Viti i diasporës/ Berisha në Napoli: Njësoj si shekuj më parë, do të jenë shqiptarët nga jashtë që do të shpëtojnë Shqipërinë. 5 vite pa taksa për çdo emigrant që rikthehet në vend

TAKIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME DIASPORËN SHQIPTARE NË NAPOLI, ITALI

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, gjatë takimit entuziast me diasporën në Napoli, është shprehur se, shqiptarët ashtu si shekuj më parë, do të vijnë sërish për të shpëtuar Shqipërinë.

‘Ky është viti i diasporës, sepse njëlloj si dikur, shekuj më parë, do të jenë shqiptarët nga jashtë që do të shpëtojnë Shqipërinë. Ndaj edhe sot mund të themi si atëherë, prite Edi Rama diasporën se po vjen.

Po vjen të shpëtojë mëmëdheun!’, theksoi kreu i PD-së, gjatë fjalës së tij.

Gjatë fjalës së mbajtur në takimin madhështor me shqiptarët në Napoli, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, paralajmëroi Edi Ramën se, diaspora po vjen, dhe ai nuk ka vend se ku të fshihet.

‘Edi Rama, me 11 maj ata kanë një fjalë me ty, ik o mjeran se nuk ke ku të shkosh. Miqtë e mi, ëndrrat e shqiptarëve i rrënoi Edi Rama, po shpirti i tyre për liri, betejat e tyre, virtytet e tyre nuk vdesin kurrë.

Shqiptarët i lindin nënat për t’i dalë zot Shqipërisë. Prite diasporën Edi Ramën, nuk ke vend mbi tokë’, theksoi kryedemokrati, Sali Berisha në fjalën e tij në Napoli.

Kryedemokrati Sali Berisha bëri publik për herë të parë faktin se, projektin e ‘Shqipërisë Madhështore’ e ka përpiluar gjatë kohës që ishte në ‘arrest shtëpie’ nga mafia e Sorosit dhe Edi Rama.

‘Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria fantastike e shqiptarëve.

Ky projekt u hartua gjatë 333 ditëve në arrest shtëpie që mafia e Sorosit dhe Edi Rama i rezervuan Sali Berishës.

Ky projekt që në pamje të parë të thotë se është një fjalë e stërmadhe, se është diçka e largët, është aq e afërt, aq real, është në mendjen e secilit prej jush, është në zemrat tuaja dhe të fëmijëve tuaj, të mbarë shqiptarëve kudo që janë’, nënvizoi Berisha gjatë fjalës së tij në takimin me shqiptarët në Napoli.

Lideri i opozitës Sali Berisha ka prezantuar para shqiptarëve në Napoli, programin e PD-së për emigrantët. Berisha u shpreh se, do të ketë lehtësira për të gjithë ata shqiptarë që kthehen në atdhe, do të jenë për 5 vite pas asnjë taksë.

5 vite pa asnjë taksë për secilin prej jush që do kthehet të investojë në Shqipëri. Jo vetëm kaq, klima më miqësore në Europë për biznesin.

Energjia do jetë më lirë se në çdo vend tjetër të Europës. Burokracia do jetë më e pakët se kudo tjetër. Shqipëria do jetë vendi më tërheqës investimeve tuaja, i investimeve të huaja, i investimeve të shqiptarëve.

Made in Albania do jetë krenaria jonë’, deklaroi kreu i PD-së, Sali Berisha me shqiptarët në Napoli.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në takimin entuziast me diasporën shqiptare në Napoli, është shprehur se, beteja e 11 majit është vendimtar për kombin.

Berisha theksoi gjatë fjalës së tij, se do të PD-ja do të bëjë auditin e 12 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, për të zbuluar se ku kanë shkuar miliarda eurot e taksave të shqiptarëve.

‘Të pastrosh shtëpinë do të thotë të bësh një audit të përgjithshëm, një lloj Elon Muski shqiptar do gjendet. Do jetë nga diaspora, do jetë nga Shqipëria, do jetë nga miqtë tanë, pa audit të përgjithshëm nuk shkohet përpara’, tha Berisha.

