FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË MBLEDHJEN E GRUPIT PARLAMENTAR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD, lëshoi akuza të ashpra ndaj qeverisë dhe sistemit të drejtësisë pas ngjarjes së fundit ku një gjyqtar u vra në sallën e gjyqit.
‘Kur them narkoshteti, natyrisht e kam të qartë që dorasi nuk ishte punonjës i shtetit, por dorasi nuk mund ta kryente kurrë aktin në qoftë se shteti do ishte shtet dhe jo narkoshtet. Kurrë! Salla e gjyqit është e presupozuar të jetë vendi më i sigurt i shtetit për vetë kompleksitetin e proceseve. Dhe në sallën e gjyqit u shkreh një batare kundër një gjykatësi, sikur të ishte në mes të rrugës. Sikur të ishte në një shesh, në një kafene, por në një institucion shtetëror’, tha Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha theksoi se ngjarja tregon se ‘shqiptarët kanë humbur të drejtën e procesit ligjor të drejtë’, duke shtuar se ‘janë qindra të vrarë në 4-5 vitet e fundit për shkak të vetëgjyqësisë’. Në vijim të fjalës së tij, lideri i opozitës akuzoi institucionet e drejtësisë për bllokim dhe ndikim politik: ‘KLGJ dhe KLP nuk bëjnë emërimet sepse po presin patronazhistët!’, u shpreh ai, duke shtuar se ‘Reformën e udhëhoqën dy figurat më të korruptuara, Donald Lu dhe Vlahutin’. Sipas tij, drejtësia duhet të reformohet ‘vetëm nga Komisioni i Venecias’.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, kreu i PD, Sali Berisha u shpreh se, opozita nuk do të marrë pjesë në asnjë Komision të Posaçëm parlamentar pa praninë e ODIHR dhe Komisionit të Venecias. ‘Pretendojnë për dy komisione, asnjë komision pa Kongresin e autoriteteve rajonale dhe lokale për reformën territorial dhe pa ODIHR dhe Komisionin e Venecias nuk marrim pjesë. Të vijnë institucionet ndërkombëtare. Është e gabuar se marrin vitin 2008, e bazojnë në një mashtrim qëndrimin e tyre. Të vijë dhe të marrin ODIHR, specialistë nga Venecia, ekspertë edhe në të drejtën elektorale dhe jemi të hapur të zbatojmë rekomandimet edhe të tjera’, tha Berisha.
Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama për masa represive ndaj qytetarëve dhe bizneseve: ‘Edi Rama do vendosë gjoba prej 30 mijë deri në 40 mijë euro për qytetarët ose bizneset që hedhin mbeturina’, tha kreu demokrat, duke e cilësuar këtë si një tjetër dëshmi të sjelljes arbitrare të qeverisë.
Gjatë mbledhjes, Berisha deklaroi se ‘opozita nuk tërhiqet nga të drejtat e saj kushtetuese’ dhe paralajmëroi një mocion ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. ‘Edhe mocioni ndaj atij vasalit të Ramës, duhet ta bëjmë. Ai është një figurë kukull. Ajo bëhet vetëm për postin e presidentit, se për një kukull nuk ia vlen të ndërmarrësh asnjë lloj veprimi. Por ne e ndërmarrim në respekt të institucionit të presidentit, që duhet të jetë një institucion që të mbrojë Kushtetutën. Se një ditë futet nën tavolinë, më tha stafi, ditën tjetër thotë në emër të shtetit. Çfarë shteti mor? Ti je një vasal që turpëron shtetin. Prandaj edhe ajo duhet të jetë pa diskutim në rendin e ditës sikundër interpelanca me kreun e narkoshtetit dhe qeveritarët’, theksoi lideri i demokratëve, Sali Berisha.
Duke folur për zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit, kreu demokrat u ndal tek kandidaturat e PD-së, duke theksuar se ‘të gjitha kandidaturat tona janë të pavarura’. ‘Kjo tregon se ky model është mikpritur! Të bëjmë gjithçka për t’i mbështetur ata,’ shtoi ai. ‘Ne shkojmë në zgjedhje lokale dhe kam kënaqësinë që të informoj se në gjitha zonat ku ato zhvillohen, janë përzgjedhur ose kanë kandiduar kandidatura të pavarura, çka do të thotë se e kanë mirëpritur shumë këtë model të përzgjedhur këtë herë nga PD dhe aleatët e saj. Kandidatura me reputacion të shkëlqyer, qoftë në Vlorë, në Berat, në Cërrik, në Mat, Tepelenë. Pra, ne u ofruam qytetarëve një model, nuk është se nuk e kemi përdorur, ne e kemi përdorur edhe në vitet 2001 e më radhë, por e rëndësishme është që janë paraqitur kandidatura pakrahasimisht eprore me ato që dërgon partia e krimit’, theksoi kryedemokrati Berisha.
Në lidhje me fushatën elektorale dhe ftesat nëpër debate televizive, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se përfaqësuesit e opozitës do të marrin pjesë në debate publike vetëm në prani të kundërshtarëve politikë: ‘Përfaqësuesit tanë do dalin në media vetëm kur të jetë edhe kundërshtari përballë,’ theksoi kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e grupit parlamentar.

FJALA E PLOTE:
Mblidhemi sot pasi narkoshteti shqiptar vrau gjykatësin në zyrën e tij.
Kur them narkoshteti, natyrisht e kam të qartë që dorasi nuk ishte punonjës i shtetit, por dorasi nuk mund ta kryente kurrë aktin në qoftë se shteti do ishte shtet dhe jo narkoshtet. Kurrë!
Salla e gjyqit është e presupozuar të jetë vendi më i sigurt i shtetit për vetë kompleksitetin e proceseve.
Dhe në sallën e gjyqit u shkreh një batare kundër një gjykatësi, sikur të ishte në mes të rrugës. Sikur të ishte në një shesh, në një kafene, por në një institucion shtetëror.
Unë dua të informoj shqiptarët se me një vendim të datës 8.7.2020, Edi Rama ka anuluar vendimin e mëparshëm të qeverisë të datës 28.4.2010, i cili ngarkonte Policinë e Shtetit përgjegjëse për mbrojtjen dhe sigurinë e gjykatave.
Pra, pas ndryshimeve, më parë ka qenë garda, por u ngarkua në vitin 2010 me një vendim qeveria, siguria e gjykatave dhe prokurorive mbrohej nga Policia e Shtetit.
Edi Rama e kalon këtë siguri nga Policia e Shtetit tek Policia e Xhepit.
Merr vendim me datën 8.7.2020 ku ua heq sigurinë ndaj dhe Koçiu lante duart. Policia nuk ka përgjegjësi, thoshte.
Pra, ia dha patronazhistëve, policisë së xhepit, mbrojtjen.
Përveç kësaj, sulmet e tij ndaj gjykatësve të veçantë që bëjnë ligjin, që guxojnë të japin vendime në përputhje me ligjin, janë një inkurajim i madh për krimin, për të gjithë që t’i sulmojnë gjykatës dhe prokurorë dhe me radhë.
Ju jeni dëshmitarë se çdo vendim që gjykatësit kanë dhënë në përputhje me ligjin dhe vendimet e tij për ndërtimet me leje apo pa leje, ky zotëri turfullon në mënyrën më vulgare, me një fjalor ordiner kundër gjykatësve.
Dhe vetë, pasi shan me gjuhë ordineri, ndryshon vendimin.
Domethënë vendimin e bëri që katet shtesë t’ia falë oligarkëve, u kujtohet ju kur doli derri në thes, pallati i Arben Malokut. Një administrator i Bashkisë së Tiranës. Kur doli pallati i asaj kompanisë që thonë se është i lidhur me Fatmir Xhafën. Fatmiri mendohet se nuk është i veti. Kur doli Syri i Tiranës. Kur doli koka e Edi Ramës.
