Kryetari i Partisë Demokratike organizon një tryezë me përfaqësuesit e biznesit, ku u kërkon të angazhojnë potencialin e tyre për të ndaluar paketën fiskale që do të sjellë një kolaps në ekonomi dhe falimentim të biznesit 

Kryetari i Partisë Demokratike organizoi sot një tryezë me përfaqësues të biznesit në lidhje me paketën fiskale të qeverisë që parashikon rritje të mëtejshme të taksave.

Basha u bëri thirrje bizneseve të angazhojnë potencialin e tyre e të bashkohen në aksionin për të ndaluar këtë rritje taksash, që do të sillte pasoja katastrofike për ekonominë dhe biznesin.

Rritja e parë e taksave që bëri qeveria një vit më parë, tha Basha,  solli recesion, një rritje e mëtejshme do ta thellojë atë dhe do ta fusë ekonominë në paralizë.

Duke bërë të ditur se nuk është aty për të fituar kapital politik, Basha tha se opozita mund të zgjidhte të kundronte krizën që po shkakton qeveria, por ka zgjedhur të angazhohet për të ndaluar skenarin më të keq për ekonominë e vendit.

“Rritja e të ardhurave buxhetore duhej të mbështetej në mirëadiminstrimin fiskal dhe zhvillimin ekonomik dhe jo në rritjen e barrës fiskale. Politika fiskale në asnjë mënyrë nuk duhet kthyer në qëllim në vetvete në mbushjen afatshkurtër të buxhetit të shtetit dhe duke rrezikuar në afatgjatë zhvillimin e ekonomisë kombëtare. Me keqardhje unë vë re që, në mënyrë të përsëritur, Shqipëria nuk ka Ministri Ekonomie sepse mungon vlerësimi ekonomik për efektet e paketës fiskale mbi secilin sektor dhe ekonominë kombëtare në tërësi”, u shpreh Gjergj Buxhuku i Konfindustrias. Buxhuku parashtroi kërkesat e organizatës që përfaqëson, konkretisht: Rikthim në taksimin e sheshtë me bazë maksimumi 10% për të gjitha bizneset që veprojnë në tregje të hapura. Rikthim në taksimin e sheshtë me 10% për të gjitha të ardhurat personale plus pagën, pa dallim. Gjithashtu Buxhuku tha se duhet lehtësuar bllokimi i plotë i lejeve të ndërtimit, sepse praktikisht ka çuar në kolaps industrinë e materialeve të ndërtimit, industrinë e ndërtimit dhe punësimin e njerëzve në këtë sektor.

“Ajo që do të kërkoja unë është që prirja dhe tendenca e cdo qeverie duhet të jetë ulja e ngarkesës fiskale dhe administrimi i saj. Për sipërmarrjen ky duhej të ishte mentaliteti më i drejtë dhe objektiva nuk duhet të jetë rritja e taksave por se si të luftojnë evazionin fiskal. Së dyti, ne kërkojmë disa politika nxitëse dhe stimuluese në fushën e turizmit. Ne kemi kërkuar që nga 20 përqind, TVSH,  të jetë 8 ose 10 përqind pasi vendet e rajonit e kanë shumë më të vogël se sa ne, e kanë gati 2-3 herë më pak, Greqia e ka 6.5 tani, dhe Greqia kur e bëri këtë politikë në 2011 u rritën të ardhurat në fushën e turizmit. Sigurisht kur ka qenë tatami mbi fitimin 10 përqind, nuk ishte shumë e ndjeshme për biznesin, por tashmë që taksa është bërë 15 përqind, të paguajmë edhe më shumë shkon në 30 përqind, pra është një skemë që ndoshta do të rrisë evazionin në sektorin e ndërtimit dhe punët në dy balance. Kjo nuk është gjë e mirë se ne çdo ditë e më shumë jemi të ndërgjegjshëm që duhet të kontibuojmë në buxhetin e shtetit”, u shpreh Luan Bregasi, përfaqësues i Biznes Albania. Bregasi shtoi se ata kërkojnë një klimë më të mirë për të punuar, konkurencë të barabartë, jo politika monopol, të paguajnë të gjithë, jo dikush të paguajë e dikush të mos paguajë, të ulet presioni i njerëzve të klientelës.

