Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha takohet me qytetarë të Shkodrës të cilët po përjetojnë kohën më të keqe të jetës së tyre. 

Shkodra ka qenë ndalesa e radhës e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në bashkëbisedimin me qytetarët, për situatën ekonomike. Banorët i kanë shprehur zotit Basha shqetësimin e tyre për nivelin e lartë të papunësisë,  braktisjen nga qeveria dhe gjendjen e vështirë që po kalojnë. Ndërsa të rinjtë shohin si të vetmen shpresë largimin nga Shqipëria, biznesi është gati të shpallë falimentimin për shkak të taksave të larta dhe gjobave korruptive. Banorët shprehen se ndërsa krimi kërcënon çdo ditë jetën dhe pronën e tyre, policia është e zënë me gjithfarë pune, përveç sigurisë së qytetarëve.

“Përnatë e lusim Zotin, ishalla s’njehim në nade çfarë hallesh e stresesh kena. Pa drita, pa dreq, pa bukë, veç vijnë e kërkojnë lek, lek, lek, lek, lek. Ku me i marrë?!”, tha një qytetar.

“Çdo i ri të vetmen shpresë që ka është me ikë jashtë”, u shpreh një i ri.

“E mbyti këtë popull. Taksat po i shton dyfish, te tana ça është t’u ba”, protestoi një tjetër.

“Po si populli nuk çohet në kamë, se nuk ka ba kush ça po ban ky. Këtu nuk shifet kurrfarë perspektive për mirë”, tha një shkodran.

“Ai po na çmend, po na ban me zemër, me tension, tuj prish tana shpiat e Shkodrës e te tan Shqipnisë. Ai veç tuj ba qef për vete e tan ai grupi i vet”, u shpreh i revoltuar një tjetër.

“Nuk e mbajmë mend ma keq se këtë vit. Ky popull  ash duke shku poshtë e ma poshtë përditë”, tregoi një shkodran tjetër.

“Më dridhet trupi, më beson se s’kam me çka me e marrë një kg vaj”, tha një tjetër.

“Tashi ky don me na çu edhe dritat, edhe taksat e duqanit, edhe taksat e makinave, e don me na çu gjithçka. Ky vetëm kur të dojnë të na varin…..  Duhet me u çu tan populli e këtij duhet me ia ba sikur ia kane ba në ’91”, tha I revoltuar një shkodran tjetër.

“Shqipëria mezi pret çlirimin nga kjo torturë qeveritare”, apeloi një qytetar.

Në zonat rurale banorët shprehen se nuk kanë marrë asnjë subvencion, ndonëse iu është premtuar shumë në fushatë. Disa prej tyre thonë se u kanë ndërprerë dhe shkollën fëmijëve pasi nuk kanë asnjë mundësi financiare për ti çuar në shkollë.

“Kërkon drita, kërkon taksa, kërkon ujë, kërkon tana po ai a ka ndonjë detyrim ndaj nesh?!”, tha një qytetar që priti Bashën.

“195 mijë merr gruaja,”- shprehet një qytetar. Basha: “Sa vetë jetoni me atë rrogë? Qytetari:”6 vetë, kam hekë fëmijët prej shkolle krejt, s’di ça me të thanë ma.”

“Unë jetoj me të zezën teme, jetoj me kurrisën”, tha një tjetër.

“Sot të jesh i bindur se 30% e kësaj popullsie po bahen gati me marrë azil në Gjermani, në Francë e kudo”, tregoi një qytetar.

“Unë jam vetë i 6-të pa punë, pa asigja në botë. Ça me ba?! Me u çu në protestë e me i lujt pipat dhe me i ba ça të mundena”, apeloi një qytetar tjetër në këtë zonë.