Zëdhënësja Nebijaj denoncon menaxhimin që i bëhet asetit të cmuar të shqiptarëve për interesat e Koço Kokëdhimës

Albpetrol, një nga asetet më të çmuara publike, është kthyer për një vit në një simbol të abuzimit dhe përfitimit, zhvatjes e bastisjes, me anë të menaxhimit që i bën Koco Kokëdhima.

Koco Kokëdhima e kontrollon këtë ndërmarrje publike 24 orë në ditë. Nga roja i portës hyrëse e deri tek drejtori i Përgjithshëm, janë të gjithë njerëzit e besuar të Kocos, të afërm, familjarë, punonjës të bizneseve të tij.

Për shkak se vjedhja është kthyer në normë, Prokuroria e Fierit po heton një rast skandaloz të pak ditëve më parë ku qindra mijë tonë naftë kanë dalë nga Albpetrol pa faturë, për tu shitur në treg.

Pra qindra mijë tonë naftë e vjedhur, pasuri e shqiptarëve, e cila shkon drejt e në xhepat e Koco Kokëdhimës.

Ne e inkurajojmë Prokurorinë e Fierit të tregojë vendosmëri, të zbatojë ligjin, e ta cojë deri në fund hetimin mbi këtë kartel të rrezikshëm të naftës që drejtohet nga deputeti më i afërt i Kryeministrit, Koco Kokëdhima.

Vjedhja, dhe nxitimi për t’u pasuruar shpejt, makutëria e Kokëdhimës, ka bërë që ushtarët e tij që kontrollojnë Albpetrol, nga roja i derës hyrëse e deri tek Drejtori i Përgjithshëm, të zhyten në arin e zi pa fre, dhe këtë e ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, që për një vit gjeti 10 milionë euro abuzime.

Partia Demokratike i bën thirrje drejtësisë të mos tërhiqet para presioneve të superdeputetit të Edi Ramës, të tregojë përkushtim për mbrojtjen e pasurisë publike, e të zbatojë ligjin deri në fund.

Edhe oligarkëve më të rrezikshëm një ditë u ikën koha, dhe japin llogari para popullit e para drejtësisë, për zullumet që kanë shkaktuar.


Deklarata për media e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Oriela Nebijaj, 12 Tetor 2014