I marri nuk ka brirë thotë populli, por sot Edi Rama i shfaqi brirët e tij.

Në kulmin e akuzave me emra, fakte dhe shifra të pakundërshtueshme për kriminalizimin e shtetit, për kapjen e shtetit nga narkomafia, për lidhjet e bandave më të rrezikshme të drogës me ministrin e brendshëm, për gradimin si drejtorë, kryetarë këshillash, kryetarë bashkie dhe deputetë të narkotrafikantëve të dënuar, kur të gjithë; shqiptarë dhe të huaj, qeveri e institucione ndërkombëtare dhe media kombëtare dhe ndërkombëtare tregojnë me gisht si përgjegjës qeverinë e Edi Ramës, ky i fundit paralizon punën e mbi 2 mijë policëve duke i mbledhur me forcë në pallatin e Kongreseve.

Kjo ndodh ndërkohë që droga po fiton çdo ditë terren duke pushtuar çdo pëllëmbë të vendit si asnjëherë më parë, ndodh sepse Edi Rama ka vetëm një rrugë për tu përballur me dështimet dhe përgjegjësitë e tij; propagandën boshe, kinemanë e verës së vonë. Kjo jo vetëm nuk ndihmon në luftën kundër narkotrafikut dhe drogës në tërësi por sot e stimuloi dhe ndihmoi në mbarështimin e saj.

Ndërkohë që qindra oficerë janë thirrur me dhunë në kazermën mediatike të Edi Ramës, ngarkesa të reja droge bëhen gati, plantacione të tëra me bimë narkotike shtohen e ruhen me armë nga habilajt dhe shullazët e Tahirit, të cilët përpos që kanë vënë poshtë oficerët e policisë, për ta pasur edhe më të lehtë përdorin targën e tyre të preferuar AA003GB, saktësisht makinën e Ministrit të Brendshëm, kur nuk janë duke përdorur varkën e tij.

Në përfundim të kësaj paraditeje, kur shqiptarët bëjnë bilancin, panë se mijëra euro nga paratë e taksapaguesve të qytetarëve shqiptarë u çuan dëm për ekrane e fasada, dhe orë të tëra rroga policësh që në vend se të shkonin prapa krimit, iu dhanë liri të pakufi bandave të trafikut për të vazhduar vallen e tyre kriminale, ndërkohë që Edi Rama shkumëzonte dhe djersiste kundër opozitës dhe medias që i ka nxjerrë në shesh të palarat kutërbuese mbi lidhjet e kësaj qeverie me krimin dhe narkotrafikun.

 Shfaqja mediatike e Edi Ramës sado ta shtrydhësh ka vetëm llafe.

Faktet janë këto;

Raportet vjetore të Departamentit Amerikan të shtetit të vitit 2009, 2010, 2011 e 2012 thonë se Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër drogës dhe Shqipëria nuk është më vend tranzit i drogës.

Raporti i grupit të Dublinit, miratuar nga Këshilli i Bashkimit Europian në vitin 2011 dhe 2012, thotë se Shqipëria vazhdon të ketë sukses në luftën ndaj trafikut të drogës, duke vlerësuar rënien e prodhimit dhe tranzitimit. Vlerësimi i Kërcënimit për Europën Juglindore  (Southeast European Threat Assesment on Criminality) në mars 2012, shprehet se; shtypja që Shqipëria dhe Italia i kanë bërë transportimit të drogës ka çuar në evitimin e Shqiperise prej rrjeteve kriminale si vend tranzit për ngarkesat e narkotikëve, duke i detyruar ato të kalojnë në vendet e tjera fqinje.

Vite në të cilat në Policinë shqiptare u instaluan mekanizmat me efiçentë dhe modernë në luftën kundër krimit. Ti rikthejmë edhe njëherë në vemendjen e qytetarëve sistemet MEMEX dhe TIMS që gjurmuan për herë të parë me metoda shkencore të pakrahasueshme dhe bëmë të mundur hetimet proaktive dhe vënien para drejtësisë të numrit më të madh të kriminelëve e në veçanti të narkotrafikantëve. Arritje të konfirmuara nga vizita të krerëve të policive europiane. Kujtoj këtu; krerët e antimafias italiane, presidentin e Zyrës Federale Gjermane Kundër Krimit, etj. Nuk po ju mërzis me çfarë u bë sepse shqiptarët e dinë sepse nëse do të dish se çfarë është bërë, shiko produktin dhe jo shfaqen.