‘Këto premtime kërkojnë vetëm një gjë, kërkojnë që të ndajmë epokat, të ndajmë historinë: me 11 maj të arkivojmë narkodiktaturën e Edi Ramës.

Ndaj dhe në këto 50 ditë, beteja nuk zhvillohet vetëm në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, beteja zhvillohet në qytetet dhe fshatrat kudo që ndodhen shqiptarët, në Napoli, Itali, në botë, kudo. Dhe kjo betejë është vendimtare për fatin e kombit, për fatin e Shqipërisë’, theksoi kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:

Mirëdita dhe përshëndetjet më të përzemërta.

E nderuara zonja Anarita Patricia, deputete e parlamentit italian, përfaqëssuese e Forza Italia.

I nderuar zoti Antonio Trompeta, kryetar i komunës.

I nderuar Pepe Leone, miku im i vjetër.

Mirënjohjen më të pakufishme për praninë tuaj sot në këtë takim.

I dashur Bardhok, i dashur Kujtim, koordinatorë të PD për Italinë dhe Napolin.

I dashur sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka.

I dashur kryetari i qarkut politik të qarkut të Dibrës, Xhelal Mziu.

Të dashur kandidatë të shkëlqyer për qarkun e Dibrës, Spahiu, Kalaja, Doda, Xhunkshi.

Zonja dhe zotërinj, miq dhe të ftuar.

Së pari, mirënjohje të madhe për praninë tuaj në këtë takim të bukur dhe madhështor.

Krenari të veçantë për ju, për të gjithë shqiptarët që punojnë, jetojnë në Napoli, në Itali dhe kudo tjetër në Europë dhe në botë.

Nderimin tim më të madh qytetarëve të Napolit, autoriteteve të këtij qyteti që ka rrezatuar në shekuj e mijëvjeçarë në Itali dhe mbarë botën.

Napoli është dheu i personaliteteve më të shquara në të gjitha fushat e njerëzimit.

Italia dhe Napoli kanë pritur në shekuj valët e emigracionit shqiptar, të diktuara nga pushtime të brendshme dhe të jashtme.

Valën e emigracionit pas pushtimit osman.

Valën e emigracionit pas diktaturës staliniste.

Valën e emigracionit pas narkodiktaturës.

Hapën dyert, zemrat e tyre dhe unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë miqtë tuaj italianë.

Zoti e bekoftë Italinë dhe kombin italian.

Por edhe ju, njerëz të ndershëm, njerëz punëtorë, njerëz të mençur dhe me dinjitet, erdhët në

këtë vend për sakrificën,

Erdhët në këtë vend për një jetë më të mirë dhe dhatë kontribut të madh në të gjitha fushat, kontribut që bën krenar çdo shqiptar.

Faktikisht jeni sot krenaria e vërtetë kombëtare.

Miqtë e mi, po shkojmë drejt raundit të fundit të betejës sonë.

Drejt 50 ditëve që kanë mbetur.

Këto 50 ditë janë vendimtare për shpëtimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Por, siç e dini, kam deklaruar me bindjen më të thellë se ky vit është viti i diasporës shqiptare.

Kam deklaruar me bindjen më të thellë se ky është viti i diasporës, sepse njëlloj si dikur, shekuj më parë, do të jenë shqiptarët nga jashtë që do të shpëtojnë Shqipërinë.

Ndaj edhe sot mund të themi si atëherë, prite Edi Rama diasporën se po vjen.

Po vjen të shpëtojë mëmëdheun!

Po vjen t’i dalë zot Shqipërisë.

Po vjen të shpëtojë Shqipërinë nga regjimi, të cilin do ta kishte lakmi Eskobari, Toto Rina, El Çapo.

Do ta kishin zili banditët dhe kriminelët më të mëdhenj të planetit.

