100 vjet shërbim pyjor në Shqipëri. Menaxhohet nga patronazhistë, 70% e personelit janë pa arsim përkatës

• 100 vjet shërbim pyjor në Shqipëri. Departamenti takim me Kryetarin e PD Berisha/ Shërbimi pyjor menaxhohet nga patronazhistë, specialistët janë pa punë. 70% e personelit janë pa arsim përkatës pyjor

Në 100 Vjetorin e Shërbimit Pyjor Shqiptar, anëtarët e departamentit të Pyjeve në PD, Drejtuesi i departamentit Hasan Cani, anëtarët Dhimiter Pina, Rita Xhorxhi, Nazmi Ajazi, Ilir Hoxha dhe Agim Tafazi, u takuan me Kryetarin e Partisë Demokratike Sali Berisha.

Ata theksuan se ky 100 vjetor e gjen Shërbimin Pyjor Kombëtar në ditën e tij më të keqe. Në vlerësimin e Departamentit, specialistët e pyjeve janë pa punë ndërsa në vend të tyre gjenden patronazhistë të punësuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Pyjeve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe në çdo Bashki.

Ata vunë në dukje se fondet për pyjet dhe zonat e mbrojtura për periudhën 2014 e deri më sot nuk kanë shkuar në drejtimin e caktuar, por janë përvetësuar në mënyrë korruptive.

Nga një studim i bërë në vitin 2019-2020 ka rezultuar se 70% e personelit janë pa arsim përkatës pyjor dhe asnjë Bashki nuk ka ngritur strukturat e menaxhimit të pyjeve dhe kullotave në përputhje me kërkesat e ligjit.

Në programin qeverisës 2005-2009 kur Partia Demokratike ishte në pushtet, politika e pyjeve, sipas Planit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, synonte zhvillimin e qëndrueshëm e shumë funksional të pyjeve e kullotave. Sipas këtij plani, ruhet dhe mbrohet biodiversiteti, prodhimtaria, aftësia rigjenruese dhe potenciali për të përmbushur funksionet ekologjike, ekonomike dhe shoqërore në nivel lokal, kombëtar dhe global, pa shkaktuar dëmtime në ekosistemet e tjera. Kjo politikë mbështeti zgjerimin e zonave të reja pyjore, rehabilitimin e sipërfaqeve të djegura apo të degraduara, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve për sigurimin e ujit të pijshëm në kullota, kontrollin e erozionit nëpërmjet ndërtimit të pritave malore, dhe përmirësimin e menaxhimit të produkteve drusore e jo drusore të pyllit, çka do të rezultonte në gjenerimin e të ardhurave.

Në këtë kuadër, u përgatitën dhe u miratuan një numër i konsiderueshëm i akteve ligjore dhe nënligjore të përafruara me legjislacionin EU, për fushën e pyjeve, kullotave dhe Zonave të Mbrojtura.

Me miratimin e bazës ligjore të nevojshme ne vitin 2013 filloi të hartohet platfoma e riorganizimit të Shërbimit Pyjor në të gjitha nivelet e qeverisjen nga qendra në bazë.

Në vitin 2013 pas largimit të PD nga pushteti dhe ardhjen e rilindjes nisi shkatërrimi i Shërbimit Pyjor, ku me urdhër u shkrinë të gjitha Drejtoritë e Shërbimit Pyjor, si rrjedhojë 700 inxhinier e teknik pyjesh mbetën të papunë.

Ligji për moratoriumin e pyjeve dhe ligji për moratoriumin e gjuetisë nuk sollën asnjë risi në mbrojtjen e pyjeve nga prerjet e paligjshme dhe gjuetinë e pa ligjshme.

Këto ligje sollën monopolizimin e kësaj pasurie në disa subjekte që janë pranë qeverisë dhe Kryetarit të Bashkisë.

Anëtarët e Departamentit në takimin me Kryetarin Berisha theksuan se PD ka një program dhe strategji të qartë dhe plotësisht të realizueshëm për ri ngritjen e shërbimit pyjore në të gjitha nivelet me staf të aftë profesional dhe të kualifikuar për menaxhimit pyjeve/kullotave dhe Zonave të Mbrojtura.

Ligji i parë i pyjeve dhe Kullotave u dekretua më 27 janar 1923.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale