Pyetje: Z.Basha ishte një takim i gjatë 60 minuta me ambasadorin amerikan Lu, një çështje që është tjetër e nxehtë është edhe çështja “CEZ”, që po diskutohet aktualisht në Komisioni e Ligjeve, ka një qëndrim për këtë?

Basha: Gjendja në vend është shumë e rëndë dhe arsyet e kësaj krize ekonomike, politike dhe psikologjike që po kalojnë shqiptarët, rrënjët e të keqes janë inkriminimi i politikës, korrupsioni i pandëshkuar i zyrtarëve të lartë dhe aftësia jo e më të mirëve dhe më të aftëve për të përparuar në ekonomi, në biznes, në shkollë dhe në politikë, por aftësia e krimit për t’iu imponuar në vendimmarrje në çdo fushë të jetës.

Ndaj Partia Demokratike dhe unë personalisht qëndrojmë të vendosur për të çuar deri në fund aksionin tonë politik, për dekriminalizimin e politikës, të vendimmarrjes për vënien para drejtësisë të ministrave të korruptuar, të deputetëve të korruptuar, zyrtarëve të lartë të korruptuar, si një parakusht për të kthyer besimin te drejtësia shqiptare, si parakusht për të përgatitur zgjedhja të vërteta demokratike,  zgjedhja të lira dhe të ndershme ku qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin midis fitores, ofertave dhe programeve politike dhe jo nga njëra anë e një oferte politike dhe programe politike, siç është ajo e PD-së që po shpaloset ditë për ditë me qytetarët shqiptarë për uljen e taksave, për luftën kundër korrupsionit, për kthimin në ekonomi të 500 milionë eurove. Dhe nga ana tjetër një shumicë e cila në mungesë të ofertës përpiqet të imponohet përmes muskulit kriminal dhe zyrtarëve të korruptuar. Lekët që marrin  nga tenderat publikë, nga koncesionet, nga pasuritë e shqiptarëve po përgatiten që të imponojnë në zgjedhjet e ardhshme  vullnetin e tyre dhe jo vullnetin e qytetarëve. Kjo është një gamë e madhe problematikash që unë e kam në qendër të vëmendjes time, jo vetëm me diskutimet me qytetarët por edhe në diskutimet me partnerët tanë ndërkombëtarë, nga të cilët kam gjetur dhe kam mbështetjen e jashtëzakonshme për axhendën dhe aksionin tonë politik.

Cili është ky aksion?

Së pari, përfundimi pa vonesë, pa kushte i ligjit për dekriminalizimin dhe akteve shoqëruese kushtetuese dhe nënligjore  për të nisur menjëherë implementimin e tij. Për të larguar një orë e më parë nga Parlamenti shqiptar, nga kryesimi i bashkive shqiptare dhe nga administrata publike shqiptare i personave me rekorde të tmerrshme kriminale i trafikantëve, kriminelëve, vrasësve, i njerëzve të krimit të organizuar.

Së dyti, një luftë frontale kundër korrupsionit. Korrupsioni, vjedhja e parave të shqiptarëve nga qeveritarët, nga zyrtarët e lartë është sot një plagë e paprecedentë në Ballkan. Po në Shqipëri jo vetëm që vidhet, vidhet haptazi por hajdutët rrahin gjoksin. Nuk ka kryeministër në Ballkan apo në Europë që pasi të jetë denoncuar se po përgatitet të japë 5 milionë dollarë nga kompania e OSHE-së  ndërtuesit të vilës së tij, jo vetëm të mos të sprapset nga ky akt, por edhe të rrahë gjoksin për këtë vjedhje të pashembullt që po i bënë parave të shqiptarëve.

Nuk ka kryeministër në Europë si kryeministri shqiptar i cili pasi konfrontohet nga të dhëna të pakundërshtueshme të hajdutërisë së ministrave të tij. Të Beqës llogaria e të cilit ka shkuar 31 milionë euro tendera. Të Arben Ahmetaj që ka duart dhe gishtat e tij në çdo aferë korruptive në vend. Të Mimi Kodhelit, të Damian Gjiknurit, apo të ministrit të Brendshëm që është bërë palë me krimin në vend që të luftojë krimin që të vazhdojë të ndihet krenar dhe të shprehet krenar para nj populli që varfërohet ditë për ditë.

Kjo është një situatë dramatike dhe nëse nuk ka refleksion, nëse nuk ka bashkëpunim për të ecur përpara me dekriminalzimin dhe me hapat që duhet të hedhim për zgjedhje të vërteta demokratike, zgjedhje të ndershme dhe të lira për shqiptarët atëherë nuk mbetet asgjë tjetër veçse ta përballim këtë qeveri me vullnetin e qytetarëve, me të gjitha format dhe mënyrat demokratike deri në largimin e saj.

Pyetje : Deri kur do të prisni për refleksion?