Dolën këto, tani e ndryshon vendimin ky tani.
Ata që kanë zbatuar vendimin, i sulmon. Kurse vetë e ndryshon vendimin.
A ka gjë më absurde.
Ky është në një degradim total të karakterit njerëzor.
Tani, do të më falin shqiptarët, nuk bëj mirë që shkoj aty ku nuk duhet, por nuk mund të mos kujtoj se edhe në gen ky ka problem.
Kaq i them dhe Vlora e tërë e di që ky ka një problem shumë serioz.
Dhe i bëj thirrje memories të Vlorës dhe Bregut të zbërthejnë problemin e tij. Ka probleme serioze.
Ndaj dhe ne dënojmë.
Ka pasur reagime, siç i keni parë, reagime mendoj unë emotive dhe në bindjen time më të thellë, të padrejta, se me asgjë vrasja nuk justifikohet.
Me asgjë vetëgjyqësia nuk justifikohet.
Por doni ta dini? Ky është rasti flagrant, por u them unë ju në vetëgjyqësi për shkak të këtij sistemi janë qindra të vrarë në Shqipëri gjatë 4-5 viteve të fundit. Janë qindra të plagosur.
Po, po, statistika e investiguesve kjo.
Nuk ka gjyqe.
Shqiptarët, e kemi thënë 100 herë, 200 herë, janë të vetmit në Europë që kanë humbur të drejtën e procesit ligjor të drejtë.
Procesi ligjor i drejtë nënkupton procesin ligjor në kohën e duhur.
Shqiptarët nuk e kanë këtë.
E kanë pasur afatin 2 deri në 4 vite, maksimumi, të procesit ligjor, tani e kanë 15 vite dhe sipas stokut 230 mijë dosje, përfshi në të gjitha shkallët e gjyqësorit, sipas këtij stoku, specialistët thonë duhen 20 vite.
Ju nuk mund ta imagjinoni se çfarë pengu është sot ai që quhet sistem drejtësie.
Ju keni dëgjuar dhe keni lexuar se 80 përqind e prokurorive dhe gjykatave nuk kanë kryetar.
Shikoni korporatat e turpit. KLGJ dhe KLP, qeveritë kushtetuese të tyre, nuk emërojnë kryetarët.
Po a e dini pse? Motivet janë ultrakorruptive.
Ose se ata që janë, që plotësojnë kriteret, sepse Kushtetuta ka përcaktuar kritere për të qenë kryetar, 8 vite apo 10 vite, nuk plotësojnë kriteret.
Ose ata i plotësojnë kriteret dhe paguajnë qimet e kokës për të marrë atë vend.
Dhe së fundmi, ato ruhen të gjitha për patronazhistët, të cilët nuk kanë bërë 8 vite në sistemin e drejtësisë.
Shikoni se çfarë kapje të tmerrshme i kanë bërë drejtësisë.
Se çfarë pamëshirësie.
Këta mafiozë, këto tentakula mafioze…
Pra, këta kanë vënë rregull që magjistratët duhet të kenë bërë disa vite në administratë. Duhet të jenë patronazhistë.
Ligji e thotë se magjistratët para se të hyjnë në Shkollë Magjistrature duhet të jenë patronazhistë.
Tani këta patronazhistë kanë mbaruar, disa prej tyre. Por problemi është se nuk plotësojnë kushtin kushtetues.
Dhe po të lexosh pollet, pollet thonë drejtësia e re më e pëlqyera.
Historia e më e turpshme e manipulimit të opinioneve.
Më kujtohet sot, janë pollet, i kam këtu, në vitin 2012-13 sigurisht kishte korrupsioni, por të
themi të vërtetën, korrupsioni i drejtësisë ishte mbrapa korrupsionit të shëndetësisë dhe policisë. Dhe ishin agjenci ndërkombëtare që e bënin këtë.
