Fjala e plotë e kreut të PD Lulzim Basha në festimet e organizuara nga PD në Pallatin e Sportit për Ditën e Rinisë:

Të dashur të rinj, të reja të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë!

Të dashur dhjetoriste e dhjetoristë, të dashur bashkëqytetarë shqiptarë kudo ku jeni!

Sot është dita juaj, në kalendarin e festave zyrtare të Shqipërsë. Sot është dita jote, rini! Është dita e rinisë për të gjithë shqiptarët!

Është dita e rinisë, dita e lirisë. Çfarë binomi i mrekullueshëm, i pandashëm!

 

E ka Shqipëria jonë, e ka dhe do ta ketë gjithmonë demokracia jonë e re sepse liria erdhi në Shqipëri me besimin dhe shenjën e rinisë dhe me besimin se shenjën tuaj do e çojmë përpara.

Të dashur miq!

Në këtë ditë, mendimet, përfytyrimet tona, kureshtja, nderimi dhe adhurimi ynë  rikthehen te ajo natë e vonë e të shtunës së 8 dhjetorit 1990, në qytetin “Studenti”, ku u ndez shkëndija e parë e lëvizjes demokratike që ndryshoi përgjithmonë historinë e Shqipërisë.

Në dritën e dëshmive të asaj nate që depërtuan terrin, arritën të çajnë rrethimin e shumëfishtë të censurës dhe terrorit policor të  kohës, kujtojmë sot daljen e vrullshme të studentëve nga godinat, duke thirrur njëri tjetrin, grumbullimin e tyre në errësirë, ngjizjen në atë bashkim të ndjenjës kryengritëse, shpërthimin për herë të parë në gjuhën shqipe nga goja e atyre të rinjve e të rejave, të fjalëve liri-demokraci, nisjen pa komandë të atyre djemve dhe vajzave drejt qytetit, qendrës së tij poshtë, nisje kuptimplotë, nisje historike, që tregonte zgjimin dhe drejtimin e ri të epokës së re të shqiptarëve, kuptimin e ri të angazhimit, që ishte dhe është jo pritja por veprimi, që ishte dhe është jo mbyllja por dalja, jo ikja por përballja.

Përballja e parë e studentëve kryengritës me regjimin ndodhi shpejt, pranë rrugës së “Elbasanit”. Dhuna policore shpërtheu egërsisht mbi ta. Morën plagë, por nuk u thyen. Nuk u thyen sepse ishin ndryshimi i madh, e nesërmja krejt e re e atdheut dhe kombit shqiptar. Tjetër gjë u thye para tyre. Përballë guximit dhe trimërisë së tyre u thye një herë e përgjithmonë hegjemonia gjysmëshekullore e diktaturës. Ajo nuk do të  ishte kurrë më  sunduese dhe shtypëse e gjithëpushtetshme e shqiptarëve. Po perëndonte përgjithmonë, në të shkuarën e keqe e të pakthyeshme të mizorive të saj.

Ndërkohë, në krahun e studentëve liberatorë po lindte bashkë me ta dhe intelektualët që iu bashkuan, epoka e re e pluralizmit politik, e lirive dhe të drejtave njerëzore, e Shqipërisë europiane, e kombit të njerëzve të lirë.

Ajo natë vërtetë e bardhë nxori në historinë e Shqipërisë, nxorri në krye studentët e vijës së parë, nxori Azem Hajdarin, prijësin e lëvizjes studentore, kryeheroin e lëvizjes studentore. Nxori të tjerë trima dhe trimëresha që koha i ka shënuar me emër dhe mbiemër, si luftëtarë të përmbysjes së madhe demokratike. Sot, i kujtojmë me nderim, një për një, pa dallim të gjithë vajzat dhe djemtë e dhjetorit të paharrueshëm 1990. 

Por dita e rinisë nuk është thjesht një histori, nuk është thjesht një e kaluar. Është para së gjithash aktualitet dhe ardhmëri, është sërish ëndërr në gjoksin e çdo të riu e të reje shqiptare. Duke festuar 8 dhjetorin, rinia shqiptare krenohet me veprën e brezit të mëparshëm dhe njëkohësisht takohet me të ardhmen.

A nuk është ëndrra e Shqipërisë europiane, e cila ngriti në këmbë studentët, njëzet e tre vjet më parë, që mbetet jo vetëm ëndrra më e bukur dhe më përbashkuese e brezave, por edhe më frymëzuesja e rinisë së sotme!?

Po bëjmë e do të bëjmë gjithçka për statusin, edhe përkundrejt atyre që nuk po bëjnë asgjë për statusin, sepse statusi jeni ju, është rinia.

A nuk është sot e gjithë ditën dëshira e bashkimit të gjithë shqiptarëve rreth vlerave të  lirisë, demokracisë dhe dinjitetit individual, një ëndërr rinore për tu përmbushur!? 

A nuk është vizioni i një demokracie të shëndoshë, të ngritur mbi themelet e zgjedhjeve të lira dhe mbi parimin e sundimit të ligjit, misioni i kësaj rinie të fortë e “vullkanike”.

Ja, përse 8 dhjetori, festa e rinisë dhe e lirisë, është një apel dhe një premtim për të ardhmen e çdo shqiptari!

Ju të dashur të reja e të rinj të qytetit e vendit tim! Ju paralajmëruat erën e re të ndryshimit në protestat e muajit nëntor, ku shumë prej jush morët pjesë me “Jo”-të e shkruara në  faqe, në pëllëmbët e duarve tuaja që ishin “jo”-të më bukura, të dlira por edhe më të fuqishme që ka njohur tranzicioni demokratik, që ishin pikësëpari një refuzim dhe kundërshtim i prerë e i fortë por edhe shumë shpresëdhënës i shpërfilljes, i injorimit të opinionit publik, i personalizimit të funksioneve shtetërore, i megalomanisë dhe arbitraritetit politik, i mungesës së transparencës dhe llogari-dhënies, i shitblerjes së  shëmtuar të votës, i dhunimit të zgjedhjeve me paratë e pista të trafiqeve, korrupsionit dhe krimit të organizuar, i legalizimit të dhunshëm të mediokritetit, paditurisë, injorancës dhe gjithë të këqijave të tjera që prodhon paligjshmëria.

Në këtë 8 dhjetor, brezi i ri vjen edhe me këtë “Jo” të fortë, që në bindjen time është një “Po” e madhe, e fuqishme dhe një garanci e re për Shqipërinë e lirive, për Shqipërinë e zhvilluar dhe demokratike, për Shqipërinë europiane dhe pjesë e gjithë Europës së bashkuar.

Ja, pra përse sot festojmë! Jo vetëm nderojmë rininë e viteve nëntëdhjetë që hapi rrugën, por më shumë se kaq! “Gjenerata e lirisë”, për të cituar kryetarin historik të forcës politike që lindi nga studentët e dhjetorit, Sali Berishën, gjenerata e lirisë më shumë se kushdo tjetër është është shpresa dhe garancia, shpirti dhe forca, fytyra dhe dinjiteti i Shqipërisë moderne dhe europiane.

Jam i bindur se Shqipërisë do t’i shndërrisë përsëri fati, me rininë e saj të mrekullueshme.

Gëzuar 8 dhjetorin, ditën e rinisë, festën e lirisë!
Nder përjetë, studentëve liberatorë!
Zoti e bekoftë rininë e Shqipërisë, Zoti ju bekoftë ju!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!