Deklarata e plotë e plotë e deputetit të PD Florion Mima:

6 Dhjetor 2013

Dje, në të gjitha mediat e vendit, shqiptarët panë rikthimin e radhëve të gjata në sportelet e bankave dhe postës shqiptare, radhëve embleme të kolektivizmit socialist.

Bizneset shqiptare, kanë mëse dy javë që nuk komunikojnë dot më me sistemet elektronike të deklarimit dhe pagesës online të detyrimeve tatimore. Prej 4-5 vitesh atyre u mjaftonte një klikim nga kompjuterët e tyre dhe gjithçka transferohej në mënyre elektronike pa qenë nevojë për radhë të gjata, pa qenë nevoja të kontaktoheshin fizikisht inspektorët tatimorë.

 

Sistemet elektronike kanë rënë dhe Prokuroria e Republikës ka dhënë sinjale që po heton seriozisht ngjarjen më të rëndë të ndodhur ndonjëherë në sistemin tatimor shqiptar, atë të grabitjes në mënyrë mafioze të miliona të dhënave konfidenciale të bizneseve dhe individëve shqiptarë, për t’u përdorur vetëm për qëllime të mbrapshta dhe ekstraligjore.

Duke qënë, si gjithnjë, në krah të bizneseve të ndershme vendase e te huaja, Partia Demokratike, kërkon përgatitjen me urgjence të çdo akti të duhur ligjor, që do t’i çlirojë ato nga gjobat e penalitetet që vijnë si rezultat i pamundësisë për të përdorur sistemet elektronike, pamundësi e krijuar jo për faj të tyre, por si pasojë e veprimeve të paligjshme të personave shumë afër qeverisë. Ajo kërkon vënien para drejtësisë të te gjithë atyre që ideuan dhe realizuan grabitjen e thesarit të të dhënave tatimore të vendit, thesar të cilin ligji u kishte ngarkuar ta ruanin si sytë e ballit.