Kishte, nuk them se nuk kishte, por nuk ishte i pari.
Dhe makineria propagandistike e Xhorxh Sorosit dhe Edi Ramës e nxirrte korrupsionin në drejtësi në shifra që nuk ekzistonte kurrë, vetëm që të justifikonte shpërbërjen e sistemit të drejtësisë.
Dhe tani jemi të shqetësuar për stokun e dosjeve. Nuk je i shqetësuar që kanë humbur shqiptarët të drejtën e procesit ligjor mor zotëri?
Dhe e bënë reformën, e udhëhoqën dy figurat më të korruptuara të huaja që kanë shkelur në Shqipëri, Donald Lu dhe Vlahutin. Që shkoi e mori në qafë edhe drejtorin e OLAF-it për korrupsionin e saj.
Kjo është e vërteta.
Tani kërkojnë të bëjnë ndryshime ato që duan vetë.
Asnjë ndryshim.
Krijuat korporatat e krimit, krijuat korporata siç paralajmëroi Komisioni i Venecias, siç e paralajmëroi në mënyrë profetike.
Si mundesh ti t’i lësh gjykatat dhe prokuroritë pa drejtues? Të tuat janë ato? Personale janë ato?
Ato janë të shtetit, nuk janë as të KLGJ dhe të KLP.
Ato janë institucione themelore të një shteti.
Por korporata i konsideron si pronësi të vetën dhe zbaton urdhra.
Dhe përpiqen t’i fshehin.
Në këtë sallë kam pritur një grup 18 parlamentarë të një landi gjerman dhe kur unë u shpjegoja, sot e kam të freskët në memorie, kryetari i këtyre parlamentarëve kur unë i them që Altin Troplini me Kushtetutë kontrollon gjykatësin që i dorëzon dosjen, e tmerrshme thoshte.
Kështu ishte e vërteta.
Dhe këtu duan ta fshehin këtë realitet. Ta fshehin me çdo kusht.
Një realitet që u krijua dhe që duhet të ndryshojë me shpejtësinë më të madhe.
Ai ndryshohet vetëm nga Komisioni i Venecias në bashkëpunim me një reformë të vërtetë, absolutisht kurrë asnjë nen, asnjë fjalë, asnjë gërmë e Fatmir Xhafës.
Se Fatmirin për atë punë e vunë, e vunë si kamikaz.
Të bënte Fatmiri me Arben Rakipin reformën e drejtësisë.
Ta dini se Arben Rakipi është një nga figurat më mafioze jo të drejtësisë, por të Shqipërisë.
Ua them unë ju.
Është drejtori më mafioz, i cili mban studio avokatie dhe shkon e pret gjoba tek nxënësit e tij pasi mbarojnë magjistraturën. Dhe që është i përjashtuar nga vetingu. Ky protektori i Altin Troplinit dhe autori i kodit. Ish-bashkëpunëtor i policisë sekrete të Enver Hoxhës. Që nuk duhet të jetë fare në sistem.
Ky tani është truri, me Xhafën, i reformimeve.
Pretendojnë për dy komisione.
Asnjë komision pa Kongresin e Autoriteteve Rajonale dhe Lokale për reformën territoriale dhe pa ODIHR-in nuk marrim pjesë.
Të vijnë institucionet ndërkombëtare.
Dhe është shumë e gabuar që rrinë dhe marrin vitin 2008, besoj e bazojnë në një mashtrim qëndrimin e tyre.
Të marrim ODIHR-in, të marrim specialistë nga Venecia, se edhe ata kanë specialistë të klasit të parë edhe në të drejtën elektorale.
Por, me Fatmir Xhafën, me Gjiknurin, që duhej të ishte në burg prej kohësh, njeriut që i vjedhin nënës së tij 7 milionë euro.
Shkoni dhe shihni Gjirin e Manastirit si e ka bërë me Edi Ramën, etj.
