthyer në një version ballkanik të Meksikës dhe Kolumbisë” shkruan Bill Coëan.

Edi Rama ja doli!!! Me pak mund arriti ta nxjerrë Shqipërinë në titujt kryesore të  mediave prestigjoze ndërkombëtare, por jo për atë që ajo ofron për të huajt…por për drogën dhe krimin e lidhur me Qeverinë.

Në Kongresin e Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane që u mbajt ne Sofie të Bullgarisë, kërkova ndërhyrjen e Brukselit për të ndalur qeverinë në politikat e saj cnjerëzore për të përdorur të rinjtë dhe gratë për aktivitete të paligjshme, duke i kthyer në punëtorë me mëditje  në parcelat e drogës; për të mos lejuar që Shqipëria të kthehet në një “Kolumbi” në Ballkan për shkak të lidhjeve të qeverisë me prodhuesit dhe trafikantët e drogës; për të mos lejuar pushtimin e Shqipërisë nga trafikantët e drogës dhe mafia e plehrave. Kërkova ndihmën e Europarlamentareve dhe politikaneve të larta të vendeve anëtare apo aderuese në BE për të lobuar me kancelaritë perëndimore për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo situatë kritike që rrezikon edhe procesin e integrimit në BE.

Përfaqësuesi i Qeverisë Austriake deklaroi që 60 mijë shqiptarë ishin larguar vitn e fundit në BE dhe më sh se 20 mijë ishin fëmijë…Reintegrimi në kushtet e kësaj qeveria antisociale bëhet edhe më i vështirë duke mos lënë hapësira për familjet, gratë e fëmijët përvec se të punojnë mbase në landfille (si ai I Sharrës) apo fusha kanabisi…

Është shqetësuese që numri i vrasjeve për shkak të konflikteve për parcelat e drogës, si dhe përdorimi nga ana e fëmijëve e të rinjve është rritur ndjeshëm (pavarësisht se policia në disa raste mundohet ti fshehë). Trafikantët po shfrytëzojnë të rinjtë dhe familjet e varfra për të mbjellë kanabis duke sjellë edhe rënien e sektorëve të tjerë prodhues të ekonomisë (bujqësia, fasonët etj). Edhe në mediat më prestigjioze po shkruhet se qeveria e Tiranës po e përdor drogën për të mbajtur pushtetin.

Ndërsa në një denoncim të oreve të fundit flitet se një lloj i rrezikshëm përzierje droge me lëndë kimike ka hyre në Shqipëri dhe po konsumohet në lokalet e natës në Tiranë . Denoncuesit flasin për një substancë narkotike që shkakton vdekjen e shpejtë në 24 muaj.

Në kohën kur statistikat e BB, INSTAT apo institucioneve të tjera ndërkombëtare bërtasin për nivel të lartë varfërie, papunësie, në një kohë kur për 3 vjet rradhazi pagat dhe pensionet reale janë ulur ndjeshëm…sot si për ironi, na sillni këtë projekt-ligji për pensionet suplemenetare të disa nënpunësve të agjencisë së inteligjencës, agjenci tejet e rëndësishme për sigurinë kombëtare, por e shndërruar tani në një shërbim politik, si mjet presioni në Forcat e Armatosura dhe në Ministrinë e mbrojtjes. Shërbimi inteligjent I mbrojtjes, ku së fundmi kanë gjetur fole dhe janë promovuar ish sigurimsat e shtetit, e ka humbur pavarësinë politike dhe parimin “check and balance” ne raport me autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik në RSH. Misioni dhe detyrat janë kompromentuar nga politika dhe paaftësia profesionale të cilën e dëshmon edhe buxheti I shpenzuar për operacione Brenda dhe jashtë vendit (5-7%) nga 90-95% që ishte në qeverinë pararendëse për operacone në interest të sigurisë kombëtare. Pra, ky shërbim ose duhet reformuar totalisht ose duhet shkrirë e përgjegjësitë e detyrat e tij të kalojnë në struktura të tjera të sigurisë kombëtare.

Qeveria nuk dëgjon kërkesat e pensionistëve, të PAK, të grave e fëmijëve…por… nuk harron të shpërblejë spiunët që i zbardhin listat në demokratë apo socialistë…

Por nuk është koha të ndalemi as në foltore dhe as në deklarata, është koha të bashkohemi në koalicionin e vlerave kundër “Aleancës së Krimit”.

Opozita e ka nisur marshimin e saj: Qytetarët vendosin për Shqipërinë!

Edi Rama është rrëzuar në pistat e krimit dhe drogës, nuk meriton asnjë sekond t’ ju qeveris…


 

Fjala në Kuvend e deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi, 13 tetor 2016