Deputeti Strazimiri denoncon korrupsionin me lejimin e ndërtimeve të miqve të Kryeministrit dhe i bën thirrje qytetarëve të kundërshtojnë dhunën dhe arrogancën e qeverisë

Prishjet selektive që po bën Edi Rama, po lënë pas një padrejtësi revoltuese.

Në sytë e qytetarëve, në jetën e tyre të përditshme, në rrugën, lagjen ku ata jetojnë, Edi Rama po lë dëshmi se miqtë e tij, klientela e tij janë të paprekshëm.

INUK patrullon si bandë zuzarësh dhe ka krijuar një gjëndje lufte kundër të pamundurve, atyre që nuk kanë lidhje me Edi Ramën, duke hedhur në tokë mundin dhe djersën, të vetmen mundësi që kanë për t’u ushqyer.

Por asnjë gërvishtje nuk pësojnë ndërtesat e lokalet Koco Kokëdhimës, të Vangjush Dakos, kryetarit të PS në njësinë 10, kryetarëve socialist të minibashkive, zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, apo të vetë funksionarëve të lartë të INUK.

Shtesat, godinat, baret apo lokalet e pushtetarëve e njerëzve të afërt me Edi Ramën, gjenden kudo, kanë zënë hapësirën publike, kanë ngushtuar trotuaret, por ato nuk preken.

Justifikimi i INUK se ndërtimet e miqve të qeverisë kanë dokumentacion është qesharak, pasi kjo bandë zuzarësh ka bërë hi kudo edhe ndërtesa të legalizuara, edhe prona të ligjshme.

I nderuar qytetar që prej 1 viti rri me gjak të ngrirë “se mos kalon këtej Ai”, dhe të heq strehën e fëmijëve, të prish biznesin më të cilin i mban ata me bukë, të bën pluhur e hi mundin dhe sakrificën e shumë viteve:

Kur erdhi të të kërkonte votën këtu e 1 vit e gjysëm më parë, a ishte Ai që të tha “ta gëzosh se as Enver Hoxha nuk e prish dot më” madje “e ke falas legalizimin”? Apo të tha që do të bënte këtë që po bën?

I nderuar kryefamiljar që me djersë përpiqesh të rrisësh femijët me bukë të ndershme: 1 vit e gjysëm më parë kur erdhi të të kërkonte votën a të tha që faturën e energjisë elektrike do të ta bënte të papërballueshme madje që do të përfundosh në burg nëse nuk ke mundësi ta paguash?

A të tha që do të rriste 2 herë brenda vitit çmimin e karburanteve, dmth, të bukës, vezës, makaronave, orizit?

A të tha që nuk do të të rritet asnjë cent rroga, por vetëm taksat disafish?

I nderuar biznesmen që sot ke frikë të dukesh që ke para:

1 vit e gjysëm më parë kur erdhi të të kërkonte votën, a të tha që do të të rriste çdo taksë e tatim, që do të kishe mbi shpinë çdo ditë që ka fal zoti gjobvënësit e tij, madje që do të rriste taksën mbi depozitat për të të vjedhur çdo cent të ndershëm që ke në bankë?

Dhe në fund një pyetje që na rri mbi kokë të gjithëve si shoqëri:

-A ka formë arrogance më revoltuese se sa një qeveri që sa herë mblidhet vendos se si të varfërojë popullin e saj, deri në bukën e gojës, madje me cinizëm, në këmbim “t’i dhurojë” “hapësira me bar” dhe “zona pedonale”?

Të nderuar vëllëzër e motra të çdo bindje politike,

Ka ardhur koha të reagojmë SOT, ndryshe rrezikojmë të shndërrohemi në një shoqëri mazokiste, që e shijon dhe meriton ndëshkimin dhe arrogancën e një sadisti…!


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, 25 Tetor 2014