Këta nuk kanë interes reformash, por si e si të shkatërrojnë çdo gjë që është në mënyrë që të qëndrojnë në pushtet.
Të dashur deputete dhe deputetë, është një kohë që nuk ka ekzistuar ndonjëherë.
Absurditeti në projektligjet e tyre ka kufi vetëm qiellin.
Besoj se u njohët që në ligjin e mjedisit futet neni 77 me 60 pika të Kodit Penal, në të cilat ky përcakton gjobën për çdo mbetje të hedhur nga çdo qytetar në çdo terren, publik, privat qoftë, 30 deri në 40 mijë euro.
Po, është e shkruar, shiheni.
A mundet në vendin nga më ekologjikët në botë, por edhe më të ligjit, siç është Gjermania, të gjobisin 200 euro. Gjobitesh 200 euro po të kapi.
30 ose 40 mijë euro.
Dëgjojeni këtë se çfarë produkti mizerabël i botës së vjetër është ky njeri që mendon të gjobisë fshatarin pse hedh një mbeturinë në kopsht apo oborr 30 apo 40 mijë euro.
Prisni, mos e merrni ashtu. Se po nuk i pagove, ke burgun.
I ka për t’i arrestuar, për t’i futur në burg.
Çdo ligj duhet të shihet me lupë nga ne.
E keni marrë vesh, tarifat 5-6-fishohen, taksat për qytetarët për plehrat 5-6-fishohen.
Ushqimet që blejnë shqiptarët rëndojnë në buxhetin familjar të muajit 3 herë më shumë se në vendet e tjera të Europës.
Dhe ky gjen atje dhe merr shifra…
Nuk është e vërtetë, se duan të thonë se ka probleme të rënda psikike. Ka probleme të rënda karakteri.
Po si mund të vërë njeriu gjobën 30 mijë euro?
Si mund të shumëfishosh tarifën për plehrat?
Ju kujtohet kur vraponte nëpër studio me zbulimin e madh që bëri me inceneratorët, tani kthehet aty ku e kishim, projekt të bërë me 4 milionë euro nga BE, tek landfillet, tek seleksionimi.
Pra, etiketa evropiane është etika e mashtrimit.
Këto janë standarde të Koresë së Veriut. As Koreja e Veriut nuk ka të tilla.
Këto standarde nuk kanë asnjë lidhje me integrimin, me standardet e BE dhe as me direktivën e KE.
Prandaj do t’i hedhim në kosh të plehrave. Gjermani dënon me 200 euro po hodhe diçka aty ku nuk duhet. Ky me 30 mijë euro.
Shteti i inatit, i paimagjinueshëm.
Del në Sylbicë, një nga bjeshkët më të bukura në Alpe dhe prish disa shtëpi, që të gjitha inate të patronazhistëve ndaj tyre. Turpe. Ku? Në Alpe ky ka shpenzuar gjithsej në 12 vite, ka përfunduar segmentin Tamarë-Vermoshë, Qafë Thore-Theth dhe 10 kilometra në Valbonë dhe 10 kilometra në Bushtricë.
Asnjë qindarkë.
Për Alpet kishte projekte, masterplan me Kosovën dhe Malin e Zi se ato janë kompleks. Ato janë një mrekulli natyrore, nuk ka më të bukura në Europë. Ato quhen Himalajat e Europës.
Një qindarkë nuk ka shpenzuar dhe del tani ua prish shtëpitë se patronazhistët kanë urrejtje ndaj tyre.
Krim. Ky është shteti i hakmarrjeve, i inatit.
Ata banorë kanë ndërtuar një rrugë 7-8 kilometra, asnjë qindarkë nga shteti. Zero investim.
Asnjë plan, asnjë projekt, asnjë gjë urbane.
Ky shkon me urrejtje të këtij apo të atij dhe prishja këtij apo atij.
