Mirënjohje të thellë dhe faleminderit nga zemra të gjithë qytetarëve shqiptarë që morën pjesë dje, nga Tirana dhe mbarë vendi, pa dallime politike, në marshimin më të madh të protestës të mbajtur ndonjëherë që nga vitet e para të demokracisë.

Mirënjohje të thellë dhe falenderim nga zemra të rinjve, të rejave, familjarëve e kryefamiljarëve, nënave e baballarëve, të moshuarve, që lanë çdo gjë dhe erdhën dje në bashkimin e madh popullor për t’i  drejtuar dyshes Rama-Meta fjalën dhe gishtin e akuzës  për  gjithë të keqen që ka mbërthyer vendin;

që erdhën dhe kërkuan njëzëri dorëheqjen një orë e më parë të Ilir Metës,

që erdhën dhe shpallën barrikadën më të fuqishme popullore në mbrojtje të lirive, ligjit, virtyteve dhe vlerave;

që erdhën dhe dhanë shpresë e ndezen shpresë për vendin në orën me të  vështirë;

erdhën për të  treguar sëbashku se ka kthim, nga gremina në rrugën e mbarësisë,  ka rrugëdalje nga qorrsokaku qeveritar, rrugëdalje që vjen nga bashkimi ynë, nga forca e popullit sovran.

Faleminderit nga zemra anëtarëve të Partisë Demokratike, grave dhe burrave të palodhur, të rinjve e të rejave, që u angazhuan ditë-natë për organizimin në një kohë të shkurtër të kësaj proteste madhështore të paprecedentë.

Mirenjohje të thellë dhe falenderime gjithsecilit protestues, nga i pari tek i fundit, për qytetarinë, për kulturën e lartë demokratike, për përgjegjesinë dhe vendomërinë e treguar, siç i ka hije një populli civil të një vendi europian, duke  dëshmuar se bashkimi pa dallime politike është forca jonë, pjesmarrja është forca jonë, është forca e demokracisë.

Me protestën paqësore shqiptarët u treguan dje vendin kukuvajkave të dyshes Rama-Meta që ndollën zi papushim, duke tentuar të frikësojnë njerëzit. Por qytetarët vërtetuan se të frikësuar, të tmerruar janë qeveritarët, të frikësuar janë Edi Rama dhe Ilir Meta, që dje në ankth e panik mbyllën Parlamentin si asnjëherë më parë në historinë e këtyre 25 viteve, janë bërë me hije ora e sovranit në këmbë e të vendosur, për shkak të  zullumit të pafre ku janë zhytur.

Shqipëria e bashkuar në protestë i tha dje Ilir Metës ik, hapi rrugën drejtësisë, për akuzën e porositjes së vrasjes së dy deputetëve.

Shqipëria në protestë i kërkoi dje Edi Ramës të heqë dorë nga presioni ndaj Prokurorisë e Drejtësisë, të mos u paracaktojë atyre me forcën e pushtetit hetimin dhe vendimet që duhet të marrin, të tërhiqet nga bashkëpunimi në skenarin e vrasjes, ose përndryshe të largohet.

Shqipëria në protestë i kumtoi qartë Edi Ramës dhe Ilir Metës se kanë tradhëtuar kontratën me zgjedhësit, se qeveria e tyre e ka mbaruar kohën e saj, ka marrë fund, nuk ekziston më si qeverisje për qytetarët, për popullin, por vetëm për një grusht oligarkësh të lidhur kokë e këmbë me krimin.

Prej dy vitesh politika e tyre e lakut në fyt, e rripit që shtrëngohet për qytetarët, ka mbjellë vetëm përkeqësim, papunësi, mjerim, mungesë besimi, varfëri. E keqja ka mbërritur në kockë tek çdo familje e në çdo vatër. Eshtë e qartë se askush nuk mund të presë më ditën e votimit që të shkëpusë kontratën me këta oligarkë besëprerë me popullin. Largimi i tyre është thirrja, është rruga e daljes nga kriza.

Shqipëria në protestë përqafoi dje njëzëri kauzën jetike të dekriminalizmit të Kuvendit dhe institucioneve publike nga dyshja Rama-Meta, prerjen e nyjes gordiane të krimit të veshur me pushtet dhe të pushtetit të veshur me krim ku janë lidhur gjithë të këqiat e keqqeverisjes.

Dje, shqiptarët masivisht dhe me entuziazëm, përqafuan nevojën për ofertën e re ku qytetari të kontrollojë qeverinë, e jo qeveria qytetarin. Oferta e re po vjen. Ajo po farkëtohet çdo ditë në komunikimin tonë me qytetarët. Oferta e re po vjen me qytetarët, prej qytetarëve, për qytetarët.


Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, 13 Mars 2015