·Opozita ka vizionin, platformën dhe vullnetin për një reformë europiane të sistemit të drejtësisë 

·Procesi kërkon Transparencë, Konsensus, Gjithpërfshirje dhe ekspertizë Europiane.

·Drejtësia dhe zbatimi i ligjit kërcënohen kur shumica dhe qeveria janë të parët që shkelin kushtetutën dhe ligjin dhe nuk zbatojnë vendimet e gjykatave.

 

I nderuar zoti President,

Z. Kryetar i Kuvendit

Z. Kryeministër

Të nderuar Kryetarë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, gjykatave të vendit, gjyqtarë, ambasadorë, zonja dhe zotërinj.

Së pari, dua të përshendes iniciativën e Kreut të Shtetit dhe të shpreh konsideratën time, ne emër të opozitës, se kjo është forma e duhur e gjithëpërfshirjes, e rrugës për një reformë konsensuale që  garanton qendrueshmërinë në kohë, të një reforme e cila duhet të mbetet brenda kornizës europiane.

Për arsye që dihen botërisht opozita ka ndërprerë marrdhëniet me parlamentin.  Këto arsye lidhen drejtpërdrejt edhe me temën që na ka mbledhur sot në këtë sallë me ftesën tuaj zoti President.

Drejtësia është një nga temat e mëdha të konfliktualitetit politik sot në vend. Ajo ka të bëjë me sundimin e ligjit në Shqipëri. Ka të bëjë me sundimin e ligjit që është i lidhur ngushtësisht me zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, në radhë të parë nga institucionet, në radhë të parë nga Parlamenti dhe nga Qeveria. Sundimi i ligjit dhe zbatimi i vendimeve të gjykatave janë të lidhura fort me njëra-tjetrën.

Ne jemi mbledhur sot në këtë tryezë, për të diskutuar për reformën në Drejtësi, për zbatimin e ligjit, ndërkohë që shumica ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për herë të parë, e përsëris për të parën herë në këto 23 vite. Ndërkohë që ekzekutivi dhe agjensitë e tij vazhdojnë të cënojnë dhe dhunojnë haptasi interesat dhe të drejtat legjitime, ligjore dhe kushtetuese të qytetarëve të Republikës në shkelje jo vetëm të ligjit por edhe të vendimeve të gjykatave të vendit.

Tema tjetër e madhe e konfliktit politik shumicë – opozitë ka të bëjë me integritetin e ligjvënësve. Të asaj trupe që pretendon të luajë një rol reformues në drejtësi. Prania si kurrë më parë në trupën e ligjvënësve e subjekteve të sistemit të drejtësisë, të individëve që kanë qenë në bankat e të akuzuarve dhe më pas të dënuar për vepra penale të natyrës së krimit të organizuar – kompromenton rëndë motivet, kapacitetin dhe drejtpeshimin e tyre për të marrë përsipër për aq sa u takon rolin e tyre si reformatorë të drejtësisë.

Ne jemi sot në këtë tryezë për të konfirmuar vullnetin tonë. Opozita e sotme ndryshe nga ajo e djeshmja mbështet reformën në drejtësi, si një domosdoshmëri, si një nevojë për rrugëtimin tonë Europian. Ne vijmë në këtë tryezë me një vizion dhe me një platformë të cilën ekspertët tanë do ta elaborojnë në panelet pas këtij prezantimi.   

Do më lejoni ta bëj fare të qartë para jush se ne mbështesim dhe kërkojmë zbatimin pa hezitim të një MODELI, NJË MODELI EUROPIAN për reformimin e drejtësisë.

Modeli europian bazohet në parimin e konsolidimit të pavarësisë, eficensës dhe llogaridhënies së sistemit të drejtësisë. Një reformë e cila bazohet në dy shtylla kryesore:

 1-Reformimi i sistemit për të luftuar korrupsionin, i cili duhet të bëhet nga vetë sistemi dhe jo nga Qeveria. E thënë troç: Qeveria duhet të mbajë larg duart nga gjyqësori. Kapja politike e gjyqësorit është burimi më i keq i deformimit dhe korrupsionit në drejtësi.

2-Konsolidimi i pavarësisë së gjyqësorit nga politika dhe pushteti ekzekutiv, përmes forcimit të organeve vetqeverisëse, dhe rritjes së rolit të tyre në përgjegjshmërinë, transparencën dhe llogaridhënien e gjyqësorit para ligjit, para kushtetutës, para qytetarëve. Dhe askujt tjetër.

Modeli Europian që ne kërkojmë dhe mbështesim bën të mundur forcimin e eficensës dhe efektivitetit të sistemit të drejtësisë pa bërë kurban pavarësinë. Pa lejuar që reforma të kthehet në një alibi për ta futur drejtësinë në sqetullën e pushtetit e për ta kthyer atë në një shtojcë të tij.

A mund të ketë model europian të drejtësisë kur qeveria dhe shumica shkelin ligj dhe kushtetutën për të miratuar natën, pa asnjë konsultim dhe kundër thirrjeve të partnerëve ndërkombëtarë paketa ligjore të personalizuara që synojnë kapjen dhe nënshtrimin e sistemit të drejtësisë ndaj pushtetit politik të shumicës dhe ekzekutivit? Si në rastin e paketës së 31 korrikut kur u tentua kapja e KLD, Shkollës së Magjistraturës dhe Gjykatave Administrative me një goditje. Dhe kur shansi që u paraqit me dekretet e Presidentit të Republikës për të reflektuar mbi shkeljet evidente të ligjit dhe Kushtetutës, u hodh poshtë me arrogancë të pashoqe partizane. 

Opozita po e ndjek këtë çështje deri në institucionet e ngarkuara me mbrojtjen e Kushtetutës, por ia vlen të rikujtojmë se kur partnerët i kërkuan shumicës të priste ardhjen e ekspertëve europianë, përgjigja ishte: jemi në emergjencë!! Erdhën ekspertët dhe e vetmja emergjencë ishte shkarkimi i anëtarëve të KLD! Asgjë tjetër nuk ka ndodhur. Kjo është e vërteta!

A mund të ketë model europian kur komunikimi publik i shumicës për këtë reformë është reduktuar në një anatemim jakobinesk të gjyqësorit në bllok, në përpjekje për të denigruar të gjithë gjyqtarët, e cila s’mund të jetë gjë tjetër veçse një premisë për t’u hedhur lakun e nënshtrimit politik. 

Populizmi nuk është zgjidhje. Të flasësh në emër të popullit nuk është zgjidhje. Wshtë mungesë vizioni në rastin më të mirë, jorgan për të mbuluar axhendën politike në rastin më të keq. 

Reforma kërkon vizion, kërkon platform. Deri tani kjo shumicë ka kaluar vitin dhe nuk ka prezantuar asnjë vizion dhe asnjë platformë.

Modeli Europian, sipas nesh, kërkon një proces TRANSPARENT, GJITHPËRFSHIRËS, ME EKSPERTIZË EUROPIANE DHE ME KONSENSUS. 

Kërkon TRANSPARENCË në rradhë të parë. Një autostradë europiane të vendimmarrjes, jo korsi emergjence në mes të natës, aq më pak shteg dhish nën pishtarin e çobanit që i prin kopesë. Të mos ndodhë ajo që nuk kish ndodhur në 23 vjet, ku ekspertëve europianë iu fshehën draftet e paketës verore. Të gjitha propozimet duhet të përgatiten para qytetarëve, para publikut, para aktorëve të sistemit, para partnerëve.

Procesi kërkon GJITHPËRFSHIRJE. Jo vetëm të aktorëve politikë. E përmendi Presidenti, e përmendi Kryetari i Kuvendit,  duket edhe kreu i ekzekutivit ka reflektuar në këtë çështje ndaj nuk po zgjatem.

Procesi kërkon KONSENSUS me bazë të gjerë. Që garanton jetëgjatë

sinë e fryteve të reformës duke i ankoruar ato fort tek parimet e gjithëpranuara europiane të një drejtësie të drejtë, të shpejtë dhe të paanshme. Jo një reformë të njëanshme me fryte të helmuara nga axhenda politike që synojnë të ulin  në gjunjë dhe të kapin drejtësinë.

Procesi kërkon EKSPERTIZË DHE MONITORIM EUROPIAN DHE EURO-AMERIKAN. Për të shmangur dhe parandaluar në të ardhmen ethet për ti rrëshqitur modelit europian dhe për ta zëvendësuar atë me modelin oligark të kapjes e jo reformimit të drejtësisë.

Natyrisht sindroma e vitit zero nuk është dhe nuk mund të jetë pikënisja për asnjë reforme të sukseshme. Zonja dhe Zotërinj, këtu jemi, këtu kemi qenë dhe dihet fare mirë se në çfarë gjendje ishte drejtësia para 10 vitesh. Infrastruktura e gjykatave ishte për faqe të zezë. 2-3 gjyqtarë në një zyrë 10 m2 e cila shërbente dhe si sallë gjykimi, por pa kompjutera dhe me zero trasparencë.

Në krye të çdo gjykate të vendit, nga shkalla e parë e deri në gjykatë të lartë dhe Gjykatën Kushtetutese, ishin ish-ministra, ish-zv.ministra, deputetë apo drejtues të forumeve të larta të Partisë Socialiste.

Megjithatë asnjë mandat nuk u ndërpre. U përmirësua infrastrukura e sistemit të drejtësisë, u ndërtuan apo rikonstruktuan mbi 30 godina të gjykatave dhe prokurorive. U dixhitalizua i gjithë sistemi i drejtesisë. Menaxhimi i çështjeve dhe sistemi dixhital janë ndër më të përparuarit në rajon ndërsa sistemi audio që po shkon drejt përfundimit dhe dy gjykata që kanë mbetur akoma raportohet të jetë unik në rajon.

Dhe këto janë hapa të duhura drejt transparencës. Jo vetë transparenca por parakusht për transparencën, e cila së bashku me monitorimin janë instrumentet bazë për luftën ndaj korrupsionit dhe vendosjen e besimit të publikut te drejtësia.

