Sot, në ditën e shënuar të Rinisë dhe Lirisë, Partia Demokratike shpall çeljen e fushatës për zgjedhjet e reja në Parti, shpall një  hapje të re të fuqishme ndaj brezit të ri të Shqipërisë, ndaj intelektualëve,  ndaj njerëzve të lirë pa dallim, burra dhe gra, në qytet dhe në fshat, që  ndajnë  me ne vizionin politik të Lirisë dhe Zhvillimit, që duan të kontribuojnë si anëtarë të Partisë Demokratike për fuqizimin dhe modernizimin e saj si dhe ribashkimin e të gjithë kontributeve historike në Partinë Demokratike.

Sot shpallim një kuvendim të madh, të lirë e të përgjegjshëm, të gjithë anëtarësisë së Partisë Demokratike për rrugën që kemi bërë deri këtu, për sfidat e reja që do të marrim përsipër, për një fillim të ri të kësaj partie, për ringritjen dhe fuqizimin e saj si alternativë  fitimtare e të djathtës.

 

Sot shpallim një garë  të re, të lirë e të  ndershme, të pastër, të drejtë e demokratike në çdo element të saj, garën që do të  afirmojë seriozitetin e një partie me histori të madhe dhe ambicie të mëdha siç është Partia jonë; garën që  do të nxjerrë në drejtimin e partisë që nga seksioni më i largët e më i vogël e deri në kryesinë e partisë njerëzit më të mirë e më të aftë,  demokratët më të  respektuar nga anëtarësia, pse jo dhe nga publiku i gjerë i fshatit, lagjes, qytetit, ata që bashkë me mua si kryetar i zgjedhur me parimin “një anëtar një votë” do të udhëheqim partinë  në synimet e saj për të fituar zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe zgjedhjet politike me pas. Për të  gjithë  ne është e qartë se fushata që çelim sot është vendimtare për këto synime.

Fushata në fjalë përkon këtë herë me daljen në opozitë të partisë tonë pas tetë vjetësh në  qeveri.

Ky është një moment i ri për anëtarësinë e Partisë Demokratike, për forumet e saj. Është hera e parë që dalim në opozitë me zgjedhje të lira të organizuara nga qeveria jonë. Kjo duhet kuptuar drejt dhe thellë, nga drejtuesit e partisë  e deri te anëtari më i thjeshtë.

Për ne demokratët verdikti i zgjedhësve është ligj. Ne e pranojmë dhe e çmojmë  si një  thirrje për t’u ballafaquar me një ndjenjë  të thellë përgjegjësie dhe realizmi me rrugën tonë, me punën tonë, me veten tonë, për të reflektuar, për t’u korrigjuar, për t’u ringritur. Ky është e duhet të jetë leximi objektiv,  autokritik dhe krijues i rezultatit të  23 qershorit.

Jemi të vetëdijshëm dhe nuk do të reshtim se pohuari se me qeverisjen tonë tetëvjeçare nën drejtimin e kryetarit tonë historik Sali Berisha, Shqipëria ndryshoi faqe, ndryshoi për mirë si në asnjë periudhë  tjetër të historisë  së saj.

Kemi pohuar efektet e konsumimit objektiv të qeverisë gjatë tetë viteve në  pushtet; kemi pohuar efektet e krizës globale që pati ndikimin e saj të drejtpërdrejtë  në rënien e rritjes së  ekonomisë shqiptare nga 6-7 për qind në mandatin e parë, në 2 -4 për qind në mandatin e dytë, por që prapëseprapë  ruajti performancën më të mirë në rajon, nuk ra në recesion, arritje që është pa diskutim pjesë e trashëgimisë pozitive që u lamë  socialistëve në kushtet e krizës. 

E kemi theksuar dhe do të vazhdojmë ta përsërisim se qeveria “Rama” do të matet më mënyrë të pashmangshme me bilancin e qeverisë sonë. Dita e mirë duket që në mëngjes, thotë populli. Shenjat janë të sigurta se diferencat do të jenë  të mëdha në favor të bilancit tonë. Sot, tre muaj pas instalimit të koalicionit të majtë  në pushtet, ka dalë qartë në dritë të diellit për çdo shqiptar se ata kanë gënjyer e mashtruar shqiptarët me premtimet e tyre të bujshme elektorale. Nuk ka e nuk do të ketë, siç premtuam ata, shërbim shëndetësor falas, nuk ka e nuk do të ketë legalizim falas, ulje të taksave, ulje të borxhit, rritje të asistencës, punësim masiv, rend brenda njëqind ditëve e plot e plot premtime të tjera që frynë  tullumbacen e tyre të Rilindjes. Nga kjo tullumbace e shfryrë nuk ka mbetur asgjë. Ka vetëm përkeqësim në të gjitha aspektet, vetëm rritje të papunësisë, vetëm rritje të borxhit, vetëm rritje të vrasjeve, aksidenteve, pasigurisë së përgjithshme, vetëm paligjshmëri, arbitraritet, megalomani. 

Mashtrimi elektoral gjigandes i PS-së, tashmë një realitet i njohur dhe i pranuar edhe nga zgjedhësit e majtë, na lejon të  gjejmë ekuilibrin e duhur më analizat tona për rezultatin, duke vlerësuar drejt çfarë  ka qenë qëndrim kritik ndaj qeverisjes sonë dhe çfarë ka qenë çoroditje apo mirëbesim, që sot është  bërë zhgënjim, ndaj premtimeve të bujshme të kundërshtarëve tanë.

Duke pohuar të gjitha këto dhe duke njohur rrotacionin e pushtetit si shprehje normaliteti dhe pjekurie të demokracisë  se re shqiptare, dëshiroj të nënvizoj se kriza globale, konsumimi i qeverisjes, mashtrimet elektorale te kundërshtarëve,  interferencat antiligjore në  fragmente të caktuara të zgjedhjeve, siç ishin blerja e votës apo manipulimet e verifikuara në rrugë ligjore,  nuk janë e nuk do të trajtohen prej nesh si një jorgan i madh për të mbuluar shkaqet subjektive të rezultatit që morëm,  shkaqet që lidhen me punën dhe sjelljen tonë, me defektet, të metat dhe gabimet tona.

Diskutimet dhe debatet në këtë fushatë të zgjedhjeve në parti do të fokusohen me përparësi në  identifikimin e këtyre shkaqeve në funksion të një analize serioze,  shteruese dhe frymëzuese, që do të  jetë hapi i parë  i fillimit tonë  të ri me energji të reja, me forca të reja,  me synime të reja.  Ky diskutim i lirë dhe i hapur do të përfshijë  pa përjashtim të gjithë anëtarët e partisë demokratike, seksionet, grupseksionet,  konferencat dhe forumet e partisë. Fushata do të jetë  kuvendi i madh i anëtarësisë së  Partisë Demokratike, do të jetë  ekskluzivisht kuvendi juaj, të dashur anëtarë të Partisë  Demokratike.

Me mirënjohje të thellë për ju, që keni qenë  dhe jeni shpirti i lirë i partisë më të madhe të lirive në këtë  vend, me krenarinë  tonë të përbashkët për çfarë bëmë e arritëm në qeverisjen e Partisë Demokratike, me ndjesën e nevojshme për çdo moment zhgënjimi apo shpërdorimi të besimit tuaj nga ana jonë, unë ju ftoj të gjithëve të  merrni pjesë aktive në fushatën e zgjedhjeve të reja në Partinë Demokratike dhe ta shndërroni këtë fushatë  në një nisje të re të fuqishme drejt objektivave të reja, në një  manifestim të  madh të  përgjegjësisë që ka karakterizuar e karakterizon demokratet e Shqipërisë, në një shkollë  dhe festë të demokracisë në Partinë Demokratike dhe në vend.

Unë besoj fort se analiza më e drejtë dhe më e plotë për vitet që lamë pas dhe vizioni i ri për fillimin e ri mund të nisë dhe të  marrë jetë nga anëtarësia. Këtë pikëpamje e kam shprehur disa herë  në  garën për detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike. Kjo pikëpamje është sot direktiva ime për fushatën e zgjedhjeve në parti. Të dëgjojmë anëtarësinë. Të mësojmë të dëgjojmë anëtarësinë. Të  mësojmë të dëgjojmë qytetarët, pub
likun, si një premisë apo kusht për të parë  drejt dhe larg. Të dëgjuarit është virtyt, të cilin demokracia e re shqiptare duhet ta shndërrojë në  kulturë dhe normë të funksionimit të saj.

Në pikëpamje të orientimit politik ne jemi një parti e qendrës dhe qendrës së djathtë. Por në pikëpamje të funksionimit fuqia jonë matet me mbështetjen që na jep elektorati i spektrit tonë dhe publiku i gjerë. Anëtarët tanë e kanë parasysh këtë.  Ata e dinë shumë mirë se ku ka çaluar komunikimi i strukturave tona si parti në pushtet me qytetarët. Ata mund të dëshmojnë pa teprime dhe pa oportunizëm distancën e krijuar përgjatë kohës midis pushtetit tonë të çdo niveli dhe njerëzve të thjeshtë.

Fjala e tyre, e vërteta e tyre, e çiltër dhe pa të keq,  do të na ndihmojë të gjithëve për të rithemeluar në  referencë të  traditës dhe periudhave më të mira të partisë dhe qeverisjes sonë  marrëdhëniet e shërbimit ndaj publikut të gjerë,  marrëdhëniet e veçanta të bashkëpunimit dhe mbështetjes së  ndërsjelltë me rininë, me të përndjekurit politikë, me pronarët, me sipërmarrjen e lirë  dhe me njerëzit e lirë në qytet dhe në fshat, që janë mbështetja e programit tonë politik. 

Për zgjedhjet e 23 qershorit dhe rezultatin e tyre janë  publikuar deri sot shumë  opinione dhe analiza nga deputetë dhe ish deputetë të PD-së, nga studiues dhe publicistë të djathtë, të majtë  e pa parti.  Jam gjithnjë i vëmendshëm për këto kontribute të vyera që do të reflektohen padyshim në analizën dhe programin tonë.

Por ne nuk do të shkojmë në bazën e partisë  me fjalime të gatshme apo me klishe të gatuara në zyrat tona në Tiranë. Nuk do të shkojmë t’u tregojmë ne anëtarëve,  por të dëgjojmë anëtarët e Partisë Demokratike qark me qark , zonë më zonë, qytet më qytet, fshat me fshat e kuti më kuti pse morën ketë rezultat dhe si mund të ngrihemi.

E vetmja kornizë në këtë kuvend të madh të anëtarësisë mendoj se duhet të jetë korniza etike.

Do të thotë se duke qenë të lira e të hapura, mbledhjet nuk duhet të  bien në vogëlsira apo të  shfrytëzohen për të  nxjerrë  hatërmbetje personale.  Asgjë pa u thënë, por asgjë që nuk vlen-kjo është korniza etike.

Në fokus të diskutimeve dhe rrahjes demokratike të mendimeve duhet të jenë para së gjithash dukuritë dhe problemet,  që nuk duhen trajtuar si në një akademi politike, por, së pari, në funksion të  zgjedhjes së drejtuesve të rinj që do të çojnë drejt fitores Partinë Demokratike dhe, së dyti,  në funksion të reflektimeve pozitive në programin dhe sjelljen tonë politike në vazhdimësi.  Ne nuk bëjmë analiza për analiza, por për të reflektuar, për të ndryshuar, për t’u përmirësuar.  Sa më  e saktë dhe e përgjegjshme analiza, aq më  drejt e më mirë do të përqafojmë  motivet e reja të ringritjes.

Motivi ynë është ai i reflektimit, i shikimit përpara, i ndërtimit dhe interpretimit të një opozitë  të forte e moderne, që mbështetet në fakte, argumente dhe arsye, i një opozite krijuese dhe frymëzuese, siç  kemi nisur ta bëjmë këto tre muaj; një opozitë pararendëse e rikthimit të Partisë Demokratike shumicë.

Të nisemi sot më të bashkuar se kurrë:

Për hapjen e madhe të Partisë Demokratike dhe ribashkimin e të gjitha kontributeve historike.

Për demokracinë  në Partinë Demokratike.

Për shtëpinë e madhe të lirisë së shqiptarëve në Partinë Demokratike.

Për t’i dhënë Shqipërisë alternativën e re të  demokracisë së  re dhe zhvillimit të ri.

Me besim të ri, me frymëzim të ri, me energji të reja, me bindjen se fati dhe misioni i Partisë Demokratike ka qenë, është e do të jetë Shqipëria europiane. 

Ju faleminderit!