“Të gjitha vendet e rajoni po bëjnë politika kryesisht lehtësuese për turizmin pasi mendojnë se është industria më e rëndësishme e vendit. Nëse do të zbatoheshin politikat që ka rajoni Shqipëria do të kishte 1 deri në 2 miliardë euro më tepër të ardhura nga turizmi. Po rriten të ardhurat që shqiptarët nxjerrin jashtë pasi nuk gjejnë statndarte dhe nuk gjejnë mundësitë për të pushuar në Shqipëri. Viti 2014 ishte viti më i tmerrshëm. Rreth 54 milionë euro shqiptarët nxorën më tepër jashtë nga viti 2013. Shifrat janë zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë”, u shpreh Topuzi i Shoqatës Shqiptare të Turizmit.

Dhoma Amerikane e Tregtisë është sot dhoma që përfaqëson interesat e një grupi të madh investitorësh të huaj.

“Ne kemi disa shqetësime që këtu nuk dolën shumë në pah. Investitorë nuk kanë kahe politikë dhe nuk janë klientë të asnjë partie dhe të askujt. Në këtë sens ato shqetësime që lidhen ngushtë me të ardhurat dhe bzinesin e tyre. Na është lënë shumë pak kohë për Paketën Fiskale, më pak se një javë, por kemi marrë opinionin e të gjithëve. Të gjithë bizneset e huaja, duke qënë se janë biznese amerikane dhe vijnë nga një vend ku kanë një legjislacion të përcaktuar, e kanë shumë të vështirë në vendin tone, ku evazioni dhe korrupsioni janë në nivele shumë të larta. E kanë të vështirë të operojnë. Ata kanë shqetësim se çdo rritje taksash rëndon mbi kurrizin e tyre. Rritja e taksave do ta përkeqësojë këtë raport kundrejt ekonomisë formale tek ajo informale. Rritja e këtyre taksave do të rëndojnë dhe më shumë këto biznese. Një shqetësim tjetër është për të ftuar biznese të huaja. Një feedback që morëm nga një takim në SHBA me biznesmenë është se ata e konsiderojnë Shqipërinë si vend pa stabilitet, stabilitet ligjor dhe stabilitet taksash. Pra sot vihet një taksë dhe pas një viti shtohet. Këtë ia bëmë të qartë edhe komisionit të Ekonomisë. Ua thamë që nuk ka elementë politikë për rritje taksash, por kush do ta paguajë vrimën në buxhet, investimet e huaja?! Por ai nuk do vijë më të investojë tek ne sepse paketa nuk ka marrë parasysh sa janë taksat në rajon të cilat janë në nivelin të 10%. Ditën që invetsitori do paguajë 15% tatim fitimin dhe 15% mbi dividentin, atëhere pse do vijë tek ne?!”, u shpreh përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Eskperti kontabël, Agim Binaj tha se nuk është koha për të rritur taksat.

“Unë gjykoj që nuk është koha për të rritur taksat, aq më tepër në këto nivele që mendohet të rriten sepse këtu ka gabime të tilla si thotë ai TAB-i mbi depozitat. Tabi nuk është mbi depozitat, është mbi interesat se nuk ka asnjë vend në botë t’i marrë dikujt 15% mbi depozitën që ka në Bankë. Ky është një gabim teknik. Dividenti nuk duhet të rritet kurrësesi. Vende të tjera si Bullgaria e vende të tjera të Ballkanit e kanë 10%, që ata janë edhe në Europë. Kam një studim të bërë në 31 vende dhe të pakta janë vendet në rajonin tonë që e kanë 15%. Ai shkon 10-12%, si Kroacia, etj. Përse nuk mendojmë të bëjmë politika përshëmbull në turizëm? Kroacia e ka 13% TVSH. Bullgaria e ka 9%. Kjo është politikë, që unë zhvilloj turizmin. Apo në Bujqësi sepse ne themi dy janë degët kryesore, Bujqësi, Blektori. Nuk mendohet fare për këtë. Unë mendoj që, për të mbuluar keqadministrimin e taksave ne mundohemi të rrisim taksat. Ne e dimë shumë mirë që evazionin fiskal e kemi 40%. Pse s’mendojmë ta ulim evazionin në 20% dhe ti japim buxhetit 400 milion euro? Se kaq dalin llogaritë. Unë jam kundër rritjes së dividentit sepse kjo do pengonte investimet në fushën e kapitalit. Ne jemi për rritje të kapitalev
e. Përshembull, kemi shoqëri të huaja që operojnë në Shqipëri që kanë investuar 12 miliard, 20 milion euro, dhe ti t’i marrësh 15% mbi dividend, kur të gjitha vendet e rajonit e kanë 10%, maksimumi 12%?”, shprehet Binaj.

Përfaqësuesi i Agrobiznesit, ka konstatuar se është hequr fare mbështetja për fermerin.

“Paketa e cila është për Bujqësinë, është një paketë thjesht për 10-15 biznesmen të cilët merren me grumbullimin dhe tregtimin, ndërsa për fermerin deri më sot nuk ke asnjë fjalë që thuhet do mbështetet fermeri. Edhe ato mbështetje të pakta që pati për mbjelljen e drufrutorëve, ullirit dhe aroreve, ato janë hequr. Problemi madhor sot për fermerin është rritja e kostos. Është hequr në vitin 2013 TVSH-ja për inputet bujqësore. E kishin kërkuar, edhe këta që janë sot, bashkë me ne, që e kishin mbështetur edhe Opozitën e atëhershme, duke i bërë Maxhorancës së athershme presion që të heqësh TVSH-në për imputet bujqësore, për të ulur koston në mënyrë që të kemi rritje të prodhimit bujqësor. U hoq, por me të ardhur në pushtet, e hoqën këtë skemë, që të mos ketë rritje të prodhimit për interesa klienteliste që të rritet importi. Dihet që para 7 vjetve ka qenë importi 1 me 13, dhe para një viti ishte 1 me 7 që do të thotë që ata që importonin artikuj për konsum ditor për qejf të vet kishin të ardhura marramendëse që do të thotë se do ti mbrojnë me të gjitha mënyrat dhe godasin prodhuesin tonë”, u shpreh përfaqësuesi i agrobiznesit, Ferizaj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se vitin e kaluar opozita kundërshtoi rritjen e taksave gjë që solli për vitin 2014 përkeqësim, evazion, mosrritje të të ardhurave dhe goditje të përqendruar ndaj biznesit.

“Ne besojmë jo për demagogji por për emergjencë kombëtare se nuk duhet të mjaftohemi sot në këto kushte me rikhtimin e taksës së sheshtë 10 %, por duhet të japim sot një sinjal të fortë pendese për paparashikueshmërinë dhe pasigurinë që kemi krijuar me amullinë fiskale në këto 15 muaj dhe vullneti politik nëse ekziston dhe demonstrohet, unë ju garantoj sot si kryetar i opozitës do të dal ta përshëndes i pari”, tha Basha, duke shtuar se konkurues do të thotë që ta shikojnë Shqipërinë me të njëjtin interes siç shikojnë vendet më konkuruese të rajonit, 9%, 8.5% po të jetë e nevojshme, të bëhet taksa e sheshtë.

Nga ana tjetër, Basha kërkoi vëmendje dhe politika të qarta stimuluese për sektorët strategjikë.

“Le ta marrim nga bujqësia. Kemi pasur në total 45 mijë fermerë të financuar në 6 vite. Siç thatë ju z.Ferizaj unë kam qënë në terren tek fermerët e Lushnjës,  Fierit dhe Vlorës në fund të kësaj jave që shkoi. Ose nuk kam parë subvension me sy ose aty ku e e merrnin 15 veta subvencionin sot e marrin 3, dhe cilët 3?! 3 më të kamurit. Ata që janë më në gjendje. Ndërsa për të gjitha premtimet e tjera ka 0 realizime. As rimbursim për naftën, as subvencionim për kultivimin e pemëve frutorë të ullirit apo pemëve të tjera. Asgjë. Këtu jemi në nivelin e fjalëve dhe paketa fiskale dhe buxheti 2015 e përkeqëson këtë”.

“Ne nuk po bëjmë politikë me këtë paketë, në kuptimin elektoral të fjalës. Ne po kërkojmë, e do ta kishim fare të lehtë të nderuar zonja dhe zotërinj , mos t’u flisnim fare, mos t’u dëgjonim fare. po të gjerbnim kafenë nëpër kafenetë e opozitës e të prisnim ndërsa kjo të rrokullisej ashtu si do të rrokulliset nëse do ta lëmë të rrokulliset. Kemi marrë një tjetër detyrë përsipër, s’po presim që ti dalë flaka në kulm por po bëjmë gjithshka për të parandaluar një katasrofë ekonomike të përmasave të pandjera që nga 1997-ta për efektet ekonomike dhe sociale”, deklaroi Kryetari i opozitës, Lulzim Basha.