Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti në një takim eurodeputeten Tanja Fajon. Gjatë vitit 2010, kohë kur Shqipëria përfitoi nga procesi i liberalizimit të vizave, Tanja Fajon ka mbajtur detyrën e Raportueses për Shqipërinë. Zonja Fajon ka qenë dëshmitare e progresit të bërë nga Shqipëria gjatë asaj kohe, progres që mundësoi dhe heqjen e vizave.

Zoti Basha ka theksuar në takimin me zonjën Fajon se Shqipëria ka bërë hapa prapa përsa i përket zbatimit të ligjit, demokracisë, standardit të zgjedhjeve dhe situatës ekonomike.

Persona më të shkuar kriminale, si trafikant droge, qeniesh njerëzore etj, janë zgjedhur deputet, kryetarë bashkish, në poste të larta të administratës dhe Policisë së Shtetit.  Për këtë, tha zoti Basha pas një vit diskutimesh e negociatash u miratua ligji për dekriminalizimit ndërsa nënvizoi se pa zbatimin jo vetëm në germë por në shpirt të këtij ligji, demokracia shqiptare është e rrezikuar e bashkë me të edhe stabiliteti i Shqipërisë.

Zgjedhjet e vitit 2015 u faktuan nga raporti I OSBE/ODIHR-it si jo të lira dhe të ndershme, u provua blerja e votave dhe intimidimi i votuesve. Kjo është konstatuar edhe nga përfaqësues të trupit diplomatik në qendra të ndryshme të votimit.

Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, tha zoti Basha janë jetike për Shqipërinë dhe për këtë  kërkoi  dhe ndihmën e eurodeputetes Fajon e cila ofroi mbështetjen e plotë duke i konsideruar zgjedhjet e lira të rëndësishme, pikë kyçe për një shtet demokratik.

Qeveria në mënyrë arrogante, tha zoti Basha ka zhbërë ligjet konsensuale, refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ushtron presion ndaj institucioneve të pavarura, medias etj, si dhe dhunon në mënyrë sistematike të drejtat e qytetarëve.

Implementimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në asnjë vend demokratik nuk negociohet por zbatohet theksoi Kryetari i Partisë Demokratike e kjo nuk mund të vihet në diskutim as në Shqipëri. Zoti Basha  tha se Partia Demokratike nuk tërhiqet dhe se pa zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ketë asnjë premisë për dialog të mirëfilltë politik.

Partia Demokratike, tha zoti Basha qëndron fort për vlerat dhe  parimet demokratike, Kushtetutën, zgjedhje të lira dhe të ndershme, drejtësinë e pavarur dhe të pakapur që lufton dhe nuk mbron korrupsionin dhe krimin me lidhje qeveritare.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 8 Prill 2016