Jemi përsëri këtu sot për të kërkuar nga Kryetari i Bashkisë z. Qazim Sejdini përgjigje për dy problematika të cilat qytetarët i kanë ngritur dhe ne kemi kërkuar shpjegime.

Sejdini, në lidhje me impiantin e djegies së plehrave, qytetarët kërkojnë përgjigjen tuaj të detajuar, pasi ju jeni garant i këtij projekti. Zëdhënësi juaj Taulant Balla, nuk është personi që qytetarët e Elbasanit duan të dëgjojnë. Përkundrazi të gjithë e dinë, se ku shkon ai, vetëm çorbë e prishur gatuhet.

Presim sa më shpejt përgjigje nga ana juaj, në bazë të kuadrit ligjor mbi transparencën, se përse kontrata koncesionare për këtë impiant, nuk është publike në faqen e Këshillit të Ministrave. Kush është kompania që po kryen këtë investim, dhe çfarë experience mjedisore ka ajo? Çfarë do të bëhet me 15 % hire toksike, që mbeten nga djegia e mbeturinave. Ku do të asgjësohen këto hire?

Sejdini, qytetarët gjithashtu presin përgjigje për tu treguar se si është situata financiare e bashkisë së Elbasanit.

A keni ju që prej vitit 2009 e në vazhdim në një borxh prej rreth 700 milionë lekësh ndaj firmave të ndërtimit për projekte të ndryshme në qytet?

A i keni ju një borxh prej 600 milionë lekësh firmës së pastrimit të qytetit?

A i keni po kësaj kompanie një borxh prej 600 milionë lekësh të tjera për  punime në infrastrukturë?

A është e vërtetë që ju pa procedura shpronësimi keni përdorur një sipërfaqe toke për varreza publike dhe pronarët e saj kanë fituar me gjyq të drejtën për tu dëmshpërblyer nga bashkia me rreth 1.5 miliardë lekë.

Pra a është e vërtetë z. Sejdini se aktualisht vetëm nga këto shifra bashkia e drejtuar prej jush ka një borxh të pashlyer prej 3.5 miliardë lekësh.

Sejdini ju ftojmë të bëni transparencën përpara qytetarëve, edhe si një akt të fundit përpara se të largoheni nga detyra që mbani prej 8 vjetësh.


Deklaratë e Kryetarit të Këshillit të Qarkut Elbasan, Eugen Isaj, 10 Qershor 2015