Kryeministri po dërgon letra për fundvit, ndërkohë që pensionistët janë pa shpërblim, nëpunësit pa pagën e 13. Urimi i Ramës, hipokrizi, kur mijëra familje janë në errësirë në prag të festave për shkak të faturave abuzive, dhe qindra të rinj, familjarë, gra, të mitura e të moshuar, janë në qeli, se nuk kanë me cfarë të paguajnë. Salianji denoncon edhe debitorin Damian Gjiknuri. 

Letra e Edi Ramës për qytetarët, është në të vërtetë një letër nga ferri.

Nuk ka si të jetë ndryshe, kur mijëra familje sot janë në errësirë, janë të pamundura për të paguar energjinë dhe faturat abuzive, sepse nuk kanë një vend pune, nuk kanë asnjë burim ekonomik.

Urimi për festat e fundvitit, është hipokrizia më e madhe që mund të ndodhë me realitetin e zymtë që e ka krijuar ai vetë, Edi Rama me politikat e represionin e tij, me shtetin policor, me rritjen e taksave, me dështimin e njëpasnjëshëm në ekonomi, me papunësinë e mjerimin që ka krijuar.

Shkruan Edi Rama letra, por pensionistëve u ka hequr shpërblimin e fundvitit, nuk rrit me asnjë qindarkë të ardhurat e tyre dhe të nëpunësve, dhe nuk u dha pagën e trembëdhjetë.

Firmos letra urimi Edi Rama por e ka kthyer OSHEE-, në portat e ferrit, ku asnjë qytetar nuk merr përgjigje, ku ankesat mbeten aty stok, ndërkohë që faturat abuzive dhe kamatvonesat mbi to po bëjnë kërdinë.

Edi Rama nuk kthen përgjigje për milionat arbitrare që u janë lënë poshtë derës familjeve si gjobë bandash.

Nuk kthen një përgjigje për familjarët, për gratë e të miturat, të rinjtë e të moshuarit që po i mban në biruca në këtë prag fundviti për shkak se nuk paguajnë dot, se nuk kanë me se të paguajnë. 

Edi Rama po inkriminon masivisht qytetarët. Po fut ndasi, duke i quajtur hajdutë të pamundurit, ndërkohë që vjedhësit më të mëdhenj të energjisë administrojnë pushtetin dhe janë drejtorët e tij.

Eshtë hipokrizi e asgjë më shumë kjo letër, kur në fakt, Edi Rama ndau 600 milionë euro me kompaninë CEZ, në një aferë të pastër korruptive kundër interesave të shqiptarëve.

Kemi sot rastin e Ministrit të Energjisë, Damian Gjinkuri. Në vitin 2010, ai ka qënë deputet, por debitor i paralajmëruar nga kompania në atë kohë, me 3 muaj pa paguar. Për Edi Ramën, ky është hajdut energjie. Sot cdo qytetar në këto kushte do të kishte përfunduar ose në errësirë, ose në burg. Por Damiani është ministër. Dhe janë mijëra familjarë që trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, pa të drejta, pa mundësi apelimi, askush nuk dëgjon zërin e tyre.

Ndaj qytetarëve nuk u ka mbetur asnjë mundësi tjetër. 

Letra e Edi Ramës do të përfundojë aty ku e kanë vendin të tilla letra. 

Edi Rama nuk ka lënë zgjidhje tjetër, përvec protestës. 

Dhe protestë do të ketë, edhe më masive edhe më popullore, derisa e keqja të ndalet.