Edi Rama, me ditë të numëruara, diaspora po vjen.

Diaspora po vjen sepse ti shkatërrove njëra pas tjetrës ëndrrat më të bukura, më fisnike të shqiptarëve.

Shqiptarët kishin një ëndërr në diktaturën komuniste dhe ajo ishte pluralizmi.

Shqiptarët vuajtën më shumë se të gjithë të tjerët nga shteti monist dhe partia shtet.

Kurse ti sot bëre një luftë të egër, çnjerëzore, për një Shqipëri pa opozitë.

Riktheve në Shqipëri partinë shtet.

Partinë Socialiste e faktove si kopje të shëmtuar të Partisë së Punës, e cila ishte një parti krimi.

Krimi i kësaj partie bazohej në doktrinën marksiste leniniste.

Kurse krimi yt bazohet në drogën, krimin, plaçkitjen e shqiptarëve.

Edi Rama, prite diasporën.

Diaspora po vjen se ti u shkatërrove shqiptarëve arritjet e tyre në fushën e lirisë dhe të tregut.

Ti riktheve censurën njëlloj si babai yt që varte në litar poetin për vargjet e tij kundërshtare të regjimit.

Ti monstër e babait tënd vare në litar TikTokun, mjetin më modern të komunikimit të rinisë shqiptare dhe e bëre atë se nuk duroje kritikat e tyre.

Edi Rama, diaspora nuk pajtohet me flamurin tënd të zi të censurës.

Prite se po vjen, 11 maji është dita e saj, është fundi yt.

Edi Rama, 2025-a është viti i këtyre burrave dhe grave, të cilët kanë në shpirt një dashuri të

pakufishme për Shqipërinë.

Të cilët kanë marrë me vete mallin e pashuar për tokën e tyre.

Por ti, me botën e krimit që instalove në Shqipëri, me plaçkitjet masive të pasurive të tyre, i detyrove të marrin rrugët e botës.

Edi Rama, me 11 maj ata kanë një fjalë me ty, ik o mjeran se nuk ke ku të shkosh.

Miqtë e mi, ëndrrat e shqiptarëve i rrënoi Edi Rama, po shpirti i tyre për liri, betejat e tyre, virtytet e tyre nuk vdesin kurrë.

Ato janë më të fuqishme se kurrë tek shqiptarët në vendet e lira.

Ndaj dhe ata me 11 maj, nga deti, nga toka, nga ajri do vërshojnë në Shqipëri.

Shqiptarët i lindin nënat për të luftuar për Shqipëri.

Shqiptarët i lindin nënat për t’i dalë zot Shqipërisë.

Prite diasporën Edi Ramën, nuk ke vend mbi tokë.

Miqtë e mi, projekti i PD dhe koalicionit për Shqipërinë Madhështore është projekti më madhështor, projekti më i bukur, projekti më fantastik që Shqipëria ka pasur ndonjëherë.

Cilido që ka patur fatin të shohë një pikturë të pavdekshmit Ibrahim Kodra, ai e quan atë

Shqipëria fantastike.

Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria fantastike e shqiptarëve.

Ky projekt u hartua gjatë 333 ditëve në arrest shtëpie që mafia e Sorosit dhe Edi Rama i

rezervuan Sali Berishës.

Ky projekt që në pamje të parë të thotë se është një fjalë e stërmadhe, se është diçka e largët, është aq e afërt, aq real, është në mendjen e secilit prej jush, është në zemrat tuaja dhe të fëmijëve tuaj, të mbarë shqiptarëve kudo që janë.

Miqtë e mi, ky projekt fillon me dhembshurinë ndaj atyre që janë në nevojë.

Ndaj qindra e mijëra burrave dhe grave që numërojnë kafshatën në Shqipëri.

Ndaj qindra e mijëra burrave dhe grave që nuk marrin dot ilaçet, që nuk mjekohen dot në spitale.

