Deputetja e Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe zv.presidentja e EPP Women, Albana Vokshi, denoncoi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ndryshimet e fundit në Kodin Penal në Shqipëri, duke theksuar se ato bien në kundërshtim me rekomandimet e Këshillit të Evropës, BE-së dhe OSBE/ODIHR. Ajo theksoi se mbajtja e shpifjes si vepër penale krijon pasiguri juridike dhe një efekt frikësues ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile.
Vokshi bëri të ditur se aktualisht 77 gazetarë në Shqipëri përballen me akuza penale për shpifje dhe akuzoi mazhorancën për standarde të dyfishta, duke bllokuar prej javësh kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ndërkohë që Parlamenti nxitoi të miratojë një Kod Penal që forcon presionin mbi fjalën e lirë.
Fjala e plotë:
Faleminderit, Zoti Drejtues.
Do të flas për miratimin e Kodit Penal në Shqipëri dhe efektin
frikësues që ai krijon ndaj medias.
Këtë javë, të martën në mbrëmje, pas mesnate, Kuvendi i Shqipërisë
miratoi ndryshime në Kodin Penal që bien drejtpërdrejt në kundërshtim
me gjetjet dhe rekomandimet e vetë Këshillit të Evropës.
Vetëm pak muaj më parë, Këshilli i Evropës lehtësoi punën e grupeve të
punës në kuadër të Platformës së Dialogut për Lirinë e Shprehjes.
Ekspertë të pavarur ligjorë arritën në një përfundim të qartë dhe
unanim: shpifja dhe fyerja duhet të depenalizohen plotësisht, pa
përjashtime, pa regjistra dhe pa kushte. Penalizimi, paralajmëruan
ata, krijon një efekt frikësues mbi gazetarët, shoqërinë civile,
denoncuesit dhe mbi të gjithë ata që flasin në interes të publikut.
Megjithatë, në vend që të zbatojë këtë rekomandim, mazhoranca
socialiste në Kuvendin e Shqipërisë zgjodhi një rrugë tjetër, në
kundërshtim me rekomandimet e kësaj Asambleje, të OSBE/ODIHR, të
Bashkimit Evropian dhe thirrjeve të përsëritura të organizatave
kombëtare dhe ndërkombëtare të gazetarëve.
Shpifja pra mbetet një vepër penale. Mbrojtja bëhet selektive dhe e
kushtëzuar. Pasiguria juridike thellohet dhe rreziku i intimidimit
përmes procedurave penale mbetet.
Ndërkohë që flasim, 77 gazetarë në Shqipëri përballen me akuza penale
për shpifje, të ngritura nga ministra, kryetarë bashkish, ish-prokurorë dhe ish-gjyqtarë të shkarkuar nga procesi i vetingut. Kjo përbën një kërcënim serioz për lirinë e shprehjes dhe për sigurinë
e gazetarëve. Standardet evropiane janë të qarta: shpifja dhe fyerja
duhet të trajtohen, ose s duhet te trajtohen, ose vetëm përmes së
drejtës civile dhe në mënyrë proporcionale.
Kjo përbën një devijim të drejtpërdrejtë nga standardet e Këshillit të Evropës, nga Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
dhe nga qëndrimi i kahershëm i kësaj Asambleje se ligji penal nuk
duhet të përdoret asnjëherë për të rregulluar debatin publik.
Kodi Penal u votua, ndër të tjerë, edhe nga Zëvendëskryeministrja,
imuniteti parlamentar i së cilës po bllokohet aktualisht për të penguar arrestimin e saj, pavarësisht kërkesës formale të Prokurorisë
së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).
Ironia është e dhimbshme. Në Shqipëri, një qytetar i zakonshëm
rrezikon burgun për parkim të dyfishtë në vendin e gabuar, ndërsa një Zëvendëskryeministre nën hetim për shkelje në prokurime publike me
vlerë 1.1 miliardë euro mbetet e paprekshme dhe voton për
legjislacionin penal.
Për gjashtë javë me radhë, Kuvendi i Shqipërisë ka refuzuar qëllimisht
të shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të znj. Belinda
Balluku. Mbledhjet janë anuluar, axhendat janë bllokuar, afatet janë
shpikur dhe madje është përdorur si justifikim edhe një kërkesë
krejtësisht e paarësyeshme drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Kjo nuk ka
ndodhur kurrë më parë që prej Reformës në Drejtësi. Ndërkohë,
Parlamenti nxitoi, pas mesnate, të miratojë një Kod Penal që forcon
presionin penal mbi fjalën dhe qytetarët, ndërsa mbron pushtetin nga llogaridhënia.
Kjo nuk është thjesht hipokrizi. Është një përmbysje sistematike e
shtetit të së drejtës: e ashpër për të dobëtit dhe e paralizuar për të
fuqishmit. Nëse kjo Asamble toleron një bllokim të tillë të drejtësisë, kredibiliteti i institucioneve të drejtësisë në Shqipëri vihet seriozisht në rrezik.


