Kandidatja për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma prezantoi programin përpara banorëve të Sukthit në fshatrat Vadardhë dhe Kullë, për këtë zonë. Duma tha se në një vit e gjysëm, kjo zonë do ketë ujë 24 orë ndërsa do zerohen faturat abuzive.

“Për Sukthin është llogaritur që në 1 vit e gjysëm do të kemi 24 orë furnizim me ujë. Të gjitha faturat e ujit të cilat kanë probleme dhe ju kanë ardhur fatura atëhere kur nuk ka pasur ujë, e kam thënë edhe në zona të tjera, drejtësia e faturimit do të vendoset. Atë shtetin e së drejtës do e kemi tek kjo bashki pas 21 Qershorit ku do kemi zyrën e madhe me konsulencë falas sa herë që qytetarët të paraqesin një faturë e cila është abuzive, kur ndërkohë ato kanë bërë shpenzime që me këtë shtetin e së drejtës i njihet e drejta të rimbursohen për shpenzimet që kanë bërë”, tha Duma.

Kandidatja e djathtë ngriti shqetësimin e investimeve elektorale duke theksuar se modeli i saj është ndryshe nga investimet e pamenduara. Ajo tha se plehrat nuk do të digjen në asnjë zonë të Durrësit dhe do punohet për riciklimin e tyre duke i ndarë që në burim. Sukthi do të ketë 4 shkolla të reja.

“Rrugët dhe kanalet nuk i ndërtojmë nga xhepi por nga taksat e shqiptarëve. Ato rrugët që i kanë bërë, a i kanë bërë brenda standardit?! Ato rrugët që i kemi bërë dhe ato paratë që kemi shpenzuar, kanë qënë në tender 10 cm, apo ka qënë 10 cm dhe i kemi bërë me 5 cm në rrugë ?! Apo ka qënë 500 metra kanalizim në tender dhe kemi bërë 100 metra kanalizim?! Kjo është përgjegjësia. Si i shpenzon fondet publike. Dhe po të shkosh në disa rrugë elektorale do qeshësh me të madhe por me dhimbje se kanë murosur edhe pemët. Tek rrënja e pemës kanë futur beton. Çdo 150 metra do të kemi 3 koshat me ngjyra, të ndajmë në burim plehrat, të merren dy herë në ditë dhe të shkojnë tek kompania e riciklimit dhe të zhdukim landfillet se nuk ka zgjidhje tjetër. Nuk ka më zgjidhje me djegie dhe nuk mund të jemi një bregdet turistik, as këtu, as në Manzë, as në Durrës dhe as kudo. Përsa i përket shkollave, kemi ndërtimin e 4 shkollave të reja për gjithë zonën e Sukthit. Edhe ajo që është do ristrukturohet me prioritet që është fusha e sportit, palestra dhe pjesa e hapur. Do shtohen ata që mbajnë higjenën, rojet dhe të gjitha parqet sportive para shkollës që do ti përdorë komuniteti edhe mbasdite”, tha Duma.

Zonja Duma foli në fshatin Kullë edhe për zgjidhjen e çështjes së pronësisë dhe azhornimit të tokave e cila do të behet e hapur me komunitetin.

“Mora pjesë në një nga projektet më të mbrekullueshme të ndërkombëtarëve për 8 mijë pronat e jugut. Si e zgjidhëm situatën?! E zgjidhëm me transparencë. I morëm hartat, i hapëm në komunitet, i lajmëruam njerëzit nga 10-15 herë derisa më në fund me harta transparente dhe me komunitetin përpara u arrit të zgjidhej në mënyrë përfundimtare përcaktimi i kufinjve dhe i pronës. Kjo është ajo që do bëjmë. Në Bashkinë e Durrësit do kemi zyrën hipotekore dhe kadastrale që do zgjidhë në mënyrë transparente dhe të hapur me komunitetin problemin e pronës. Azhornimi i tokës do ndodhë bashkë me ju, hapur”, u shpreh Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 10 Qershor 2015