Edi Rama ka hapur zyrtarisht rrugën për të përmbyllur aferën e tij Skavica me firmën turke Suzer.

Njoftohet se tenderi do të bëhet me 11 korrik, një garë sa për formalitet, pasi fituesi është i paracakuar, është Suzeri, kompani që zyrtarisht ka marrë ndërkohë 8 pikë bonus nga Rama pasi ka bërë propozimin e pakërkuar.

E vërteta është se kemi të bëjmë me një pakt të kërkuar me kohë, me negociata të paligjshme e private, fillimisht të Edi Ramës, pastaj të Arben Ahmetajt i cili ka ndërmarrë dhjetëra udhëtime luksoze me çarter.

Kur ne e denoncuam këtë pazar të Edi Ramës me pasurinë publike me firmën Suzer, një vit më parë, qeveria e mohoi.

Më pas negociatori i paligjshëm me çarter Ben Ahmetaj e pranoi live në emisionin Zonë e Lirë. Dhe sot, Suzer rezulton edhe me dokument qeveritar si favorit, pasi ka marrë 8 pikë bonus për një propozim të pakërkuar.

Edi Rama po ndan kështu me klientin e tij, një prej projekteve më të mëdha hidroenergjitike në vend e në rajon, një allishverish që ka nisur me negociata të paligjshme e private në Stamboll, e që pritet të mbyllet me 11 korrik në Tiranë.

Suzer dhe çdo kompani tjetër janë të paralajmëruar edhe sot me datë 24 maj 2016 nga Partia Demokratike e Shqipërisë se: koncesioni korruptiv i Skavicës do të zhbëhet. Se një hetim i plotë dhe i gjithanshëm i kësaj afere përfshirë takimet, udhëtimet dhe allishverishin korruptiv Rama-Ahmetaj-Suzer, do të bëhet, në mos sot, nesër.

Partia Demokratike do ta zhbëjë këtë koncesion me forcën e ligjit, si cdo koncesion e aferë  tjetër korruptive të Edi Ramës.


Deklaratë e Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, 24 maj 2016