Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Ujë me fekale në çezmat e Vlorës, 68 qytetarë në urgjencë, mes tyre edhe fëmijë/ Kedhi: Rama të mos fshihet pas propagandës, por të japë llogari për skandalin që rrezikon shëndetin e qytetarëve!


Deklarata për media e nënkryetarit të PD, Nikola Kedhi:

68 qytetarë, ndër ta edhe fëmijë kopështi, kanë përfunduar në dyert dhe shtretërit e urgjencës së Vlorës, me të vjella dhe diarre, në një rast alarmant, që rrëzon gjithë propagandën për sigurinë e shëndetit publik dhe përgjegjësinë e institucioneve shtetërore.
Rastet janë përqendruar kryesisht në lagjet “28 Nëntori” dhe “29 Nëntori”, duke ngritur alarmin për një burim të përbashkët infeksioni dhe për ndotje të ujit të pijshëm.
Ndërkohë që familjet kërkojnë përgjigje, drejtuesit e Ujësjellësit deklarojnë se analizat janë brenda normave. Por si shpjegohet që fillimisht rezultatet mikrobiologjike nuk ishin ende publike, ndërsa më pas u deklarua se edhe parametrat bakteriologjikë rezultonin normalë?
Përse nuk publikohen analizat origjinale?
Sipas raportimeve mediatike, në dy mostra është konstatuar mungesë klori, ndërsa në depozitën e Kopshtit nr. 10 është ngritur dyshimi për ndotje fekale. Vetëm bazuar në këto të dhëna, kemi të bëjmë me një dështim jashtëzakonisht të rëndë të kontrollit të sigurisë së ujit.
Por më shqetësues është fakti se këto rreziqe nuk janë të panjohura për institucionet.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, që në vitin 2022, kishte paralajmëruar për probleme serioze në Ujësjellësin e Vlorës: dëmtime të rrjetit, lidhje jashtë kushteve teknike, sisteme monitorimi jashtë funksionit, mangësi në kontrollin e cilësisë dhe dozimin e klorit. Mbi të gjitha, KLSH evidentonte rrezik të lartë të ndotjes së ujit nga ujërat e zeza dhe gropat septike pranë burimeve të furnizimit.
Katër vite më vonë, qytetarët e Vlorës kërkojnë përgjigje: A janë zbatuar rekomandimet e KLSH-së? Apo paralajmërimet janë shpërfillur, duke vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve?
Në zonat ku janë raportuar rastet po kryhen edhe punime për kalimin nga rrjeti i vjetër në rrjetin e ri. A janë dezinfektuar dhe shpëlarë tubacionet pas ndërhyrjeve? A janë kryer analizat përpara rikthimit të furnizimit? Kush i ka certifikuar këto procedura?
Partia Demokratike kërkon publikimin e menjëhershëm të analizave të plota të 22 pikave të rrjetit, regjistrave të matjes së klorit, analizave të depozitës së Kopshtit nr. 10, dokumenteve të dezinfektimit dhe ndërhyrjeve në tubacione, raportit epidemiologjik të ISHP-së dhe provave të zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së.
Kërkojmë gjithashtu transparencë për prokurimin dhe përdorimin e dezinfektantëve, për të cilët është shpallur një procedurë me fond limit mbi 10 milionë lekë.
Kërkojmë hetim të plotë dhe të pavarur për përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje dhe përgjegjësive përkatëse, si dhe masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së furnizimit me ujë.
Qyetatërt e Vlorës prej vitesh vuajnë mungesën e ujit, ndërprerjet e furnizimit dhe degradimin e shërbimeve publike. Prej kohesh përballen edhe me faktin se uji që përdorin rrezikon shëndetin e tyre dhe të fëmijëve.
Edi Rama dhe drejtuesit e institucioneve përgjegjëse nuk mund ta kalojnë këtë ngjarje me propagandë dhe deklarata qetësuese. Vjet i lanë një muaj pa ujë. Tani ua sjellin me fekale. Ndërkohë ata qe janë përgjegjës nuk preken.
Partia Demokratike do ta ndjekë këtë çështje deri në zbardhjen e plotë të saj.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale