Intervistë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Bruksel, pas punimeve të Asamblesë Parlamentare të Partive Popullore Europiane

Pyetje: Keni marrë pjesë në takime të Asamblesë Parlamentare të Partisë Popullore Evropiane, me të cilët keni ndarë disa shqetësime që opozita sot i ngre vazhdimisht. Për çfarë bëhet fjalë?

Basha: Opozita është një lëvizje dypalëshe: në takime me qytetarët për të dëgjuar drejtpërdrejtë problemet e tyre dhe për t’i kthyer ato në veprim opozitar, në takime me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me institucionet evropiane, për të shprehur gjendjen aktuale të vendit, shqetësimet tona për demokracinë, për gjendjen ekonomike dhe shoqërore dhe për të marrë përkrahjen e Bashkimit Evropian, të institucioneve të Bashkimit Evropian, të partive tona si motra, për veprimin opozitar. Prej më shumë se gjashtë muajsh, qeveria sistematikisht po asgjeson çdo hapësirë institucionale ku opozita dhe shumica të bëjnë debat, të bëjnë transparencë para qytetarëve shqiptarë për çfarë po ndodh në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse, opozita shqiptare, Partia Demokratike, unë personalisht, u jemi drejtuar drejtpërdrejtë qytetarëve shqiptarë. Problemet e tyre, shqetësimet e tyre, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me situatën e rënduar ekonomike në vend, me rritjen e çmimit të energjisë dhe taksave për vitin e ardhshëm, me dhunën dhe paligjshmërinë qeveritare me pronën dhe jetën e qytetarëve, me instalimin në vend të një shteti policor i cili vepron kundër rregullave të shtetit ligjor, pra të ligjeve dhe kushtetutës së vendit na jane bere te ditura drejtpërdrejtë nga qytetarët shqiptarë me raste konkrete të evidentuar me fakte të pakundërshtueshme. Këto janë edhe shqetësimet që po paraqesim këtu në Bruksel pranë institucioneve evropiane, pranë partive si motra, ku po gjejmë jo vetëm interesimin e tyre, jo vetëm shqetësimin e thellë për situatën në Shqipëri, por edhe përkrahjen e plotë për aksionin opozitar.

Pyetje: Komisioni Evropian ka thënë si mesazh kryesor që duhet të vendoset dialogu politik, i qendrueshëm dhe konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri. Parlamenti nga ana tij është i gatshëm për të ndërmjetësuar një marrëveshje midis mazhorancës dhe opozitës. A mendoni ju që propozimet aktuale të mazhorancës janë të mjaftueshme që ju të ktheheni në kuvend?

Basha: Mazhoranca po bën gjithçka për ta shmangur përgjegjësinë dhe për të mos trajtuar thelbin e problemit. Problemi është që kjo shumicë nuk dëgjon. Arsyeja kryesore se pse vendi është zhytur në këtë situatë ekonomike, në këtë situatë politike, është sepse qeveria shpërfill zërin e qytetarëve, shpërfill zërin e opozitës, shpërfill institucionet dhe mundohet t’i kapë ato t’i vërë nën zotërimin e saj të paligjshëm. Ky është një shqetësim i jashtëzakonshëm për ne. Eshtë një shqetësim i madh edhe për Bashkimin Evropian edhe për partnerët tanë dhe për të gjithë bashkëbiseduesit që unë kam takuar dhe vazhdoj të takoj këtu në Bruksel. Bashkë me shqetësimin tonë të thellë për situatën në vend, kemi gjetur dhe mirëkuptimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë, të institucioneve evropiane, partive tona si motra, Partisë Popullore Evropiane.