Mijëra banorë të Novoselës, Urës së Mifolit, Dardhzezës, Ferrasit  e Levanit në gjendje dramatike. Vokshi ripërsërit kërkesën drejtuar qeverisë për reagim të shpejtë dhe marrjen e masave të menjëhershme për strehim, për ushqim e medikamente, si dhe për ushqim për gjënë e gjallë

 

Deputetja Albana Vokshi vizitoi sot zonat e përmbytura të Vlorës dhe Fierit, ku u takua nga afër me qindra banorë të cilët po vuajnë pasoja dramatike të shkaktuar nga reshjet e fundit.

Të dëmtuarit u shprehën se nuk kanë ende një vend ku të strehohen dhe po vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe e ujit të pishëm. Problem serioz është edhe mungesa e ushqimit për gjënë e gjallë, për ato që kanë mundur të shpëtojnë nga përmbytjet.

Në zonat e Novoselës, Urës së Mifolit, Dardhzezë, Ferras, Levan, u vu re se përpjekjet e strukturave janë të pamjaftueshme. Shpesh këto përpjekje e struktura mungojnë fare. Banorët kanë nevojë për përgjigje të menjëhershme, pasi gjëndja është alaramante.

Banorët janë të traumatizuar dhe janë me qindra bagëtitë e mbytura deri më tani ndërkohë që nuk ka asnjë siguri për ditët në vazhdim.

Deputetja Vokshi ripërsëriti kërkesën drejtuar qeverisë për reagim të shpejtë dhe marrjen e masave të menjëhershme për strehim, për ushqim e medikamente, si dhe për ushqim për gjënë e gjallë.