Megaskandali i aferës CEZ po del në pah çdo ditë. Maja e ajsbergut është ajo që qytetarët kanë ndjekur përmes medias por fijet e kësaj afere me qindra milionë euro mbahen nga duart e dy kumbarëve, Edi Rama dhe Ilir Meta.
Ndonëse e kanë përdorur dhe po e përdorin marrëveshjen korruptive me CEZ, nga njëra anë, dhe skandalin me DIA-n, për të luftuar njëri tjetrin, në thelb këto dy krime të mëdha po ribashkojnë Edi Ramën e Ilir Metën, në një përpjekje të përmasave dhe stileve mafioze për të mbyllur të dyja aferat. Por nuk do ia dalin dot.
Rama, siç u kujtohet mirë qytetarëve, është ai që hoqi dorë në mënyrë kriminale nga arbitrazhi ku ishte dërguar CEZ nga qeveria paraardhëse, hoqi dorë me një marrëveshje korruptive të bërë pa konsulencën ligjore të avokatëve të Shqipërisë që paguheshin nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, hoqi dorë duke i falur apo ndarë me  CEZ 600 milionë euro fatura të njohura dhe afro 2 miliardë euro që sipas avokatëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, CEZ mund t’i detyrohej Shqipërisë në fund të një procesi të suksesshëm arbitrazhi.
600 milionë euro që përbëhen nga  95,5 milionë Euro shumë që iu pagua CEZ në dorë, 350 milionë Euro fatura të papaguara por të njohura nga CEZ ndaj KESH dhe OST; 4,6 milion të paguara më parë CEZ-as; 135 milion Euro padia e ngritur nga DIA kundër CEZ shpërndarje; 17 milionë dollarë detyrime tatimore gjyqe të fituara që pala shqiptare e autoritetet e tatim taksave kishin fatuar kundër CEZ.
Këto janë të vërtetuara dhe të pranuara me faturë. Detyrime të njohura të konfirmuara edhe nga kompania CEZ.
600 milionë euro që u paguan nga qytetarët e vendit, një borxh i tmerrshëm në kurrizin e shqiptarëve, përfshirë 135 milionë euro të aferës CEZ-DIA.
Eshtë bërë e qartë edhe nga dëshmitë e fundit tronditëse që u transmetuan mbrëmë dhe u komentuan gjatë në emisionin Opinion në TV klan, se pas DIA-s është Ilir Meta.
DIA është pra adresa e Ilir Metës, ose njërit prej kumbarëve siç e ka cilësuar Ismailaj, ku do të kalonin miliona euro.
DIA u krijua me shtytjen e Ilir Metës dhe u fut në pazar me CEZ, prej tij, me rekomandimin e tij, me lobimin e tij në kohën kur ishte ministër i Jashtëm.
Dje pamë sesi dëshmitari kyç, i cili ka në dorë të shpëtojë 135 milionë eurot që DIA kërkon në arbitrazhin e Vjenës, ndonëse i mbrojtur nga Policia u kërcënua me jetë. Kjo sepse fundosja e DIA-s merr me vete edhe Ilir Metën ndaj dhe dëshmitari Elvis Mataj është kërcënuar me jetë, ai dhe familja e tij.
Po si u shkua tek ky dëshmitar i mbrojtur nga Policia?! Kush e mban këtë fije?! Këtë fije e ka në dorë kumbari i parë Edi Rama, i cili sigurisht që po mban nën presion ortakun e tij me këtë dosje kriminale.
Nga ana tjetër, kumbari i dytë, Ilir Meta ka në dorë të nxjerrë aferën e 600 milionë eurove që iu falën apo u ndanë me CEZ nga Edi Rama, aferë që u mbyll me marrëveshjen  e votuar në parlament, ku u sanksionua që hartuesit e këtij pakti nuk do të ndiqeshin penalisht. Pra u falën, u hap rruga për të ndalur ndjekjen penale që kish nisur nga qeveria e mëparshme ndaj të gjithë personave të përfshirë në këtë aferë.
