Bëmë një takim shumë të rëndësishëm me reporterët e Komisionit të Venecias së bashku me kolegët e mi anëtarë të Komisionit Ad-Hoc të reformës në drejtësi dhe me grupin e ekspertëve të nivelit të lartë të prezantuar nga PD lidhur me draftin e amendamenteve të paraqitur nga mazhoranca dhe opinionin e paraqitur nga ekspertë të PD pranë këtij komisioni. I falenderova ekspertët dhe reporterët e komisionit të Venecias për vizitën që ata patën këtu për qëndrimin pranë këtij procesi jetik për vendin, për letrën e dërguar Partisë Demokratike dhe për publikimin, një rast sui generis ky, për publikimin që i bën amendamenteve të opozitës në faqen e Komisionit të Venecias.
I shpreha keqardhjen që opozita dhe mazhoranca nuk arritën dot që të ishin në një produkt të vetëm pra të mos ishin me produkte të ndara, por kjo erdhi për shkak të dështimit të mazhorancës që të krijonte një proces të deritanishëm gjithëpërfshirës, një proces transparent dhe një proces konsensual. Ky proces i cili ka ardhur deri në këtë moment, ka ardhur për faj të qëndrimit të mazhorancës e cila nuk pranoi që të kishte një produkt të veçantë. Kaq përsa i përket procesit. Lidhur me përmbajtjen, ekspertët tanë të Partisë Demokratike bënë një pasqyrim të shkëlqyer të të gjithë vërejtjeve që ne kemi për përmbajtjen e këtij teksti, pra tekstit të ndryshimeve të paraqitua nga mazhoranca. Shpalosen alternativat që ne japim në funksion të zgjidhjeve më të mira që procesi dhe reforma të jetë konsensuale dhe jetëgjatë. I shprehëm dhe anëtarëve të Komisionit të Venecias, gadishmërinë tonë dhe qëndrimin tonë si PD, për një reformë në drejtësi konsensuale, transparente dhe gjithpërfshirëse, një reformë e cila duhet të luftojë në mënyrë të padiskutueshme me mekanizmat e reja, korrupsionin në sistemin e drejtësisë, i cili është i përhapur gjerësisht për fat të keq, por kjo luftë ndaj korrupsionit në mënyrë të njëkohshme duhet të garantojë pavarësinë.
Ekspertët shprehën shqetësimin e tyre lidhur me mungesën dhe heqjen e garancive kushtetuese për gjyqtarët e ndershëm dhe prokurorët e ndershëm në lidhje me testimin që atyre do t’u bëhet, heqjen e së drejtës së ankimit, heqjen e së drejtës së gjykatës kushtetues për t’u shprehur lidhur me paketën e ndryshimeve kushtetuese, me mekanizmat e reja të cilat propozohen të miratohen me 84 vota, të cilat mazhoranca qeverisëse aktualisht i ka, mekanizmat të cilat çojnë drejt kapjes së drejtësisë. Reporterët e Komisionit të Venecias bënë një sërë pyetjesh drejtuar edhe ekspertëve të nivelit të lartë të PD dhe gjetëm çështje të përbashkëta që kanë të bëjnë me standarde minimale të rritjes dhe forcimit të garancisë së pushtetit gjyqësor.
A ka një mendim paraprak nga ana e Komisionit të Vencias?
Mendimi paraprak i Komisionit të Vencias do të shprehet në ditët në vijim. Sot diskutimi ishte i nivelit teknik paraprak, lidhur me pyetjet që ata i drejtonin ekspertëve, mënyrën e gjetjes së zgjidhjeve optimale, në mënyrë që reforma të jetë jetëgjatë, në mënyrë që reforma të jetë konsensuale dhe të shkojë përtej kësaj mazhorance.
Ekspertët e komisionit të Venecias sot bënë pyetje, diskutuan për çështje të cilat lidhen me standarde evropiane, siç ishte çështja e pezullimit të së drejtës së gjyqtarëve për tu ankuar, lidhur me mekanizmat e luftës ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, diskutuam për standardet minimale të pavarësisë të gjyqësorit. Diskutuam edhe për çështjen e heqjes së të drejtës së gjykatës Kushtetuese për tu shprehur për draftin e amendamenteve. Njeherësh u konsultuam me ta për gjetjen e mekanizmave të tjerë, të cilët duhet të kenë një përfshirje substanciale të opozitës dhe sigurisht në ditët në vijim, ekspertët e PD do të vazhdojnë komunikimin intensiv me raporterët  e Komisionit të Vencias.
Ekspertët e PD i dorëzuan edhe një version të fundit reporterëve të Komisionit të Venecias, duke i shprehur zgjidhjet alternative, sesi reformat në drejtësi të vazhdojnë. Pra një qëndrim tërësisht konstruktiv i opozitës në mënyrë që reforma në drejtësi të ecë përpara, qëndrim i cili do të vazhdojë deri në momentin kur reforma duhet të jetë konsensuale dhe dubet të jetë transparente. Mungesa e tryezave të rrumbullakëta deri më tani është nje element jashtzakonisht kritik për ecurinë e këtij procesi.


Prononcim për mediat i deputetit Eduard Halimi, pas takimit me reporterët e Komisionit të Venecias, 2 Nentor 2015