Produkti ishte Shqipëria në NATO që s’mund të futej nëse habilajt dhe shullazët ishin të lidhur me lulin dhe mulin. Produkti ishte heqja e vizave për qytetarët shqiptarë, që nuk mund të ndodhte nëse kryeministri do ti bënte marshalla bandave më të rrezikshme të drogës nga Hakmarrja për Drejtësi tek shullazët me shokë. Nuk do të ndodhte, nëse kryeministri i vendit do të fuste në Parlament narkotrafikantë të dënuar dhe t’u hapte atyre dyert e makinave, duke sabotuar operacione policore shumëpalëshe. Nuk do të ndodhte nëse kryeministri i vendit do t’i merrte narkotrafikantët dhe t’i kandidonte për kryetarë bashkish përkundër insistimit të opinionit publik, të opozitës, të medias dhe të ambasadorëve. E s’mund të ndodhte ndryshe.

Por vizat u hoqën e Shqipëria hyri në NATO, u mor rekomandimi pozitiv për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Këto janë rekordet kundër të cilave sado do të shkumëzojë e djersisë Edi, nuk i zhbën dot. Sepse i përjetojmë dhe i shijojnë shqiptarët anembanë, të rinj e të moshuar, të djathtë e të majtë.

Këto janë rezultatet. Por kur nuk ke rezultate pozitive, kur nxin në rekordet e tua nga krimi, ku në çdo raport në Berlin, në Bruksel, Uashington, Londër, Paris, të përmendin si përgjegjësin kryesor të inkriminimit të shtetit, të veshjes me pushtet tw trafikantëve, atëhere nuk të mbetet gjë tjetër veçse të organizosh kinemanë verore e të thërrasësh 2 mijë policë me forcë në këtë kazermë, e ti poshtërosh ata.

Policët e Shqipërisë kanë pasur, kanë dhe do të kenë mbështetjen totale të Lulzim Bashës, dje si Ministër i Brendshëm, sot si kryetar i opozitës dhe nesër si Kryeministër. Me vepra dhe jo më fjalë. Por kjo shfaqje i poshtëron ata.  Sepse pas kësaj shfaqeje, qendrojnë përgjegjësit e vërtetë; Edi Rama që emëroi tradhtarët e policisë si drejtorë personeli në Vlorë për të bërë trafikun e drogës, Edi Rama që arreston ata që denoncojnë lidhjet e Saimir Tahirit me bandën e habilajve dhe përdorimin e mjeteve të tij motorike nga trafikantët e drogës.

Unë mbështes totalisht dhe pa asnjë rezervë Policinë e Shtetit. Ndaj, i them Edi Ramës, meqë e ka bërë rrugë, mos u bëj burracak, mos u fshih pas policisë, mos u fshih me regji qendrore. Ke mbyllur ekranet e çdo debati sepse e vërteta duhet të mbyllet me çdo kusht sepse genjeshtra nuk mban debat, por nuk e zhbën dot të vërtetën.

As me shfaqje me regji qendrore, as me keqpërdorimin që i bëre sot ambasadorëve, duke thyer dhe kodin e lashtë të shqiptarëve që thotë se miku nuk tallet dhe poshtërohet kur e fton në shtëpinë tënde. Sepse edhe ambasadorët ishin aty në krah të policies, e nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë vulë e krimit, inkriminimit që Edi Rama i ka bërë shtetit, përdhosjes që Edi Rama i ka bërë Policisë së Shtetit.

Pamë sot mashtrime që të qash dhe te qeshësh nga zori, se paskan zbuluar edhe një farë superiore kanabisi këta, se këtej kanë korrur 69 mijë bimë por paska vetëm 44 hektarë të mbjella, kur dihet botërisht nga ekspertët që një bimë kanabisi llogaritet me një metër katror. Por kjo e këtyre mesa duket është superiore dhe e ka për gjysëm metër katror. Duhet të jetë kanabis social.