Siç e thashë më lartë, ekspertët tanë do të paraqesin, me rastin e kësaj tryeze, objektivat, instrumentet, platformën, vizionin tone. Jemi të hapur ta diskutojmë dhe kemi ardhur ta diskutojmë me të gjithë faktorët e përfshirë në këtë diskutim.  

Më lejoni fare shkurtimisht të përmend se për ne, katër janë OBJEKTIVAT KRYESORE TË REFORMËS:

1.Së pari përmirësimi i transparencës, eficencës dhe llogaridhënies të të gjithë institucioneve të sistemit të drejtësisë, përmes rritjes së kontrollit dhe përmirësimit të mekanizmave të monitorimit të sistemit gjyqësor, me fokus të vecantë luftën ndaj korrupsionit dhe praktikave që e nxisin atë. Disa nga pyetjet që shtrohen për të arritur këtë objektiv kanë të bëjnë me faktin nëse:

-A mund të realizohet mbikëqyrje efektive e mbi 300 gjyqtarëve vetëm me 15 inspektorë?

-A mund të realizohet mbikëqyrje efektive nëse mbivendosen kompetencat e inspektimit, përmes ekzistencës së dy inspektoriateve, edhe pse kjo bie ndesh me rekomandimet e standardet europiane?

-A mund të realizohet mbikëqyrja nëse nuk ngrihet një mekanizëm i shpejtë dhe efikas i vlerësimit dhe analizimit të ankesave të qytetarëve kundër veprimtarisë së gjykatave, që t’iu sigurojë qytetarëve zgjidhje të problemeve?

-A mund të jetë përgjegjës KLD për gjëndjen e gjyqësorit, kur ekskluzivitetin e procedimit disiplinor të gjyqtarëve e ka Qeveria?

-A mund të flasim për luftë kundër korrupsionit kur nuk konsolidojmë rregullat dhe kriteret që lidhen me emërimin, promovimin apo transferimin e gjyqtarëve, me qëllim që ato të bazohen tërësisht dhe vetëm në parimin e meritokracisë, profesionalizimit dhe profilizimit të gjyqtarëve?

-A mund të flasim për efektivitet të punës së gjyqtarëve nëse nuk krijojmë garanci ligjore efikase për ruajtjen e jetës dhe dinjitetit të tyre?

Objektivi i dytë ka të bëjë me:

Konsolidimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, duke shmangur çdo ndikim të papërshtatshëm të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv në veçanti, të politikës në përgjithësi, duke konsoliduar dialogun dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, ku çdo pushtet bën detyrën e vet pa ndërhyrë në pavarësinë e pushtetit tjetër.

-A mund të flasim për pavarësi të sistemit gjyqësor, nëse ndërhyet dhe deformohet procesi i seleksionimit të kandidatëve për magjistraturë?

-A mund të flasim për pavarësi të sistemit gjyqësor dhe Gjykatës së Lartë, kur kandidaturat e përzgjedhura nga rradhët e profesionistëve të drejtësisë, rrëzohen pa asnjë argument që lidhet me meritën e kandidatit, por vetëm për shkak të preferencës politike të një shumice të caktuar?

-A mund të flitet për pavarësi kur raportohen telefonata të orëve të natës ndaj gjyqtarëve nga njerëzit më të pushtetshëm në këtë vend për t’ju bërë presion për çështje të caktuara ku qeveria apo shumica janë palë?

 

Objektiv tjetër i rëndësishëm është:

 

Përmirësimi i kuadrit ligjor të procedurave gjyqësore, për të garantuar respektimin e të drejtës për proces të rregullt sipas jurisprudencës së GJEDNJ, çka kërkon përafrim të sistemit të drejtësisë penale dhe civile me standardet e BE-së, për të reduktuar kohëzgjatjen e procedimeve penale dhe civile, si dhe uljen e ngarkesës së gjyqtarëve.

Dhe së fundmi, vendimet janë një gjë, zbatimi i tyre është një gjë tjetër.

Përmirësimi i procedurave të ekzekutimit për të mundësuar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë në kohë dhe pa sorollatje të pafund, mbetet një sfidë terminale për reformën në drejtësi.

Zonja dhe Zotërinj, masa e suksesit në reformën e drejtësisë është vendosja e besimit mes qytetarëve dhe drejtësisë. Vendosja dhe konsolidimi i këtij besimi, mes qytetarëve dhe Drejtësisë.

Prandaj objektivat e kësaj reforme: lufta ndaj korrupsionit, një drejtësi efikase, llogaridhënëse dhe transparente nuk mund të ndahen kurrë nga çelsëi i suksesit: Pavarësia e gjyqësorit.

Procesi transparent, gjithpërfshirës, me ekspertizë europiane dhe me konsensus, i orientuar drejt një modeli europian në të cilin forcimi i pavarësisë së gjyqësorit mbetet celësi. Këto janë për ne parakushti i suksesit. 

Por siç thashë në krye të fjalës sime, e gjitha kjo është dhe mbetet një iluzion sa kohë që shkelësja e parë dhe më e madhe e Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të gjykatave është vetë shumica, është vetë qeveria.

 

Faleminderit