Qytetarët e Fierit kanë denoncuar uljen dhe ngritjen e avionëve të vegjël në Plazhin e Semanit dhe ndërkohë që kjo ndodhte, policia me forca të armatosura kishte bllokuar rrugët për të mbajtur larg dëshmitarët.

Denoncimi është bërë me foto dhe të gjitha dëshmitë janë, se kemi të bëjmë me avionë tipikë të transportit të drogës.

Edhe më të besueshme e ka bërë këtë ngjarje policia, e cila paska reaguar e paska thënë se trupat e armatosura gjenden aty për të mbrojtur pyjet.

E vërteta është se policia gjendet aty me urdhër të Saimir Tahirit për të mbrojtur trafikun e drogës.

Shefat e policisë aty, janë në shërbim të habilajve dhe kanë hisen e tyre në këtë biznes kriminal.

Fieri, ashtu si gjithë Shqipëria është mbuluar nga droga dhe avionët e vegjël që vijnë e ngarkohen janë pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Eshtë kjo arsyeja, pse Edi Rama prej 34 ditësh nuk përgjigjet pas letrës zyrtare që unë i kam dërguar në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare.

I kam kërkuar që të fotografojë urgjentisht gjithë territorin, përmes avionëve italianë, sipas marrëveshjes mes dy vendeve, dhe të bëjë publike rezultatet e këtij monitorimi.

Siç e shihni, avionët e monitorimit nuk vijnë, por vejnë e vinë avionët e trafikut të drogës. Nuk përgjigjet Rama, dhe sigurisht nuk ka ndërmend ta fotografojë territorin, pasi e di mirë se çdo kodër e çdo pëllëmbë e vendit është mbjellë me kanabis.

E di mirë dhe se kush e ka mbjellë, kush e kontrollon dhe ku ndahen përfitimet.

Prandaj Shqipëria është në vendin e parë të prodhimit dhe trafikimit të drogës në raportin e Bashkimit Europian, prandaj nervozohet Rama kur gazetarja e euronews e pyet për trafikun e drogës e për trafikantët.

Mbulimi i vendit me kanabis, bandat, trupat e armatosura në ara që ruajnë, avionët transportues, shefat e policisë që japin garanci e siguri, janë e gjitha pjesë e biznesit qeveritar të drogës.

Një biznes që sjell fitime marramendësi për Ramën, Tahirin e bandat e tyre, por që rrënon vendin.

Droga duhet shkulur, por duhen shkulur së pari rrënjët e saj në qeveri.


Deklaratë e nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Flamur Noka, 23 maj 2016