Edi Rama ka një rekord të qartë përsa i përket krimit e në veçanti narkotrafikut.

I ka caktuar trafikantët e drogës në poste kyçe në administratë.

I ka futur trafikantët e drogës në parlament.

I bëri më pas dhe kryetarë bashkie.

Emblema e luftës së Edi Ramës me drogën, janë roshët, bushët, bardhët, ndonët, peçët.

Trafikantë të dënuar apo të ndjekur që administrojnë sot territore të tëra me pushtetin që u dha Edi Rama.

Rekordet e zeza të Edi Ramës kanë pushtuar faqet kryesore të medias europiane dhe botërore. Shtypi gjerman, italian, belg, holandez, francez çdo javë ka raporte për pushtimet e vendeve të tyre me narkotikë që prodhohen ose kalojnë nga Shqipëria.

Laboratori monstruoz i kokainës u ngrit në kërthizën e vendit e do të vazhdonte të nxirrte tym sot e kësaj dite nëse nuk do të kapej nga policia gjermane.

Dhe sikur të mos mjaftonte infrastruktura, lidhjet kriminale, lehtësitë për bandat, ndarja e pushtetit me ta, mbrojtjen që u bëri, në fund, Edi Rama vendosi në dispozicion të trafikut të drogës edhe qiellin shqiptar.

Avionë që ngarkohen me drogë në Shqipëri e shkojnë në Itali janë kthyer në linjë të zakonshme fluturimi.

Kjo është për fat të keq situatë e rëndë, e jashtzakonshme, e pafshehshme, e patolerueshme e drogës dhe narkotrafikut me lidhje qeveritare dhe me përgjegjësi direkte të Edi Ramës dhe Saimir Tahirit.

Ajo që pamë në ekran, ishte thjesht një qokë e bosit të bosëse, për sy e faqe.

Megjithëse hoqëm vizat, futëm Shqipërinë në NATO, hapëm rrugën për integrimin europian të vendit, nuk kemi bërë asnjëherë shfaqje të tilla. As Ministria e Brendshme dhe as Policia. Pse?! Sepse bënim punën. Sepse kapnim narkotrafikantët.

Kush i bën këto?! Ai qw nuk ka asnjw rezultat pozitiv por vetwm gjwma. E vetmja gjë që mbetet për tu bërë është shfaqja me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Por shfaqja nuk është alternativë për zgjidhjen e situatës së rëndë në vend.

Në fakt, shfaqja është vetë problemi. Europa i ka mbyllur dyert për qeverinë e Edi Ramës.  Zgjidhja fillon me spastrimin e politikës nga krimi i veshur me pushtet dhe pushteti i veshur me krim.

Cilit polic mund ti kërkohet të vërë jetën në rrezik për të mbrojtur ligjin kur Ministri i Brendshëm akuzohet si kumbari i bandave?!

Cilit oficer mund ti kërkohet përkushtim e sakrificë, kur ti vetë je një burracak që fshihesh pas policisë. Policisë që e tradhton shefi yt i personelit në Vlorë.

Mesa duket, ëndrrën e tij të çmendur nuk e ka prekur. Thirrja e vetme që bëri nga Pallati i Kongreseve ishte heshja; të heshtë opozita e të heshtin mediat. Me insistim kërkon memecërinë e denoncimeve. Kërkon memecërinë ndërkohë që qytetarët tregojnë me gisht e shohin ditë për ditë parcelat që i ruajnë me armë në krah, në sy të policëve të zvetënuar, ushtarët e habilajve dhe bandave të tjera të drogës nën bekimin e Saimirit.

Pra është populli që i sheh se si banditët e tu sundojnë. Eshtë populli që gjakoset në komisariate nga banditët e tu që i ke bërë deputetë.

Populli sheh se si në 2 vjet e gjysëm në qeveri, sa herë është koha të mbash përgjegjësitë, shkumëzon e djersit kundër opozitës.

Qytetarët, ndërkombëtarët, opozita duan Dekriminalizimin. Ligji është në parlament. Nuk e di se çfarë të djeg por unë them nise me testin e drogës ti dhe ministri yt.

Do të ishte një fillim i mbarë.


Deklaratë për shtyp e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 16 Shtator 2015.