Kryetari i Partisë Demokratike merr mbështetjen e Asamblesë Politikë të PPE në luftën kundër krimit dhe në procesin e dekriminalizimit 

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë në punimet e Asamblesë politike të Partisë Popullore Europiane, në Bruksel. Në punimet e asamblesë, me shqetësim u diskutua për rritjen e kriminalitetit në Shqipëri dhe penetrimit të krimit në institucione të rëndësishme të vendit. Drejtues të lartë të institucioneve të Parlamentit Europian dhe të Partisë Popullore Europiane kanë shprehur shqetësimin e madh për kthimin pas të Shqipërisë e në veçanti forcimit të mafias, trafikut të drogës dhe lidhjet e tij me pushtetin.

 

Në këtë asamble, zyrtarët e lartë të PE dhe të PPE kërkuan mbajtjen e qëndrimeve të vendosura dhe të prera, kundër depërtimit të krimit në qeverisje dhe i dhanë mbështetje të plotë opozitës në betejën kundër krimit. Z.Basha theksoi se prova më e qartë e dështimit të qeverisë Rama-Meta në luftën kundër krimit dhe trafiqeve është edhe fabrika më e madhe e kokainës në Ballkan, e ngritur në Shqipëri gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.

 

“Problemi kryesor është problemi i krimit, krimi me lidhje në politikë, penetrimi i kriminelëve në postet drejtuese deri në Parlamentin Shqiptar, instalimi në Shqipëri i bandave më të rrezikshme në rajon. Së fundmi, siç u pa, janë përgjegjës edhe për ngritjen e fabrikës më të madhe të kokainës në Ballkan, në këto dymbëdhjetë muaj që përkon me kohën e qeverisjes Rama-Meta. Këto janë sinjalet dhe provat më të qarta se larg retorikës dhe propagandës boshe, qeveria Rama-Meta jo vetëm ka dështuar tërësisht në luftën kundër krimit, por është përgjegjësja kryesore për situatën e pasigurisë në vend, për lulëzimin si asnjë herë të trafiqeve dhe për gradimin e bandave e të banditëve me pushtet të mjaftueshëm, sa që të ndihen rehat për të ngritur një fabrikë kokaine në të cilën u sekuestrua një sasi me vlerë rreth 1 miliard euro. Ky natyrisht është thelbi i rezolutës parlamentare dhe angazhimeve dypalëshe, për t’u marrë më këtë problem. Natyrisht, përsërita, që opozita është e gatshme dhe kërkon të nisë menjëherë nga puna. Natyrisht, puna kërkon vullnet të të dy palëve. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë prioritet tjetër për Shqipërinë, nëse krimi në vend që të ndodhet  para drejtësisë dhe prapa hekurave, ndodhet në Parlament dhe bën bashkëqeverisjen. Padyshim që vullneti politik i Partisë Popullore Europiane dhe institucioneve europiane është dhe më i fuqishëm, për të na mbështetur”, u shpreh Basha për mediat pas takimit.

 

Pyetje: A jeni optimist për zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur midis mazhorancës dhe opozitës, me lehtësimin e Parlamentit Europian?

 

“Ne jemi të vendosur të punojmë për zbatimin e rezolutës. Unë kam besim të plotë se nëse ka vullnet politik për të mos penguar punën e përbashkët, ka plot burra dhe gra në Partinë Socialiste të cilëve u ka ardhur në majë të hundës dhe janë gati të japin kontributin e tyre, jo për interesin e PS-së dhe as për interesin e PD-së, por për interesine qytetarëve shqiptarë që meritojnë dhe domosdoshmërisht duhet të kenë një Parlament të çliruar nga krimi”.

 

Kryetari i PD Lulzim Basha është ndalur në fjalën e tij edhe në të ashtuquajturën reformë territoriale e cila siç theksoi z.Basha, nuk është gjë tjetër veçse një hartë elektorale që bie ndesh me interesat e qytetarëve shqiptarë. Z.Basha, duke e konsideruar 21 qershorin dhe një referendum të madh qytetar kundër ndarjes territoriale ka kërkuar monitorim të gjerë të këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh praktikën e zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit dhe të zgjedhjeve në Korçë, të blerjes së votave nga Rama – Meta.

 

“PD ka qenë dhe është e vendosur që sovranit, qytetarëve shqiptarë të mos u mohohet kurrë e drejta për të vendosur për hartën territoriale. Harta aktuale ka qenë, është dhe do të mbetet e papranueshme për PD. Ajo bie ndesh me interesat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë 21 qershorin një referendum të madh qytetar, për tu shprehur me votë, jo vetëm për kandidatët e opozitës por edhe kundër kësaj ndarjeje territoriale dhe për t’i hapur rrugë një procesi i cili nuk do të vonojë, ku së bashku me qytetarët shqiptarë do të vendosim hartën territoriale që është në favorin e interesave të tyre. Kërkova monitorim të plotë të këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh që qeveria Rama-Meta e ka dhënë provën e saj të përgjithshme të shitblerjes së votës në 23 qershor dhe e ka përsëritur para kamerave në zgjedhjet e Korçës, duke amnistuar nga ndjekja penale keqbërësit e këtij krimi penal dhe mora garanci se jo vetëm PPE por të gjitha institucionet e BE do të jenë tërësisht të angazhuara për këtë kauzë madhore që është kauza e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri”, u shpreh Basha.