Arben Ahmetaj pranoi dje se ka bërë dhjetra fluturime çarter, avionë të vënë ekskluzivisht në dispozicion për të.

Ja ku i keni të dhënat në ekran. Fotokopja e pasaportës, numrat e tij personal dhe numri i udhëtimeve me çarter.

Kështu, rasti i Arben Ahmetajt është një rast i paprecedent ku një ministër shqiptar bën udhëtime të tilla të dyshimta, në fshehtësi, me luks marramendës.

Ky abuzim i Ahmetajt është unik, i pahasur më parë as për krerët e shtetit dhe jo më për ministra.

Një fluturim çarter kushton të paktën 40 mijë euro, dhe me shëtitjet e tij prej sheiku, Ahmetaj ka shpenzuar qindra mijë euro.

Ky është një rast flagrant abuzimi dhe korrupsioni, dhe Arben Ahmetaj e ka për detyrë të tregojë ku ka shkuar, për çfarë, dhe kush ia ka paguar udhëtimet.

Cili koncesion është dhënë, ose cila pasuri e vendit është falur pas këtyre fluturimeve çarter të Ahmetajt.

A kanë lidhje këto çartera me landfillin e Elbasanit, me aferën Skavica apo me koncesionin e TVSH-së?

Ky eshte model dhe korrupsion i përmasave të republikave të dështuara afrikane.

Arben Ahmetaj i zhytur në disa skandale përpara fluturimeve me çarter, duhet të hetohet e të shkojë para drejtësisë, dhe nuk duhet lejuar që të marrë një detyrë të re të rëndësishme si ajo e Ministrit të Financave.

Asnjë qytetar i vendit nuk mund të pranojë të ketë Ministër të Financave një hajdut të këtyre përmasave, prandaj kërkohet që më pare ai duhet të japë llogari për pazaret e tij.

Emërimi i tij si Ministër i Financave është një sulm, një ofensivë e re, më e babëzitura që Edi Rama ka shpallur ndaj financave publike për t’i zhvatur me një dorë akoma më të rëndë se ajo e Canit.

Emërimi i Arben Ahmetajt është reduktimi brutal, pa doreza, i qeverisjes në një punë të vetme: të bëjnë para.

Emërimi i Arben Ahmetajt është lufta e re, më e zeza, që Edi Rama u shpall zgjedhjeve të lira, sepse kërkon t’i vendosë që tani në rrethimin e parave të pista.

Emërimi i Arben Ahmetajt është lufta e re që Edi Rama i shpall opozitës, Partisë Demokratike dhe gjithë shqiptarëve.


Deklarata për mediat e deputetit Sherefedin Shehu, 19 Shkurt 2016