Mahatma Gandi ka një fjalë, madhështore do të thotë për një komb të kujdeset për ata që janë në nevojë.

Dhe këtu fillon madhështia e Shqipërisë.

Ne kemi vendosur të rishpërndajë tërësisht të ardhurat dhe buxhetin.

Kemi vendosur të përcaktojmë minimumin jetik, pagën minimale, pagën mesatare, pensionet që asnjë shqiptar të mos jetë më në rrethin e varfërisë ekstreme.

Dhe në këtë mënyrë ne e bëjmë shoqërinë shqiptare më të drejtë, më të ndershme, më të barabartë.

Në këtë mënyrë edhe ju që dërgoni çdo muaj djersën tuaj në Shqipëri tek njerëzit tuaj që nuk kanë, do lehtësoheni sepse njerëzit do paguhen më mirë, do kenë gjërat bazë të jetës.

Shqipëria Madhështore nuk mund të jetë Shqipëria e dhimbjes nga uria dhe skamja.

Tre muajt e parë, dekret pas dekreti gjersa ta zhdukim atë.

Miqtë e mi, Shqipëria Madhështore është Shqipëria Made in Albania.

Nuk ka një vend të dytë në rajon dhe Europë në 28 mijë kilometra katrorë më të pasur se vendi ynë.

Ajo ka rezerva botërore të mineraleve, ka rezerva të mëdha të naftës, ka një mbitokë ndër më pjelloret, është plot me ujëra, me brigje fantastike, me alpe dhe male si ato.

Ajo pret projektin për t’u ngjitur në madhështinë që i takon.

Por unë përsëri e theksoj se Shqipëria madhështore do jetë vetëm kur ju të jeni pjesë.

Imagjinoni për një moment qindra mijëra nga Italia, Greqia, Gjermania, Franca, SHBA, të vendosin që ato kursime që kanë, që ato mësime që kanë marrë me ortakët e tyre italianë, grekë, gjermanë, francezë, anglezë apo amerikanë, të vijnë dhe t’i investojnë në Shqipëri.

Të vijnë dhe të prodhojnë në Shqipëri.

A nuk do lartësohej Shqipëria si me Levën e Arkimedit?

Në këtë drejtim ju keni një rol vendimtar për ndërtimin e Shqipërisë Madhështore.

5 vite pa asnjë taksë për secilin prej jush që do kthehet të investojë në Shqipëri.

Jo vetëm kaq, klima më miqësore në Europë për biznesin.

Pak vite më parë, miku i madh i kombit shqiptar, italiani dhe evropiani i madh, Silvio Berlusconi do citonte në një konventë të Forza Italia, sistemin fiskal të Shqipërisë si model.

Unë e garantoj mikun tim atje ku është, garantoj ju, garantoj çdo biznesmen italian dhe të çdo vendi tjetër, se Shqipëria do ketë klimën më tërheqëse të biznesit.

Se taksa 10 përqind, që është taksa e lashtësisë, është taksa e drejtësisë, do jetë taksa kryesore në Shqipëri.

Se energjia do jetë më lirë se në çdo vend tjetër të Europës.

Se burokracia do jetë më e pakët se kudo tjetër.

Shqipëria do jetë vendi më tërheqës investimeve tuaja, i investimeve të huaja, i investimeve të shqiptarëve.

Made in Albania do jetë krenaria jonë.

Do bëjmë gjithçka që prodhimet tona të mbushin tregjet e vendit dhe të kalojnë në tregjet e mëdha.

Zoti e ka bërë atë tokë me prodhimet më të mira që mund të bëhen dhe ne do i ekspozojmë ato.

Miqtë e mi, Shqipëria Madhështore nuk mund të jetë pa pastruar shtëpinë tonë.

Pastrimi i shtëpisë është një kusht që Shqipëria të rritet, të ecë drejt madhështisë.

Ju garantoj se pas ligjeve për minimumin jetik dhe pagën 500 euro, pas vendimeve për kthimin e parave të shqiptarëve, ligji i dytë është shpallja e Xhorxh Sorosit non-grata, mbyllja e fondacionit Soros.

Kjo farë e keqe duhet të shkulet nga Shqipëria se e shndërroi Shqipërinë në republikën e tij.

Garantoj shoqërinë civile se shteti do mbështesë fuqishëm OJQ-të që nuk do marrin më instruksione perverse të Sorosit dhe sorosianëve por do mëkojnë parimet më të mira, virtytet më të mira të shqiptarëve.

Të pastrosh shtëpinë do të thotë të bësh një audit të përgjithshëm, një lloj Elon Muski shqiptar do gjendet.

Do jetë nga diaspora, do jetë nga Shqipëria, do jetë nga miqtë tanë, pa audit të përgjithshëm nuk shkohet përpara.

Pa gjetur qindra e qindra milionë të vjedhura shqiptarëve, Shqipëria nuk ndërtohet dot mbi mëkatin.

Shqipëria do ndërtohet jo mbi vesin, do ndërtohet mbi virtytin dhe unë u garantoj se do e realizojmë atë.

Të dashur miq, Shqipëria Madhështore do të jetë Shqipëria që ka kapur trenin e revolucionit teknologjik.

Shoqëria ka pasur revolucione industriale, teknologjike periodikisht.

Vendet që kanë humbur trenin, kanë mbetur shumë mbrapa.

Kësaj herë, Shqipëria nuk do e humbasë më trenin.

Shqipëria do jetë epiqendër e teknologjive më të larta.

Shqipëria do jetë një superfuqi energjetike në rajon.

Nuk ka vend më të pasur në 28 mijë kilometra katrorë në ujë, në erë, në diell, në gaz.

Ndaj dhe zotimi ynë është shumëfishimi i prodhimit të energjisë nga dielli, dhuratë e Zotit.

Nga jugu në veri, shqiptarët do vendosin panelet fotovoltaike dhe ata do marrin energji falas nga ato panele.

Këtu nga jugu i Italisë është një kompani që studioi Pukën dhe gjeti një kapacitet eolik, ere, prej 3200 megavatë vetëm rrethi i Pukës.

Prapë do ta ftoj, prapë do vijë, prapë do vazhdojmë betejën tonë.

Shqipëria ka njërin prej gazsjellësve më të mëdhenj në Europë, kështu që nga ky prodhim energjie do fitojë në radhë të parë qytetarët shqiptarë.

Biznesi shqiptar do e marrë energjinë me çmimin më të lirë në Europë, 6 lekë kilovati.

Qytetarët do paguajnë 7 lekë kilovati.

Kurse ata me panele fotovoltaike do paguajnë vetëm tre vite, pasi do e marrin falas.

Pra, a nuk shkon Shqipëria drejt një madhështie që nuk e kemi përfytyruar? A nuk janë këto reale? Që të gjitha.

Këto premtime kërkojnë vetëm një gjë, kërkojnë që të ndajmë epokat, të ndajmë historinë: me 11 maj të arkivojmë narkodiktaturën e Edi Ramës.

Ndaj dhe në këto 50 ditë, beteja nuk zhvillohet vetëm në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, beteja zhvillohet në qytetet dhe fshatrat kudo që ndodhen shqiptarët, në Napoli, Itali, në botë, kudo.

Dhe kjo betejë është vendimtare për fatin e kombit, për fatin e Shqipërisë.

Kjo betejë ndan ditën me natën.

Do hyjnë shqiptarët në epokën e Shqipërisë Madhëhstore apo do vazhdojnë në natën e zezë të diktaturës së drogës, krimit dhe vjedhjes së tyre.

Unë kam besim se ju të gjithë, shqiptarët në Itali dhe kudo që ndodhen, nën moton ‘prite, prite diasporën’, do rikthehen në Shqipëri për të shpëtuar Shqipërinë, për ët firmosur fitoren e opozitës, fitoren e Shqipërisë.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale