Deputetja Deda merr pjesë në takimin për gratë refugjate, zhvilluar në Bruksel. 

Deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda mori pjesë në takimin me europarlamentare “Gratë refugjate dhe azilkërkuese në BE”, zhvilluar në Bruksel. Deputetja Deda u shpreh se: “2015 ishte viti i trishtë i  Azilit, për Shqipërinë, e dyta pas Sirisë në luftë, duke eksportuar afro 100 mijë azilkërkues në të gjithë Evropën, më së shumti në Gjermani”.

Deda analizoi burimin e kësaj dyndje masive të shqiptarëve.

“Shkaktarë për këtë eksod kombëtar, që vazhdon, është keqqeverisja dhe kryeministri që kanë zhytur vendin në krizë të gjithanshme dhe në mungesë shprese. Shteti dhe parlamenti mbahen peng nga njerëz të lidhur me krimin që nuk përfaqësojnë interesat e shqiptarëve. Papunësia e lartë, taksat dhe çmimet e dhjetëfishuara, kanë bërë që shqiptarët dhe veçanërisht gratë, nënat dhe vajza të reja, afro gjysma e azilkërkuesve, të gjejnë mundësi jetese në Evropë. Kanë ikur gratë dhe nënat, pasi ato vuajnë pamundësitë për të mbajtur familjen, vuajnë mungesën e shanseve për arsimim dhe shërbim shëndetësor dhe mungesën e të ardhurave për të rritur fëmijët. Fatet e familjes në krizë ekonomike i përjetojnë më shumë nënat, të cilat kanë shkuar shpesh dhe drejt flijimit”- u shpreh zonja Deda.

I mbajtur në kuadrin e ditës ndërkombëtare të grave, takimi kishte si qëllim diskutimin e problematikave dhe qëndrimeve për gratë azilkëruese, që në të gjithë BE janë mbi 20% të të gjithë masës së refugjatëve. Me këtë rast çështjet e grave azikërkuese, do të jetë në rendin e punimeve, në seancën e PE, ditën e 8 Marsit.


Njoftim për media i Partisë Demokratike, 4 mars 2016