Unë nuk them se nuk duhet të ketë plan. Historikisht ato janë ndërtuar me një plan të caktuar.
Ndërtimet kanë qenë të përqendruar. Ky 10-12 vite me armiqësi absolute ndaj veriut.
Po këto që po bën ky tani dhe që janë zhvilluar që të gjitha përpara syve të tij, keni parë ndonjë përgjegjësi kund ju?
Këto të gjitha janë vepër e tyre, por vepër e narkoshtetit, sepse ligji nuk ekziston, ekziston xhepi.
Ndaj dhe qëndrojmë të vendosur që në parlament të bëjmë çdo përpjekje për të paraqitur alternativën tonë dhe për të denoncuar këto akte antikushtetuese, antiligjore të këtij pushteti.
Dhe dua t’i them atij Peleshit, mos e shtyj më mocionin ndaj teje se do ta kesh njëlloj siç pati Erioni protestën, ti do kesh mocionin. Zgjidh e merr. Opozita nuk tërhiqet nga të drejtat e saj kushtetuese.
Edhe Erioni u përpoq me të gjitha mënyrat që të shkurajonte protestën, por më kot.
Tani i them Peleshit, ose respekto të drjetat kushtetuese të opozitës, ose do jesh Erioni bis. Më keq bile, se Erioni nuk rrinte, ia mbathte nga bashkia kur rrethohej, kurse ti nuk ke ku shkon. Do të kërkojmë llogari një më një.
Prandaj bëje mocionin. Nxirr mësime, përndryshe ti do kesh çdo javë një mocion gjersa të zbatosh rregulloren e parlamentit dhe Kushtetutën. Gjersa të zbatosh vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Gjersa të dorëzosh Olta Xhaçkën në Gjykatë Kushtetuese. Ajo është krim në vazhdim.
Olta Xhaçka është krim në vazhdim në parlament.
Por këta nuk kanë Kushtetutë.
Edhe mocioni ndaj atij vasalit të Ramës, duhet ta bëjmë. Ai është një figurë kukull. Ajo bëhet vetëm për postin e presidentit, se për një kukull nuk ia vlen të ndërmarrësh asnjë lloj veprimi.
Por ne e ndërmarrim në respekt të institucionit të presidentit, që duhet të jetë një institucion që të mbrojë Kushtetutën.
Se një ditë futet nën tavolinë, më tha stafi, ditën tjetër thotë në emër të shtetit.
Çfarë shteti mor? Ti je një vasal që turpëron shtetin.
Prandaj edhe ajo duhet të jetë pa diskutim në rendin e ditës sikundër interpelanca me kreun e narkoshtetit dhe qeveritarët.
Së fundmi, dy gjëra.
Ne shkojmë në zgjedhje lokale dhe kam kënaqësinë që të informoj se në gjitha zonat ku ato zhvillohen, janë përzgjedhur ose kanë kandidatura kandidatura të pavarura, çka do të thotë se e kanë mirëpritur shumë këtë model të përzgjedhur këtë herë nga PD dhe aleatët e saj.
Kandidatura me reputacion të shkëlqyer, qoftë në Vlorë, në Berat, në Cërrik, në Mat, Tepelenë.
Pra, ne u ofruam qytetarëve një model, nuk është se nuk e kemi përdorur, ne e kemi përdorur edhe në vitet 2001 e më radhë, por e rëndësishme është që janë paraqitur kandidatura pakrahasimisht eprore me ato që dërgon partia e krimit.
Imagjinoni ju Florjan Binajn me keqbërësen Manastirliu, që edhe vetë është bërë verem kur mori vesh se emërohet nga Edi Rama, sepse e di se qytetarët nuk mund t’ia falin vjedhjet e saj, korrupsionin e saj, etj.
Në Vlorë ka dërguar një deputetë, që më shumë duket përfaqësuese e vetes së saj. Famoze për korrupsion. Imagjinoni ju, edhe ushqimin e të sëmurëve e ka vjedhur me tendera.
