Shqiptarët të bashkuar dhe në këmbë kundër drogës: Rama largohu

 

 

 

 

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Të rinj e të reja, burra dhe gra, të moshuar, bashkatdhetarë dhe bashkëkombas brenda dhe jashtë vendit. Zonja dhe zotërinj, drejtues dhe përfaqësues të aleancës së madhe kombëtare kundër drogës.

Motra dhe vellëzër!

Do të doja që secili prej jush të ngjitej në  këtë tribunë para këtij mikrofoni,  për të parë prej këtu nga fillimi në fund, këtë pamje madhështore të lirisë dhe shqiptarisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Është këtu Tirana, zemra e vendit. 

Është  Jugu  dhe Veriu, janë shqiptarët në këmbë,  shqiptarët në shesh, shqiptarët e bashkuar pa dallime politike, shqiptarët  kundër një armiku  shumë të rrezikshëm që  po  kërcënon  vendin tonë,  po minon  bazat e civilizimit tonë, po kërkon të prishë traditat tona,  të marrë peng dhe të shtypë liritë tona, të asgjësojë ëndrrën tonë europiane. 

Ky armik është droga, është narkotrafiku në përmasa të frikshme, i ngritur në sistem me një shpejtësi të pabesueshme gjatë pesë- gjashtë muajve të fundit, është oligarkia  financiare e bosëve dhe baronëve të paprekshëm të drogës, që administrojnë këtë ndërmarrje kriminale tashmë gjiganteske me symbyllje, syshkelje dhe përfshirje të Edi Ramës dhe kupolës së tij. 

Intensifikimi i trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt vendeve përendimore shënoi një kulm dhe një stad të panjohur  me  sprovat  e shumta  të krimit të organizuar nga  janari i këtij viti, për  të kapur qiellin tonë dhe për ta shndërruar vendin tonë në  një zonë të lirë të drogës në këtë pjesë të Europës. 

Ky ishte dhe vazhdon të mbetet një moment shumë kritik për fatin tonë si vend, për fatin tonë si popull, për fatin tonë individual si qytetarë, kryefamiljarë, prindër dhe fëmijë. Një grusht narkotrafikantësh me lidhje dhe mbëshetje politike e logjistike në nivele të ndryshme të qeverisjes guxuan për interesat e tyre të fëlliqura përmbysjen brutale të kursit të Shqipërisë europiane, duke e venë në kursin e Shqipërisë kolumbiane, në kuptimin  e rënies së vendit nën sundimin e narkotrafikut.

Ishin dhe janë ditë të vështira, por shqiptarët u ngritën e po ngrihen me thirrjen e opozitës, me  kushtrimin e  traditës, virtyteve dhe ëndrrave tona për të marrë në dorë fatin tonë, për të  hequr damkën  e narkotrafikut nga faqja e atdheut, për të mposhtur e shporrur oligarkinë mafioze-politike të drogës. Për të treguar me gisht Edi Ramën si përgjegjësin kryesor  për këtë gjëmë,  duke i kërkuar të largohet, sepse vendi ka nevojë  me shumë se kurrë për zot shtëpie në krye qeverisë dhe jo për adjutantë dhe pengje të  narkotrafikut, siç e  ka treguar qartë se është  Edi Rama me gjithë qëndrimet e tij.  

U ngritën shqiptarët, u  bashkuan  shqiptarët.

Ja ku janë.

Ja ku jemi.

Kjo është një ditë e madhe, kjo është një ditë historike, që unë, me lejen tuaj, kam nderin t’ua tregoj gjithë miqve dhe partnerëve tanë, t’ua tregoj fëmijëve që janë e ardhmja e këtij vendi, t’ua tregoj brezave:

Kjo këtu është Shqipëria e  punës, e nderit, e virtyteve më të mira. 

Kjo këtu është Shqipëria e ligjit, e demokracisë dhe integrimit.  

Kjo këtu është Shqipëria që nuk e ul kokën, nuk trembet, nuk frikësohet, nuk  gjunjëzohet, nuk gënjehet e nuk mashtrohet.

Kjo është Shqipëria që lufton, që ndeshet, që sakrifikon për vlerat që bashkojnë  historinë e saj me aspiratat e saj europiane. 

Kjo është Shqipëria që nuk kthehet prapa.

Kjo është Shqipëria e statusit të vendit kandidat në Europë. 

E meritojmë statusin e vendit kandidat edhe për këtë protestë që po bëjmë sot në këtë bulevard të nderit dhe shpresës, për ketë mesazh të madh që po i japim të gjithë bashkë Europës dhe partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkurara të Amerikës: 

Shqipëria nuk është narkotrafiku, por populli i saj i lirë.

