Edi Rama e ndoti edhe më shumë sot opinionin publik me një lum mashtrimesh, kur u shfaq në mes të dy simboleve; simbolit të korrupsionit, Ilir Beqa, dhe simbolit të krimit, Saimir Tahiri.
Me regji qendrore vazhdon të marrë orë të tëra në ekrane me një përrallë që e jeton vetëm ai dhe 40 hajdutët e tij.
Çdo shqiptar e di sot, se ai është kryeministri më i korruptuar në ballkan me qeverinë më të korruptuar në ballkan.
Çdo shqiptar e di se kjo është qeveria e beqës së 28 tenderave që ka marrë për veten e tij me 11 milionë euro, e beqës së qindra milionë eurove me koncesionet në shëndetësi për miqtë e kryeministrit.
Çdo shqiptar e di që kjo është qeveria e Tahirit, i rrehuar nga çdo anë me lidhjet me bandat e trafikantët, i kapur, i provuar me fakte e dëshmi, si shërbëtor i mafias, deri në djegien e provave në laboratorin kriminalistik për interesat e tyre.
Dhe sot Edi Rama na tregoi se këto simbole të korrupsionit e të krimit janë gjymtyrët e tij, janë thjesht dorasët e punëve të pisëta, pasi ai vetë qëndron në krye. Ai është kumbari.
Ndërkohë që jeton përrallën me 40 hajdutët e tij, nuk ka rritur me asnjë qindarkë shpërblimin për 600 mijë pensionistë.
Papunësia është shtuar me 3 përqind, pra ka shkuar në nivelin më të lartë në rajon me 17.3 përqind, ku vetëm rinia është 32 përqind e papunë sot.
Për dy vite e çoi në 73 përqind borxhin publik.
35 vende humbi Shqipëria në raportin më të rëndësishëm të Bankës Botërore.
Vetëm në 9 muajt e fundit janë vjedhur 231 milione dollarë në dogana e tatime.
Këto janë dy vitet me Ramën, një gërshetim i hajdutërisë me krimin. Një shtet ky i korruptuar e kriminal, që i ka zënë frymën vendit, të cilin duhet dhe do ta pastrojmë bashkë me qytetarët.


Deklarata për mediat e deputetit Luciano Boçi, 11 Nentor 2015