Kjo është tango kriminale që po kërcehet nga dy kumbarët, që kërcënojnë, godasin njëri-tjetrin por edhe mbahen fort pas njëri-tjetrit për hir të qindra milionë eurove, para të shqiptarëve, ndërkohë që varfëria ka shkuar në skaj, të pamundurve u merret shpirti, u mbyllet dyqani, u shkelmohet tezga, mbyllet biznesi i vogël e konfiskohet me dhunë malli i atyre që nuk fitojnë dot as 5 mijë lekë të vjetra në ditë për të ushqyer fëmijët e tyre, teksa në krye të vendit vazhdon pra tango kriminale e dy kumbarëvë Edi Rama e Ilir Meta.
Siç u njoftua dje, Partia Demokratike dorëzon javën që vjen dy nisma thelbësore, historike për vendin. Megaskandali do të zbardhet, Shqipëria nuk mund dhe nuk do të qendrojë në kthetrat e këtij korrupsioni kriminal.
Do të kërkojmë në Gjykatën Kushtetuese hedhjen poshtë të marrëveshjes së kumbarëve në parlament, me 31 korrik të vitit 2014, që jo vetëm u vodhi shqiptarëve 600 milionë euro që u ndanë me CEZ-in, por që siguroi edhe imunitet për autorët e këtij krimi, duke mos lejuar ndjekjen e tyre penale.
Të hënën, Partia Demokratike në mënyrë paralele do të dorëzojë në Kuvend, projektligjin për të mundësuar hetim ndërkombëtar, me prokurorë të vendeve partnere euroatlantike, me kompetenca të plota për zbardhjen e skemës më të madhe të korrupsionit në historinë e vendit.
Ilir Meta deklaroi dje se është në favor të hetimit ndërkombëtar. Do ta ketë shansin që të hënën të tregojë me veprime konkrete mbështetjen dhe aprovimin e nismës tonë ligjore në parlament, ose të demaskohet si një manovër për ti shpëtuar hetimit.
Por një gjë është e qartë si drita e diellit. Ne do ti shkojmë deri në fund kësaj çështje. Shqiptarët meritojnë kthimin e parave, shqiptarët meritojnë nxjerrjen para drejtësisë të kumbarëve të krimit.
Pyetje: Zoti Basha, ju ditën e hënë do të çoni në Gjykatë Kushtetuese kërkesë padinë për marëveshjem. A nuk mendoni se opozita  është e vonuar dhe duhet ta kishte bërë me kohë këtë kur edhe ju e keni cilësuar si aferë skandalin me CEZ-in?
Basha: Opozita nuk është aspak e vonuar. Në një situatë të funksionimit të shtetit ligjor, ka qenë dhe është mendimi ynë se asgjë nuk e pengon hetimin e kësaj cështje. Por në kushtet e presionit politik të Ilir Metës dhe Edi Ramës ndaj prokurorisë për ta detyruar që marëveshjen kriminale, antikushtetuese, ta përdori si një alibi për të mos e çuar më tej hetimin, i cili kishte nisur siç ju kujtohet edhe ju, ne do të heqim dhe këtë alibi të fundit, duke i kërkuar Gjykatë Kushtetuese, ta shpallë si antikushtetues vendimin për të ndalur ndjekjet penale. Paralelisht iniciativa jonë në Parlament do të ketë të njëtin qëllim: të heqë çdo alibi për t’i bërë presion prokurorisë, alibi ligjore dhe alibi të tjera duke mundësuar ardhjen e prokurorëve ndërkombëtar.
Pyetje: Zoti Basha mund të na e shpjegoni pak me tepër hetimin ndërkombëtar se si mund të realizohet? Dje zoti Meta foli për prokurorë amerikanë…
Basha: Prokurorë ndërkombëtarë, euroatlantikë, të çertifikuar dhe me përvojë, në ndihmë të hetimit të aferës më të madhe korruptive dhe kriminale në Shqipëri, sipas vetë avokatëve të qeverisë shqiptare. Ky është qëndrimi ynë, për detaje të tjerë teknike ju jep breafing të plotë skuadra ime ligjore.
Pyetje: Për një hetim ndërkombëtar, a duhet dorëheqja e Ilir Metës?
Basha: Kushtet tona për një hetim të pavarur të plotë, të gjithanshëm e të besueshëm, përfshijnë dhe do të përfshijnë në çdo rast dorëheqjen e Ilir Metës nga funksioni numër dy në vend.

Deklaratë për shtyp e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 25 Shtator 2015