Kandidati Gjergj Mero ishte në “Lagjen 8”, në një nga zonat më të goditura për papunësi, heqje të ndihmës sociale dhe të KEMP-it nga qeveria qëndrore dhe bashkia në këta tetë vite. Kandidati Mero tha se mbi 1500 familje janë të pastreha dhe shumë njerëz vuajnë për bukën e gojës, pasi janë hequr padrejtësisht nga lista e ndihmës dhe statusi i invaliditetit.

“Si mund këta njerëz të votojnë pushtetarët  që punojnë vetëm  për xhepat dhe mirëqenien e tyre dhe nuk kanë hapur dyert e zyrave për t’i pritur e dëgjuar të paktën një herë për hallet e tyre. Duke dëgjuar me trishtim disa nëna e gra kryefamiljare të cilat e kanë jetën shumë të vështirë për shkak të braktisjes sociale nga Bashkia, z. Mero tha se me programin e Bashkisë së re, familjet në nevojë do të jenë të parat dhe periferia do t’i kthehet normalitetit.

“Korça tha kandidati Mero vuan taksat më të larta vendore në Republikë dhe me Bashkinë e re ne do t’i bëjmë minimale ato.  Do të subvencionojmë shtresat në nevojë në pagesat e dritave dhe ujit që këto furnizime jetike të mos i mungojnë askujt. Për mua nevojtarët janë në fokus të çdo politike dhe programi im ka vetëm një emër, program për qytetarin . Nuk duhet të investoheshin miliona euro për kulla dhe fasada kur me qindra e qindra familje nuk shtyjnë dot muajin me ushqime dhe jetojnë në mjerim  infrastrukture, u shpreh kandidati Mero.

Ai siguroi banorët  se komuniteti  dhe infrastruktura  e periferisë do t’i nënshtrohen  projekteve  të fuqishme rehabilituese në mënyrë që zhvillimi urban i qytetit të bëhet integral dhe pa diskriminim.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Qershor 2015