Kryetari i Partisë Demokratike dëgjon shqetësimet e një grupi qytetarësh dhe intelektualësh vlonjatë

 

 

 

 

Kryetari i Partisë Demokratike ka pritur sot një grup qytetarësh dhe intelektualësh vlonjatë, të shqetësuar për zhvillimet në qytetin e tyre. Basha dëgjoi nga afër ankesat e tyre për pasigurinë e jetës, për papunësinë, varfërinë, dhe për emërimet kriminale që janë bërë në postet kyce të administratës atje. Mungesa e perspektivës për të radhmen, sidomos për rininë, ka qënë një tjetër shqetësim i përfaqësisë nga Vlora. Pas takimit, z.Basha u shpreh para medias:

 

 

“Sot, në Partinë Demokratike, jam takuar me një grup intelektualësh, qytetarësh të Vlorës të cilët kanë kërkuar një takim me kreun e Partisë Demokratike, me deputetët, për të diskutuar dhe për të ndarë shqetësimin e tyre të thellë për gjendjen në Vlorë, për gjendjen në raport me sigurinë, sigurinë e jetës dhe të pronës të qytetarëve të Vlorës. Për gjendjen në raport me paligjshmëritë e panumërta dhe të përditshme që godasin padrejtësisht qytetarët e Vlorës për gjendjen ekonomike, shpunësimin masiv që po godet qytetarët e Vlorës e në veçanti rininë vlonjate, të gjitha këto në sfondin e llogjeve pafund të deputetit të parë të Vlorës për Partinë Socialiste, Kryeministrin e vendit Edi Rama, të Koço Kokëdhimës dhe oligarkëve të tjerë përgjegjës për këtë gjendje. 

Eshtë e lehtë që në morinë e përditshme të deklaratave e kundërdeklaratave, të rutinës së përbaltjes politike dhe demagogjisë, të shmangësh përgjegjësitë për qytetarët që të kanë votuar, të pretendosh se mund të zhgarravisësh, ashtu si me penelat mbi një copë letër, në një situatë virtuale të gënjeshtërt, demagogjike, kur gjendja është alarmante, është katastrofike. Asnjë vend i ri pune nuk është hapur në Vlorë. Përkundrazi, bizneset e Vlorës, janë detyruar nën presionin e taksave dhe paligjshmërisë qeveritare, të mbyllin vende pune. Mijëra burra dhe gra, të rinj dhe të reja, janë flakur nga radhët e administratës jo sepse kanë qenë emërime politike, disa prej tyre kanë shërbyer për dhjetra vite, por për ti hapur rrugën jo-militantëve të Partisë Socialiste, por një klientele që përzien bashkë njerëzit pa asnjë meritë, që sot emërohen Drejtorë të Spitalit Psikiatrik, nesër kapen me shkelje, largohen, dhe pasnesër emërohen Drejtorë të Aluizmit, kjo nga njëra anë, dhe lartësimin e krimit dhe njerëzve të lidhur me të nga ana tjetër. Askush nuk mund ta urojë, si një ëndërr të keqe, praninë sot e kësaj dite, në krye të Qarkut të Vlorës, me urdhrin e Edi Ramës dhe të Koço Kokëdhimës, të njeriut të akuzuar në Itali për tentativën të rrëmbimit të një vajze 12 vjeçare, i cili sipas gazetave, sipas shtypit Italian, citohet të ketë thënë se do të kishte qenë mirë ta kishin vrarë vajzën sepse kështu provat nuk do të ishin gjetur. Këto fakte rrënqethëse nuk janë thjesht një denoncim publik për kryetarin me të shkuar kriminale në krye të Qarkut të Vlorës, por janë e vërteta e Edi Ramës me Vlorën. Premtoi vende pune por punësoi dhe promovoi vetëm njerëzit e krimit dhe të klientelës lidhur me të. Premtoi ligj për këdo, por shkatërroi pa ligj pronat, djersën, gjakun e Vlonjatve, ndërkohë që sarajet e Koços hedhin shtat dita-ditës. Premtoi siguri, por u dha Vlonjatëve vitin e pasigurisë më të madhe në jetën e tyre. E ardhme e pasigurtë, ekonomi e dobët, kjo është oferta e ditpërditshme e Edi Ramës për Vlonjatët, për qytetarët, të cilët sot pas një viti, kanë të drejtë ti bëjnë vetes këtë pyetje: Ai ishte ky ndryshimi për të cilin votuam në 23 qershor, një vit më parë? Përgjigjen Vlonjatët e kanë. Vlonjatët nuk janë asnjëherë pa përgjigje dhe jam i bindur se kjo revoltë e ligjshme, ky shqetësim i thellë që ka kapluar Vlorën dhe vlonjatët e që mu përcoll sot përmes gojëve dhe mendjeve të qytetarisë vlonjate, të intelektualëve vlonjatë, do të di që përgjigjen ta bëjë publike, me zë të lartë, ashtu siç di dhe ka ditur gjithmonë Vlora”.