Shqipëria nuk është xhungla e një grushti oligarkësh të drogës, por demokracia e qytetarëve të saj. 

Edi Rama, kryeministri akoma në detyrë, që ka rënë moralisht ditën e rënies së avionit të drogës në Divjakë si simbol i drogës me avionë, është sot më larg se kurrë me ketë Shqipëri  të  punës dhe  nderit, parimeve dhe vlerave. 

Është jo vetëm larg saj, por çfarë është më e keqja, është kundër saj, kundër  qytetarëve, kundër jush me papërgjegjshmërinë e tij, me sjelljen dhe qëndrimet e tij skandaloze në çdo etapë të shpërthimit të megaskandalit të drogës, me nënvlerësimin që  i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë këtij rreziku të madh kombëtar, që po mblidhet si një re e zezë rreth Shqipërisë për t’i zënë diellin dhe dritën, për t’i helmuar tokën, qiellin dhe detin, për  t’i  shkatërruar historinë  dhe ardhmërinë, për të përmbysur skrupujt dhe moralin e jetës sonë, për të hedhur në erë bazat e sistemit të edukimit që u transmentojmë fëmijëve në familje dhe në shkollë, për të pushtuar pushtetin e popullit që pas kësaj  nuk do të jetë më i qytetarëve.

 

Po, po, duhet ta themi me zë të lartë. Në mos për këtë, për çfarë tjetër!

Shqetësimi që na ka bashkuar e ngritur  në këmbë  nuk është nga ato që jemi mësuar të  shohim rëndom në arenën e përplasjeve politike mes opozitës dhe qeverisë apo, anasjelltas. 

Shqetësimi i ngritjes në sistem të narkotrafikut është kombëtar, është ekzistencial,  është të jemi apo të mos jemi këta që jemi, të jemi a të mos jemi njerëz të lirë, të jemi apo të mos jemi një vend demokratik që aspiron të bëhët pjesë e Europës. 

Trafiku marramendës, si kurrë më parë i drogës nga toka, nga deti dhe nga ajri është  fatkeqësia jonë shoqërore dhe politike nëse nuk e ndalojmë, nëse nuk e flakim.  

Droga përbën sot agresionin më të madh ndaj normave dhe parimeve mbi të cilat mbështetet edukimi dhe formimi i fëmijëve, i të rinjve, i brezave; agresionin më të madh ndaj normave dhe standardeve të punës së ndershme. Droga në sistem i thotë nxënësit dhe studentit mos mëso se fiton më shumë duke trafikuar. Droga në sistem  i thotë fermerit mos mbill perime fruta apo drithëra,  por mbill drogë. 

Droga në s

istem ushqen iluzionet e pasurimit të shpejtë. Por asnjë vend në botë nuk  ka bërë hajër përmes drogës, nuk ka përparuar përmes drogës. 

Vendet që kanë rënë për pak kohë apo për një kohë më  të gjatë në kthetrat e karteleve të drogës në Amerikën e Jugut apo në ndonjë gjeografi tjetër jo Europiane kanë marrë goditje dhe plagë shoqërore shumë të rënda, kanë patur e kanë vështirësi të marrin veten dhe të ecin me hapin e vendeve ku sundon ligji dhe demokracia.   

Përvoja e këtyre  këtyre vendeve ka treguar qartë se droga vetëm ka shkatërruar, droga vetëm ka hapur varre, droga vetëm ka hapur plagë, droga ka hedhur njerëzit kundër njëri-tjetrit, ka shkatërruar familjet dhe ka kthyer prindërit kundër fëmijëve, ka kthyer  fëmijët kundër prindërve, ka ndjellë konflikt social, ka tundur shoqëritë nga themelet. 

Ata që përfitojnë nga kjo veprimtari e tillë janë gjithnjë një grusht njerëzish të cilët kanë synime që përmes parave të pista të drogës të kapin shtetin dhe qeverinë. 

Çdo ditë  kapen  në Itali, Greqi dhe në vendet  e tjera  të Europës  tonelata me drogë  që nisen nga Shqipëria. Vlera e tregut e  drogës së kapur vetëm këto 4 muaj llogaritet  në  rreth 250 milionë euro. Vlera e drogës së pakapur sigurisht është shumëfish më e madhe se kjo. Ku shkojnë këto para? Këto para të pista i marrin frymën zgjedhjeve dhe demokracisë, siç kanë provuar t’ja marrin në zgjedhjet e vitit të kaluar! 

Këto para të pista i marrin frymën medias së lirë si kollonë e demokracisë! 

Këto para të pista blejnë vendimarrjen politike dhe vetë qeverisjen e vendit.  

