Kryeministri sulmon pronarin e Agon Channel për burim kriminal të ardhurash, ndërkohë që Ajola Xoxa është avokate e Bechettit në këtë çështje. Por Rama ofron imunitet dhe ligji nuk vepron ndaj zonjës Veliaj.

Sipas Edi Ramës, Ajola Xoxa, bashkëshortja e kandidatit të tij për Tiranën, është e përfshirë në para të pisëta.

Kështu i quan Edi Rama paratë e pronarit të Agon Channel, ku Ajola Xoxe është e lidhur drejtpërdrejt si përfaqësuese ligjore e z.Becchetti.

Eshtë bërë publike sot, se zonja Veliaj ka përfaqësuar në disa gjyqe pronarin e Agon Channel, pikërisht për çështjen financiare për të cilën është akuzuar klienti i saj.

Ndërkohë që, dy ditë më parë, kur sapo nisi procesi për këtë rast, Edi Rama shpalli verdiktin e tij. Si prokuror madje si gjyqtar suprem, ai tha: “Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon Channel një sukses!”.

Ajola Xoxe ndërkohë është në mes të gjithë kësaj histore transaksionesh si avokate e Becchettit. Nëse paratë e pronarit të Agon janë të pisëta, me burim kriminal, si ka mundësi që zonja Veliaj është e përfshirë?

Si ka mundësi që ndaj saj nuk ka sot një procedim penal, sepse ekziston, është në fuqi një ligj që e detyron avokatin të raportojë pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave kur ka lëvizje të dyshimta parash, që e kalojnë shumën e 1 milionë lekëve të vjetra.

Ligji nr 9917, i vitit 2008, e detyron Ajola Xoxen të raportojë. Neni 3 thotë se subjektet e këtij ligji janë, avokatët, noterët, përfaqësuesit ligjorë, ekspertët kontabël, etj. Zonja Veliaj, sipas dokumentave të bëra publkike sot është pikërisht avokate e z.Becchetti.

Si është e mundur që ky ligj i Republikës së Shqipërisë nuk vepron dot ndaj bashkëshortes së Erion Veliajt?

Pse ka imunitet ajo, çfarë e mbron atë, pse nuk është e barabartë para ligjit?

Pse nuk vepron ky ligj ndaj Ajola Xoxes edhe në rastin e Dzanashvillit, bosit të mafias së Ballkanit e më gjërë, avokate e të cilit është bashkëshortja e Veliajt.

Dhe a ka ndonjë shpjegim, që sa herë flitet për para të pisëta, e pastrim parash me burim kriminal, del emri  Ajola Xoxes si avokate?

A kanë marrë formën e posterave, spoteve, zyrave elektorale, formën e fushatës së luksit të Erion Veliajt, paratë e pisëta ku është përfshirë bashkëshortja e tij.

Edhe sa do të vazhdojë Edi Rama ta mbrojë zonjën Xoxa nga përballja me ligjin.

Edhe sa skandale të tjera duhet të ndodhin që Erion Veliaj të flasë, të bëjë transparencë.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, 12 Qershor 2015