Deklarata e plotë e deputetes së PD, Eleina Qirici:

Dje, Qeveria Rama, shpalli fillimin e fushatës së spastrimeve politike në arsim.

Në fakt nuk është asgjë e papritur.

Ky spastrim u premtua nga Zoti Rama në fushatën elektorale.

Qëllimi lexohet qartë: Mësuesit me bindje jo socialiste duhet të largohen nga shkollat.

Aty do të mbeten vetëm mësuesit që kanë bërë fushatë për maxhorancën e majtë.

Spastrimi politik i mësuesve sipas bindjeve politike, po maskohet me një të ashtuquajtur inspektim që po bëhet nga një grup i përbërë nga militantë politik të sapoemëruar në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve.

Këta militantë kanë marrë urdhër që të ushtrojnë presion kudo ku shkojnë, në shkolla apo drejtori arsimore.

Në sistemin arsimor parauniversitar ekziston një strukturë e veçantë ligjore për inspektimin -Inspektorati Shtetëror i Arsimit. Ky institucion është ngritur me asistencë ndërkombëtare.

Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka zhvilluar metodologji dhe praktika bashkëkohore inspektimi, mbështetur në përvojat më të mira ndërkombëtare.

Përse nuk është angazhuar në  këtë inspektim ky institucion që parashikon ligji?

Apo nuk është i besuar për të përcjellë porositë politike?

Partia Demokratike ka deklaruar se do të mbështesë thellimin e reformave që i shërbejnë rritjes së cilësisë dhe modernizimit të arsimit shqiptar.

Por ne do të denoncojmë çdo veprim apo “kuazi reformë”, që është e frymëzuar nga ideologjia dhe militantizmi.

Ne do të denoncojmë çdo spastrim politik në arsim.

Ne i ftojmë mësuesit e funksionarët arsimorë, të reagojnë e të rezistojnë  ndaj presionit që do t’ju bëhet nga militantë dhe grupe kontrolli militantësh, që do të drejtojnë këtë fushatë të spastrimit politik në arsimin shqiptar.

I bëjmë thirrje ministres së Arsimit e Sporteve, të ndërpresë këtë fushatë të padenjë për arsimin.

Partia Demokratike do të asistojë cilindo që do të ndëshkohet politikisht, pa të drejtë e në shkelje të ligjit.