Numërimi mbrapsht për humbjen në zgjedhjet e 21 Qershorit të aleancës PS-LSI ka filluar.

Megjithëse po përdorin shtetin si vegël të pazareve të tyre e po shfaqin gjithë talentin e dobët në piktura, karikatura, e photoshop po tregojnë se sërish janë të dështuar si piktori i tyre në krye të qeverisë.

Dy ditë më parë, kandidatja e Partisë Demokratike për kryetare e Bashkisë së Shkodrës, Znj.Voltana Ademi, gjatë një takimi publik ku i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Donald Lu denoncoi haptas skenarin kriminal të aleancës PS-LSI për manipulimin dhe blerjen e votave në Shkodër. Faktet e pa kontestueshme, kandidatja Ademi i’a dorëzoi personalisht edhe ambasadorit amerikan, në prani të medias, shoqërisë civile dhe vetë kandidates së aleancës PS-LSI.

Partia Demokratike dhe kandidatja e saj për Bashkinë e Shkodrës përshëndesin deklaratën e Ambasadorit Amerikan në Shqipëri, Z. Donald Lu i cili u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos e shesin votën por të vendosin të lirë dhe masivisht për të ardhmen e tyre. Partia Demokratike e Shkodrës u kujton sërish banorëve të saj faktet e turpshme të bëra publike nga mediat gjatë ditëve të fundit për përpjekjet e aleancës PS-LSI për blerjen e votave në Shkodër.

LSI po blen votën e të rinjëve me anë të kuponave të barazvlefshëm me një palë xhinse. Kjo është alternativa e tyre dhe e kandidates së tyre për të ardhmen e rinisë, thjesht një palë xhinse apo një bluzë që i del boja brenda vitit.

LSI po blen varfërinë dhe mjerimin e shkaktuar nga aleanca në pushtet duke i gënjyer familjet e varfra me thasë me miell në kembim të votës. Por shkodranët nuk do bëjnë pite as petulla me miellin e LSI-së. Jo më!

LSI dhe PS po shpërndajnë përditë shuma të mëdha parash në zyrat e tyre elektorale me synim blerjen e votave. Qytetarëve u kërkohet karta e identitetit, si dhe numri i votave që do të garantojnë, ndërsa në këmbim u ofrohet 50 apo 100 euro. Shuma e parave që u jepet varet nga sasia e votave që ata premtojnë.

Të punësuarit po dorëzojnë gjysmën e pagës së tyre tek zyrat elektorale te LSI dhe PS. Ata kërcënohen dhe u bëhet presion që të garantojnë jo vetëm votën e tyre, por edhe të farefisit.

Presion dhe terror po ushtrohet ndaj nëpunësve të punësuar, duke i kërkuar secilit të japë 150 mijë lekë kontribut për fushatë.

Media u tregoi shqiptarëve se pa nisur ende fushata ishin prodhuar mbi 700 karta identiteti fallco për t’u përdorur në Shkodër. Aleanca në pushtet po kontrollon nga zyrat e saj sistemin ndërkufitar TIMS për regjistrimin në mënyrë abuzive të emigrantëve që gjoja hyjnë në Shqipëri, për të justifikuar më pas votimin fiktiv të tyre nga persona të tjerë, përmes përdorimit të kartave fallco. Por vullneti i lirë i shkodranëve nuk mund të klonohet e as të falsifikohet.

PS-LSI dhe kandidatja e tyre shpresojnë që me manipulimet e tyre të gënjejnë shkodranët por aq sa ç’ndodh të bjerë borë në qershor, aq do ndodhë që qytetarët të besojnë mashtrimet qesharake të tyre.

As 200 ciceronët në kala e as antenat që shpërndajnë trakte mediokre që i kënaqin vetëm ata që i publikojnë, nuk do e ndihmojnë aleancën në pushtet dhe kandidaten e tyre t’i shmangen disfatës së 21 qershorit.

Banorët e Shkodrës tashmë e kanë bërë zgjedhjen e tyre: në mënyrë masive do u drejtohen kutive të votimit, do votojnë Voltana Ademin me numrin 3 dhe Partinë Demokratike me numrin 15, për më shumë punë dhe dinjitet.


Deklaratë e nënkryetarit të Patisë Demokratike në Shkodër, Bujar Hoti, 7 Qershor 2015