Ky është alarmi, ky është rreziku shoqëror dhe politik i narkotrafikut,  kundër të cilit jemi  ngritur  dhe jemi bashkuar në këtë barrikadë të pathyeshme zemrash dhe mendjesh.

Nuk është rrezik teorik, por më real se kurrë.

Nuk është në horizont, por është i ulur këmbëkryq. 

Nuk duket i tërhequr apo i trembur, por është në lulëzim të plotë.

Edi Rama me kupolën e tij ia doli të prodhonte vetëm një lajm për botën, një  lajm që i bën me turp të gjithë shqiptarët: trafikun në përmasa të frikshme të drogës.   

Edi Rama me  kupolën e tij u kanë hyrë në hak  zgjedhësive të majtë  dhe gjithë shqiptarëve me premtim/mashtrimet e tyre të paskrupullta, me përkeqësimin që kanë sjellë e po thellojnë çdo ditë në  ekonomi, në rend dhe në çdo fushë tjetër, me arrogancën dhe arbitaritetin që kanë dëshmuar ndaj  çdo shtese shoqërore, siç janë edhe nëpunësit e administratës civile të  shkarkuar  në kundërshtim me ligjin dhe janë detyruar të  ngujohen në grevën sublime të urisë ngaqë kryeministrit i vendit nuk zbaton vendimet e  gjykatave, si të ishte ky vend një sulltanat  i tij dhe jo një republikë e ligjit.  

Janë gënjeshtarë dhe do t’i paguajnë kur të vijë dita gënjeshtrat e tyre, thonë qytetarët e zhgënjyer e të mashtruar.

Janë të paaftë dhe do të paguajnë kur të vijë dita  për paaftësinë e tyre, thonë qytetarët e goditur nga dështimet e tyre.

Janë jashtë sistemit dhe nuk zbatojnë vendimet e gjykatave dhe duhen kundërshtuar  më të gjitha mjetet,  siç po  kundërshtojnë  e po sakrifikojnë  grevistët e urisë.

Por kjo e shndërrimit të vendit në një bazë kontinentale të narkotrafikut është një pabesi e pashembullt ndaj popullit sovran, është  i vetmi premtim i mbajtur, premtim i zi që  popullit nuk i është  bërë e nuk mund t’i bëhet, është hyrje në hak e në borxh që nuk mund të presë asnjë ditë për t’u shlyer sepse e keqja ka ardhur e ka kaluar dhe çdo ditë tjetër që kalon vetëm po e rrit atë më shumë. 

Do të mjaftonte gjithë ky trafik kolosal që nuk njeh pauza, do të mjaftonte gjithë ky zgjim dhe organizim i paprecedent i trafikut të drogës me lidhje ndërkombëtare në terrritorin e Shqipërisë, do të mjaftonte guximi i tyre për të kapur qiellin, për të krijuar ura ajrore që Edi Rama të jepte dorëheqjen. Përse votohet dhe përse qëndron në detyrë në fund të fundit një kryeministër, që në rastin më të mirë nuk di ç’bëhët në vendin e tij dhe nuk kontrollon dot territorin  e vendit të tij? Kujt do t’i duhej një leshko, që vjen në pushtet me betime të mëdha për të kontrolluar territorin dhe pikërisht territorin humb duke ua dorëzuar narkotrafikut? 

Por Edi Rama, të nderuar qytetare e qytetarë, nuk ka qëndruar në këtë nivel përgjegjesie, nuk ka qëndruar në nivelin e leshkos.  Ai ka shkuar shumë më larg e shumë më keq. 

Ka mohuar informacionet për avionë droge, kur opozita e vendit e pyeti ku e i ke dhe ç’po bëhet me to?

Është tallur me  opozitën në mënyrën me cinike dhe më banale.

Ka shpërfillur dhe vazhdon të shpërfillë dëshmitë e gazetarëve dhe qytetarëve. Nuk ka bërë asgjë për mbrojtjen e tyre nga kërcënimet e mafias, i ka lënë të shkojnë mish për top po të mos mbroheshin vetë. 

Ka refuzuar dhe vazhdon të refuzojë trasparencën e narkotrafikut përmes komisionit hetimor parlamentar. 

Mohim, fshehje, mashtrime; kjo ka qenë sjellja e tij derisa avioni i Divjakës e shpërtheu gënjeshtren e tij në dritën e këtyre zhvillimeve. Opozita dhe mbarë qytetarët shqiptarë kuptojnë sot më mirë se pse u shkarkua me një të rënë të lapsit e gjithë kupola drejtuese e Policisë së Shtetit siç nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 23 vite. Pse janë punësuar aq shumë trafikantë në poste të rëndësishme nga qeveria e Edi Ramës?! Pse të  jesh narkotrafikant është një avantazh në sistemin e tij të emërimeve dhe meritës?! 