Basha: Siç ju thashë kemi mbështetjen e plotë të partnerëve tanë të cilët sigurisht na kanë garantuar, na garantojnë se do të bëjnë gjithçka për të mbështetur objektivat tona të drejta, objektiva që u shërbejnë shqiptarëve dhe Shqipërisë, dhe jo thjesht një partie politike dhe ne e vlerësojmë shumë këtë mbështetje. Por ashtu sikundër PD, unë, qytetarët shqiptarë e shohim që ora po troket po kështu edhe partnerët ndërkombëtarë po e shohin që ora e vendimmarrjeve të mëdha po vjen. Do ti marrim këto vendimmarrje bashkë me kundërshtarët tanë politik apo do ti marrim pa ta, kjo nuk është në dorën tonë është në dorën e kundërshtarëve tanë politikë. Sot ju bëj një thirrje të fundit, të reflektojnë pa vonesë për ligjin për dekriminalizimin, të reflektojnë pa vonesë për gjendjen e mjerë të ekonomisë shqiptare  si rezultat i korrupsionit dhe hajdutërisë ose përndryshe në ditët dhe javët në vazhdim do të përballen me një aksion masiv, popullor, të Partisë Demokratike.

Pyetje: Këto që na thatë neve, i keni diskutuar me ambasadorin amerikan?

Basha:  Siç ju thashë me partnerët tanë ndërkombëtarë problematikën e madhe me të cilën gjendet sot shqiptarët, varfërinë, depresionin, klimën e biznesit, mijëra vende pune të shkatërruara si rezultat i politikës së kërbaçit, i selektivitetit, i korrupsionit qeveritar, vrasjen e shpresës për qindra e mijëra të tjerë që kërkojnë  të largohen nga vendi, ose janë larguar tashmë duke kërkuar azil në vendet e  BE. Rrugët e zgjidhjes që kalojnë patjetër përmes dekriminalizimit të politikës si hapi i parë dhe më i rëndësishëm edhe për një vendimmarrje të drejtë, edhe për të siguruar lirinë e votës, edhe për një sërë masash të tjera për të luftuar korrupsionin galopant në Shqipërie, korrupsionin e ministrave, deputetëve dhe zyrtarëve të lartë.

Pyetje: Ku ka mbetur dekriminalizimi z.Basha?

Basha: Ka mbetur tek refuzimi i qeverisë kriminelët e futur në poste publike nga kryeministri Rama, tek dispozitat e këtij ligji pra për ti lënë ata të largohen nga sferat e vendimmarrjes publike, nga zyrat që kanë zaptuar në kundërshtim me parimet e ligjit që ne kemi tashmë gati.

Pyetje: A do të tërhiqet PD nga testi i drogës?

Basha: Testin e drogës PD nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë tërheqje por kjo nuk e pengon aspak ligjin që të shkojë në Parlament dhe të votohet me gjithë dispozitat e tjera të rëna tashmë dakord.

Pyetje:  Sot për pak minuta ju thatë dy herë që duhet të marrim masa për të luftuar dhe çuar përpara drejtësisë ministrat e korruptuar. Se keni thënë ndonjëherë tjetër, ka ndonjë nisëm për këtë, çfarë do të ndodhë?

Basha: Ne për më shumë se një muaj kemi denoncuar aferat korruptive të ministrave qeverisë Rama, të vetë kryeministrit dhe padyshim efekti dhe qëllimi i këtyre denoncimeve nuk ka qenë thjesht të bëjmë transparencën para qytetarëve, por edhe të vëmë në lëvizje mekanizmat për ti përballur këta ministra të korruptuar, njerëzit që janë përgjegjës sot bashkë me kryeministrin për vjedhjen e 1 milionë dollarëve në ditë vetëm nga doganat dhe tatimet, për 777 milionë  dollarëve të tjerë nga tenderët dhe prokurimet, për ti vënë ata para drejtësisë. Koha kur nga njëra anë shumica dërrmuese e qytetarëve luftojnë për bukën e gojës dhe në fund  të ditës mezi ja dalin, dhe nga ana tjetër qeveritarët e këtij vendi jetojnë në luks të shfrenuar, me vila, automjete luksoze, në orë që kushtojnë më shumë se shtëpitë e një shqiptari. Duhet të marrë fund.

Pyetje: Ju flisni se qytetarët duhet të largojnë këtë qeveri, e keni fjalën për zgjedhje të parakohshme?

Basha:  Padyshim që zgjedhjet e parakohshme dhe një qeveri teknike që do ti paraprijë zgjedhjeve të parakohshme është një ndër opsionet politike që PD shtron në tavolinë. Por sot për sot ne insistojmë në përmbushjen e axhendës që është edhe aksioni ynë politik, ligji për dekriminalzimin për t’i hapur rrugë një politike të pastër, që është e denjë për shqiptarët dhe Shqipërinë.

Faleminderit!


Prononcim për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas takimit me ambasadorin amerikan Donald Lu, 17 Nentor 2015