Ajo ka akte shumë të rënda në qëndrimin ndaj të sëmurëve. Ajo është denoncuar shumë herë për qëndrimet çnjerëzore në spitalin psikiatrik. Prandaj e ka zgjedhur ai.
Edhe në këtë kontekst, opozita kudo ka një epërsi.
Pra, janë këto rrethana.
Ne do i mbështesim me të gjithë forcën tonë.
Demokratët duhet të bëjnë gjithçka për suksesin e këtyre intelektualëve, këtyre personaliteteve, diku është mjek, arkitekt, artist, biznesmen, historian.
Pra, janë të prurjeve të ndryshme.
Të bëjmë çdo gjë për mbështetjen maksimale të tyre dhe suksesin e tyre në fushatë.
Së fundmi, unë do të jem i hapur me të gjithë ju, mirë që janë edhe mediat këtu.
Tani, çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh?
Ky i urdhëron mediat që të përqendrojnë çdo gjë tek opozita në mënyrë që gjithë diskursi në shoqërinë shqiptare të bëhet për opozitën, se ka dalë një puçërr këtu, se ka dalë një problem atje, se ka dalë kjo, ka dalë ajo, dhe jo për problemet madhore të qytetarëve shqiptarë, në mënyrë që ato t’i fshijë.
Unë kam shumë respekt dhe i garantoj se do mbetemi të hapur gjithmonë, por kurrë më në funksion të kësaj strategjie.
Të dashur moderatorë të emisioneve televizive, doni ju përfaqësues tanë, doni t’i zgjidhni vetë, plotësisht dakord.
Me të vetmin kusht, që ata do jenë aty kur të sillni përballë tyre kundërshtarët.
Por ata të jenë aty duke u sjellë Lorencat ju, kjo nuk ndodh.
Duke sjellë Ballat, kjo nuk ndodh.
Pse? Sepse kjo është një platformë censure.
E patë se çfarë nxorën këta siamezët e AMA-s? Nxorën që Sali Berisha në gusht paska marrë 90 përqind të medieve.
Se në gusht Edi Rama shtronte dreka dhe darka, udhëtonte me çarter personal.
Po ku i nxorën? Nuk i nxorën tek lajmet, se tek lajmet përsëri është 90 përqind Edi Rama dhe qeveria.
Shikoni çfarë mashtrimi.
Pra, jo vetëm bëjnë krimin, që vënë censurën, por edhe mashtrojnë.
Por kur pashë unë motrat siamaze të AMA-s që kishin bërë atë studim të turpshëm. Mashtrim me statistika.
Ndaj të dashur miq, ne jemi të hapur plotësisht për debate në studio televizive, me të vetmin arsye, të sillni kundërshtarin.
Nuk kemi kohë ne të merremi me avoketër të qeverisë, të cilët kanë me borxh të mashtrojnë, të trillojnë në mënyrë të papërgjegjshme çdo gjë në studio.
Sepse keni një defekt shumë të madh, nuk bëni kontroll faktesh.
Shkon ti aty, del ai para teje, deklaron 10 gjëra të pavërteta dhe hajde gjeje ti. Një televizion serioz fill mbrapa bën një kontroll faktesh dhe thotë se këto janë gënjeshtra.
Ky është efekti më i tmerrshëm i censurës, thotë Hannah Arendt, kur pikërisht kur e çon njeriun tek pikëpyetja e madhe se çfarë të besojnë. Ku të besojnë.
Ky është suksesi më i madh i atyre që ushtrojnë censurën.
Po, iu ftojnë për intervistë tek a tek, si të doni. Ama, t’i shërbejmë ne platformës së censurës, platformës që mashtrimit që del nga zyrat e Endri Fugës, që ia ka mbathur që kur u kap se në restorantin e tij kalonin paratë e taksapaguesve shqiptarë, ajo nuk mund të ndodhë më.