Prononcim për mediat i deputetit Genc Pollo

 

 

 

 

 

Mirëdita dhe faleminderit që erdhët.

Sot konfirmohet kryesisht që kryeinspektorja e Ministrisë së Arsimit, Znj. Jona Isufaj, e emëruar në këtë post nga neorilindasit e ka ditur të paktën që nga viti 2012 që Doktoratura e saj është e paligjshme dhe e pavlefshme sepse është lëshuar nga një shkollë e paligjshme dhe fantazëm. Një shkollë që ne e hetuam në vitin 2007 në bashkëpunim me shtetin Francez dhe në gusht të 2007, pra fiks 7 vjet më parë, publikisht apeluam që njerëzit mos bëheshin viktimë e këtyre skemave mashtruese arsimore. Megjithatë ajo pretendon që nuk e ka dëgjuar, pamvarësisht se shtypi e ka mbuluar gjerësisht, si ai i shkruar edhe televizionet, dhe ajo ka qenë syveshmbyllur apo letargjike edhe një vit më vonë kur mori diplomën deri në vitin 2012, kur pretendon që zyrtarisht i ka thënë Ministira e Arsimit kjo Doktoraturë, kjo diplomë Doktorature është e pavlefshme. Megjithatë ta lëmë mënjanë këtë gjë. Fakti që një person nga 2012, kur e di zyrtarisht, e përdor në CV-në e vet dhe në aplikimet për punësim si tek privatet dhe pastaj në Ministri, është vepër penale. Quhet mashtrim dhe e parashikon kodi penal. Por nuk e di a do lipsej në këto rrethana që jemi, ti themi zonjës Ministre të Arsimit, Lindita Nikolla, që duhet ta shkarkojë atë menjëherë apo ndoshta duhet të konsiderojë dorëheqjen sepse në çdo vend të Evropës ku duam të integrohemi, kështu thotë shpesh Edi Rama, në një rast të tillë as 24 orë nuk do ishin mbushur dhe personi ose do kishte ikur vet ose do ishte shkarkuar nga titullari. Por  në rrethanat tona, kur deputet bëhesh kur ke diplomë burgu, kur drejtor bëhesh kur je dënuar në Shqipëri, në Itali në Greqi dhe në Francë, e në vende të tjera për krime të ndryshme, përfshi edhe trafik droge, fatkeqsisht kjo me administratën tonë po bëhet normë dhe ky është problemi ynë real. Sot kemi vetëm një rast i cili kombinon edhe me kontrollin e universiteteve dhe që pikërisht një person i tillë, mund të kish qenë dikush tjetër fare mirë, pikërisht një person i tillë u zgjodh për ta drejtuar.  Dhe këto janë faktet konkrete, dokumentat i keni para sysh. Çështja është  që unë nuk shpresoj që do ketë një reagim, sepse edhe për raste më të rënda Qeveria ka zgjedhur të heshtë.

-Z. Pollo dje ka pasur një padi ndaj jush për shpifje, megjithëse deklaroni se dokumentat janë të tilla këtu. Znj. Isufaj tha se nuk ka patur informacion në momentin që është regjistruar nga shteti Shqiptar.

Informacioni ka qenë publik, mediatikisht shumë i mbuluar, që nga Gushti i vitit 2007 dhe gjithkush ka pasur mundësinë të kuptojë se duhej të tërhiqej nga një skemë mashtrueshe. Dhe pastaj të qendrosh në letargji apo të qendrosh sy dhe veshmbyllur mund të jetë, me ironi po e them, një zgjedhje personale. Por kur e merr vesh zyrtarisht nga Ministria e Arsimit që Diploma e Doktoraturës është e pavlefshme sepse shkolla që e ka lëshuar është e paligjshme dhe ta përfshish në CV-në tënde dhe në aplikimin që bën kur kërkon punë tek një institucion privat apo tek nje institucion publik siç është sëfundmi Ministria e Arsimit, kjo është një vepër penale që quhet mashtrim dhe e parashikojnë nenet përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Dhe këtu besoj se historia është e qartë dhe nuk ka nevojë për interpretime të tjera as për show mediatik. Kemi të bëjmë me fakte konkrete dhe kemi të bëjmë me qendrime konkrete. Ministrja  që e ka emëruar nuk flet, nuk prononcohet. Kryeministri ka 35 ditë që nuk prononcohet për rastin e deputetit me diplomën përkatëse, e kuptoni për kë e kemi fjalën, për te mos folur pastaj për radhën e drejtorave që o janë dënuar në Itali, o në Greqi ose edhe në Shqipëri por dhe në vende të tjera. Kjo është situata.

Znj. Isufaj dje tha që në dosjen, përfaqësues të Ministrisë kanë thënë edhe më herët, që në dosje nuk është përfshirë kjo Doktoraturë dhe nuk ka aplikuar për punë. Të paktën z. Mazniku këtë ka deklaruar dy ditë më parë.  

Nëqoftëse ju i besoni këto deklarata, ju qofshi. Pas denoncimit publik që bëmë ndoqëm edhe procedurën penale dhe çështja përfundoi në Prokurori dhe në Gjykatë pas disa vjetësh ku shefi mashtrues i kësaj skeme, një francez u dënua me burg nga gjykata e Tiranës dhe të gjitha këto fakte kanë qenë publikisht të publikuara, dhe publikisht të njohura, mjaftueshëm për të spapsur këdo por ndoshta jo një donatore të fushatave të Partisë Socialiste, si znj. Isufaj, e cila meqenese ka paguar për fushatë është emëruar kryeinspektore. Deri këtu edhe mund ta toleronim, por fakti që ka ndikuar me doktoraturë falso të paligjshme, kur zyrtarisht ka qenë e njoftuar jo vetëm publikisht, por zyrtarisht ka qenë e njoftuar që kjo diplomë është e paligjshme, kjo doktoraturë është e pavlefshme, ky është sade (po përdor një shprehje) akti penal i mashtrimit i te treguarit të gënjeshtrave dhe të pavërtetave për ti siguruar vetes përfitime të paligjshme dhe në cdo vend të Europës, ku duam të integrohemi, thotë apo s’thotë kështu Edi Rama, brenda 24 orësh, ndoshta brenda 24 minutash, personi mashtrues duhej të ishte shkarkuar, nuk mund të rrinte më ofiqar i një ministrie, për të mos thënë pastaj për ndjekje penale, për mashtrim që është tjetër gjë, që mund të vijonte. Sot e kësaj dite ajo jo vetëm mbetet kryeinspektore por ka guximin të padisë ata që e kanë denoncuar me fakte dhe që kanë thënë të vërtetën, ashtu sic është, publikut. Dhe ministrja e vetë hesht, nuk e di a ndodhet në Tiranë a ndodhet në plazh a ndodhet diku tjetër, por hesht, po çfarë të bëjë ajo kur Kryeministri hesht për deputetin, për drejtorët e pafund, kualifikimi i të cilëve bëhet me të vetmin kriter, të jesh ose falsifikator, ose donator, ose burgaxhi.