Bumi i narkotrafikut nuk ra si rrufe në qiell, por mori zemër dhe hov në këtë kontekst emërimesh, shkarkimesh e politikash të këtij kryeministri.   

Ne e kemi akuzuar dhe e akuzojmë Edi Ramën për fshehje dhe inkurajim të krimit të narkotrafikut me gjithë qëndimet që ka mbajtur. 

Ne kemi kërkuar e kërkojmë largimin e tij nga drejtimi i qeverisë si përgjegjegjesi numër një për këtë situatë kaq të nderë dhe përgjegjësia kërkon dorëheqje, por edhe sepse, largimi i tij i menjehershëm nga posti që mban është zgjidhja imediate për të goditur e  ndaluar narkotrafikun me symbyllje, syshkelje dhe përfshirje qeveritare, është prerja e nyjës gordiane ku lidhen interesat e kartelit të drogës, është imperativ për të çliruar të sotmen dhe të nesërmen nga kthetrat e pushtetit të drogës që kërcënon shqiptarët dhe fëmijët e tyre. 

Me përgjegjësi të lartë politike dhe qytetare, ne ua shtrojmë këtë opsion për mbështetje  edhe miratim juve që keni ardhur sot në këtë protestë madhështore, ua shtrojmë   gjithë qytetarëve shqiptarë pa dallime politike, me bindjen se kjo nuk është një betejë për karrike dhe s’do të jetë kurrë një betejë për karrike, por për sigurinë e të gjithëve, për dinjitetin e të gjithëve, për lirinë e të gjithëve, për imazhin e Shqipërisë, për të sotmen dhe të nesërmen europiane të

Shqipërisë. 

Kam parë në takimet e mia nga një qytet në tjetrin qytetarë të zemëruar. 

Ka zemërim në Shqipëri.

Këtë zemërim e shoh sot edhe këtu. 

Një zemërim i rëndë dhe i përmbajtur shqiptarësh të  lënduar në sedër, të lënduar në nder, të lënduar në inteligjencën e tyre me përmasat e frikshme të narkotrafikut dhe papërgjegjshërisë dhe mashtrimeve të Edi Ramës.  

Qytetarët e kanë kuptuar  e po kuptojnë shumë mirë se ku fle lepuri i narkotrafikut.

Qytetarët e kanë kuptuar dhe po e kuptojnë shumë mirë se kryeministri Edi Rama është sot kushtrimi numër një i narkotrafikut me postin që mban dhe me mënyrën si po qeveris. 

Ata janë sot më mijëra e mijëra në këtë bulevard të  nderit, janë  me mijëra e mijëra  me  mendje dhe me zemër këtu me ne, e bashkohen në aleancën e madhe kombëtare kundër drogës për largimin e menjëhershëm të Edi Ramës dhe kupolës së tij nga qeveria. 

Përpjekjet e  përditshme për fshehjen e trafikut  të drogës janë përgjegjësi e Edi Ramës. 

Edi Rama ik!  

Heshtja për kërcënimet mafioze ndaj  qytetarëve, punonjësve të shtetit  dhe gazetarëve që kanë denoncuar  trafikun e drogës është përgjegjësi e Edi Ramës. 

Rama ik!

Rikthimet në radhët e policisë se shtetit të personave të larguar si të implikuar në trafikun e drogës janë  përgjegjësi e Edi Ramës. 

Rama ik!

Emërimet në poste kyçe të infrastrukturës shtetërore të personave të dënuar si narkotrafikantë janë përgjegjësi e Edi Ramës.

Rama ik!

Mandati i Edi Ramës është njollosur nga narkotrafiku më i madh që ka njohur historia në  këtë anë të Europës.

Qytetarët e kanë rrëzuar moralisht  Edi Ramën. 

I ka mbetur vetëm të zgjedhë orën e largimit, orën e dorëheqjes. Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë. Por ai nuk mund të vazhdojë të qeverisë dhe nuk mund të qeverisë me këtë mal përgjegjësish që ka në kurriz për narkotrafikun e ngritur në sistem me symbyllje, syshkelje dhe përfshirje qeveritare.   

Qytetarët janë këtu, ne jemi këtu, do të jemi këtu në këmbë të palodhur, akoma më të shumtë, akoma më të bashkuar, akoma më të vendosur në këtë barrikadë të pathyeshme, deri në fund, deri në fitore.

Faleminderit të gjithëve. 

Zoti ju bekoftë.

Zoti e bekoftë Shqipërinë.