Partia Demokratike ka përkujtuar sot 25 vjetorin e grevës së studenteve e cila i parapriu rrëzimit të shtatores së diktatorit.  Pedagogë dhe studente kanë rrëfyer momentet e grevës së urise, arsyet që i shtynë për t’u futur në grevë, terrorin  që regjimi ka ushtruar ndaj tyre, guximin dhe vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund kauzës së tyre të drejtë për liri dhe demokraci për Shqiperinë si gjithë Europa.  Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se studentet grevistë janë shembulli më i mirë se si me zjarrin e idealit të lirisë sakrifikuan gjithçka dhe bënë të mundur përmes sakrificës dhe guximit të tyre mposhtjen e diktaturës më të egër në Europë.

“Partia Demokratike sot në opozitë, në kushtet e një injorimi të dhimbshëm dhe do të thoja në kufinjtë e kriminales që qeveria e sotme i bën përvjetorit të 25-të të grevës së urisë së studentëve dhe shembjes së diktaturës me shembjen e shtatores së diktatorit Hoxha në qendër të Tiranës, nuk do  ti kalojë në heshtje, duke nisur që sot e me aktivitetet që vazhdojnë me 19 dhe 20 Shkurt.

Dua ta nis me një mirënjohje të thellë për të gjithë ata studentë që u futën në grevën e urisë e që sot përcjellin tek rinia atë që për mua është vlera më e madhe e grevës së urisë;shembullin e të rinjve të cilët me zjarrin e idealit të lirisë sakrifikuan gjithçka dhe bënë të mundur përmes sakrificës dhe guximit të tyre mposhtjen e diktaturës më të egër në Europë.

Në procesin e kontaktimit të protagonistëve, një pjesë e madhe e të cilëve nuk ndodhen në Shqipëri, bashkëpunëtorët më informuan emocione prevaluese. Prekje deri në ngashërim e derdhje lotësh për evokimin që është bërë, për thirrjen në skenën e opinionit publik të këtyre heronjve gjigandë që në fakt pasi kryen detyrën e tyre karshi lirisë, demokracisë e kombit vazhduan me jetët e tyre normale. Në fakt prekja është dhe duhet të jetë e jona. Mirënjohja është dhe duhet të jetë përjetësisht e jona për veprën e tyre të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Le ta kuptojmë pra sa të mundemi e sa më mirë. Uroj që ky panel të bëjë një përpjekje për tu relatuar ju të rinjve domethënien e vërtetë të grevës së urisë dhe vlerën e madhe të guximit që sot përsëri pas 25 vitesh koha dhe sfidat e Shqipërisë europiane siç e duam ne po e thërrasin përsëri në skenë e unë jam i sigurtë që rinia shqiptare përsëri nuk do të zhgënjejë por do të ngrihet për lirinë dhe demokracinë”, tha Basha.

Ish kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka rrëfyer përjetimin e tij për grevën e studentët dhe si nisi greva e pas rrëzimin e shtatores së diktatorit.

“Dua të përulem me nderimin më të madh para atyre 720 studentëve që me 18 shkurt vendosën të vetflijohen për një kauz shumë të madhe dhe u lartësuan në trimërinë dhe guximin e heronjve të vërtetë. Greva e studentëve, ka historikun e vet, pa mëdyshje me një diversitet tregimesh që është normale, por cilat janë momentet. De-Enverizimi ishte problemi më madhor i Partisë Demokratike. Pa de-Enverizimin, Partia Demokratike ishte një fasadë-opozitë. Ju them ju një gjë, që mund t’ju duket çudi sot. Në shkurtin e viti ’91, i gjithëfuqishëm  dhe i gjithëkugjetshëm i këtij vendi ishte Enver Hoxha, nga qendra e Tiranës  në çdo skaj të territorit, por fatkeqësisht edhe në mentalitetin e shqiptarëve.  Në këtë kontekst, gumëzhinte sigurisht mjedisi universitar dhe intelektual për këtë problem, por nisma nuk kishte. Dhe nga mesi i muajit janar unë i them Azem Hajdarit se, ne po nuk ndërmorëm de-Enverizimin ne nuk kemi të ardhme si opozitë dhe çdo ditë dhe më shumë ne dukemi para botës dhe shqiptarëve si një fasadë -opozitë, pasi çdo mëngjes dhe çdo darkë që ne kalojmë përbri shtatores së diktatorit, ai tallet me ne. Siç ishte ai, u ngrit në këmbë  më përqafoi dhe më tha se: “unë për tre ditë të heq Dullën”. i them jo prit, në asnjë mënyrë  pasi ata e vendosin përsëri dhe e vendosin dhe me vaj pastaj.  Ky ishte aksioni më i vështirë”, tha Berisha.

