DEKLARATË PËR MEDIA SEKRETARI PËR AKSIONIN QYTETAR NË PD, ERGES ESKIU
Klodian Allajbeu, pronari i rrjeteve të Spitalit Amerikan dhe Hygeia, rezulton si përfituesi më i madh i koncesionit të hemodializës, i cili, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, vetëm në gjashtë vjet ka përlarë 15.1 miliardë lekë, ose rreth 150 milionë euro. Nga këto para, vetëm një pjesë e vogël kanë shkuar për pagesa në qendrat spitalore publike, ndërsa pjesa tjetër ka shkuar për të kënaqur oreksin e Klodian Allajbeut nëpërmjet kompanisë Dia Vita dhe rrjetit të tij të spitaleve.
Sa për ilustrim dhe për të krijuar një ide se si janë shpërndarë fondet, vetëm në vitin 2022, nga 193,878 seanca të kryera gjithsej, vetëm 10,766 u kryen në spitalin publik, ndërsa 183,112 seanca, ose 94.4%, u kryen nga privati dhe PPP-ja e Klodian Allajbeut.
Le të bëjmë një llogari të thjeshtë. Në rast se në 11 qarqe do të vendosej që të ngriheshin qendra për hemodializën, buxhetit të shtetit nuk do t’i kushtonin më shumë se 4.5 ose 5 milionë euro, ndërsa, që t’i bësh ultra moderne, jo më shumë se 10 milionë euro. Duke shtuar dhe koston e hemodializës për pacient, e cila shkon së paku në 50% më lirë se ofron koncesionari, atëherë çdokush mund të llogarisë se sa ka qenë përfitimi i Allajbeut në këtë megavjedhje me leje dhe partneritet shtetëror.
Tenderi është dhënë pa garë, ndërkohë që raporti i KLSH raporton shkelje të shumta nga ana e koncesionarit, si rritje fiktive të numrit të seancave, refuzim shërbimi për ata me sëmundje akute, etj.
Pra, Edi Rama nuk e ka dhënë këtë shërbim me PPP për ta përmirësuar atë, por për të kënaqur të pangopurit dhe për të ndarë me ta paratë e taksapaguesve në shpinë dhe në dëm të shëndetit të tyre. E ka bërë për të trashur edhe më megapatronazhistët si Klodian Allajbeun e spitaleve, të cilin e ka si donator apo interlocutor të marrëdhënieve të tij korruptive me ndërkombëtarët.
Partia Demokratike do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje dhe materialet do t’i referojë në organet ligjzbatuese, të cilat edhe në këtë rast, ashtu si në shumë raste të tjera, kanë vendosur të mbyllin sytë.
Ne gjithashtu zotohemi se të gjitha praktikat korruptive do të zhbëhen menjëherë pas ardhjes në qeveri dhe shëndetësia do të kthehet në të mirë publike, me fokus te shëndeti i qytetarit, me programe të qarta që vendosin në qendër pacientët, duke i dhënë fund të konsideruarit e tyre si klientë për t’u zhvatur.