720 studentë të regjistruar por dëshmitë e tyre flasin për një numër edhe më të madh studentësh grevistë të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit duke sfiduar frikën dhe terrorin.

“Të ishe nga Kavaja dhe student nënkuptoje në mënyrë të menjëhershme pjesëmarrjen në grevën e urisë. Qyteti i Kavajës ishte ndër qytetet e para që theu frikën kundër atij regjimi diktatorial dhe me thënë të drejtën edhe në Qytet Studenti frika ishte thyer që më përpara, që një natë dhjetori kur ky burri pranë meje ( Sali Berisha) erdhi tek godina nr 4 dhe me thënë të drejtën që aty u kuptua qartë që ishte diçka që nuk do kishte kthim prapa. Regjimi kishte marrë të tatëpjetën dhe ne duhet ti bënim ceremoninë siç e meritonte. Edhe njëherë dua ti rikthem antikomunizmit të qytetit nga unë vij, Kavaja, sepse në këto 25 vite kanë ndodhur edhe gjëra të pakëndshme dhe unë i ftoj bashkëqytetarët e mi ti rikthen atij antikomunizmi dhe atyre virtyteve të cilët ata besuan 25 vite më pare”, tha Parid Teferiçi.

“Kam qënë 18 vjeç ditën që jam futur në grevën e urisë. Do të doja në radhe të parë të bëja një homazh për të gjitha femrat që morën pjesë në grevë për arsye se nuk ishin të shumta në numër. Homazhin e dytë doja ta bëja për ata 18 vjeçarë që u larguan pa leje nga shtëpitë për t’ju bashkuar grevës. Dhe mesazhi im i tretë. Është e vërtetë që ajo ishte grevë e studentëve por ajo grevë nuk do të kishte kuptim pa krijimin e Partisë Demokratike 2 muaj më parë. Ashtu siç nuk ka kuptim sot çfarëdo lloj greve apo proteste që në bëjmë nëse në dallë të saj nuk do të jetë Partia Demokratike”, tha Edith Harxhi.

Sot 25 vjet më pas, studentët grevistë kanë një mesazh për të gjithe ish studentët dhe studentet e sotëm, se janë gati të futen sërish në grevën e urisë për të ndalur të keqen që ka mbërthyer vendin.

“Unë u bëj thirrje të gjithë prap se nuk jemi të vjetër. Unë jam 48 vjeç. Jam gati të futem prap në grevë sepse shkurti sivjet është i errët dhe i zymtë sa shkurti i 1991. Shkurti i 1991 çoi të gjithë Tiranën e gjithë Shqipërinë në këmbë dhe ngjalli shpresë. Shkurti këtë vit është më keq se shkurti i 1991. Kemi më shumë bukë, banesa më të mira, kemi kushte më të mira por nuk ka pasur shkurt më të keq. Dhe shkurt po them që tua shkurtojmë këtyre”, tha Ajet Ramçaj.

“Nuk është kosto e madhe që të veprosh që të reagosh dhe që të kërkosh ndryshimin thjeshtë bëhet, siç e kanë bërë studentët”, tha Mark Marku.

Por  studentët grevistë të Kavajës dhe Shkodrës hapën dhe sfidën se cilat ishin qytetet më antikomuniste. Askusht prej tyre nuk dëshironte të mos i përgjigjej kësaj sfide të heshtur edhe në kushtet kur sot simbolet e diktaturës po rikthehen frikshëm mes nesh.

“Unë jam nga Berati dhe pavaresisht se Berati tregohej si zona e vullnetarëve të Enverit në fakt ishin të shumtëë  studentët që ikën pa leje nga shtëpia, duke thënë se kishin provim për t’u futur në grevën e urisë. Sepse Berati i prin qytetarisë dhe kërkon dhe mbështetet fuqishëm në vlerat e lirisë dhe demokracisë”, tha Dritan Haznedari.

“Vlora nuk është më pak antikomuniste se Kavaja dhe këtë e treguar dhe do ta tregojmë gjithmonë”, tha Ermal Arapi një ish student nga Vlora, pjesëmarrës në grevën e urisë 25 vite më parë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 17 Shkurt 2017